Kampionët në fuqi të NBA nuk ndalen. Golden State Warriors ka regjistruar fitoren e gjashtë radhazi dhe mbajnë kreun në Konferencën e Perëndimit.
New Orleans Pelicans u mposhtën në fund 147-140 nga Warriors. Më i miri mbi parketin e “Oracle Arena” ishte i zakonshmi Stephen Curry, me plot 41 pikë, por vendimtar rezultoi edhe Kevin Durant me “double-double”: 30 pikë e 15 “rebound”.
Ndërsa është e pabesueshme se si 58 pikët dhe 10 “rebound” të James Harden nuk i mjaftuan Houston Rockets përballë Brooklyn Nets, me skuadrën njujorkeze që triumfoi 142-145 pas kohës shtesë.
Protagonist në radhët e Nets rezultoi Spencer Dinwiddie, me 33 pikë e 10 asiste, ku përfshihet edhe trepikëshi i realizuar në shtesë, që përcaktoi edhe fituesin.
Fitore e bukur e Boston Celtics 117-108 përballë Toronto Raptors në të ashtuquajturën “big match”. Skuadra e Brad Stevens e siguroi suksesin falë një periode të dytë të jashtëzakonshme, ku shënoi një rezultat të pjesshëm 34-17.
Kyrie Irving e mbylli takimin me 27 pikë e 18 asiste, por por kaq rëndësi kishin edhe 24 pikët e Al Horford. Për Raptors nuk mjaftuan 33 pikët e Kawhi Leonard dhe 22 të Serge Ibakas.
Humbja e Raptors u dha mundësi Milwaukee Bucks të merrnin kreun e Konferencës së Lindjes falë suksesit 111-101 ndaj Memphis Grizzlies. Për fitoren e Bucks mendoi i zakonshmi Giannis Antetokounmpo, që bëri diferencën mbi parket me 27 pikë dhe 11 “rebound”.