MENU
klinika

Nga Bajram Kabashi

“Zekeria Cana, ndër të vetmit që preku terrorin e ushtrisë serbe”

29.01.2019 - 17:59

Zekeria Cana i paharrueshëm, një mik e mësues im për jetën, të cilin nuk e harroj kurrë e ndaj të cilit kam respekt e mirënjohje të përjetshme .

Ja pak fjalë për Profesorin Zekeria Cana nga libri im Rilindja – Përkushtim e Trishtim, tek kapitulli për demonstratat e 1 Tetorit 1997 në Prishtinë:

“Prishtina e 1 Tetorit 1997 ballafaqohej edhe me një ditë të saj të lavdishme. Studentët dhe populli trim grumbullohej në cakun e duhur. Aty u takuam edhe me profesorin e nderuar, Zekeria Canën. Pasi ndenjëm pak me të e bëmë edhe nga një fotografi – për histori.

Kurdoherë që dikush i delte përballë pushtimit serb në Kosovë, atë gjatë atyre viteve e ka pasur krah të fortë e në ballë. Nëse ka njeri që më shumë se pesëmbëdhjetë vite e ka zhvilluar luftën e brendshme propagandistike në Kosovë, duke qëndruar në gëzim dhe hidhërim pranë dhe me popullin e vet, atëherë ai mund të jetë vetëm prof. Zekeria Cana, historian, publicist, eseist dhe polemist i pakompromis; themelues i KMLDNj-së së Prishtinës dhe nismëtar i Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve dhe Ngatërresave, së bashku me profesorin Anton Çetta.

Si pasues i mendimit filozofik-popullor të Anton Çeltës, Zekeria Cana me guximin e tij të rrallë, jokarakteristik për ata që thellohen në libra dhe krijimtari shkencore, ngado që shkoj nëpër Kosovë e jashta saj , – e të pakta ishin ato vende ku ai nuk ishte – i dha zemër popullit dhe njeriut të thjeshtë që t’i rezistonte armikut. Duke qenë aq i pranishëm në jetën reale gjatë më shumë se një decenieje, e sidomos në dhjetëvjetshin e fundit të shekullit njëzetë, ai u bë udhëheqës shpirtëror i popullit të paudhëhequr.

dr zekeria cana-konica.al

Zekeria Cana ka bërë aso punësh dhe veprash të mëdha gjatë dhjetë viteve të fundit në Kosovë, sa që për kontributin e tij të madh, thuajse kolosal, do të mund të ishte e vetëdijshme plotësisht vetëm një politikë e zgjuar shtetërore shqiptare, një politikë që deri tash i ka munguar Kosovës. Për shkak të angazhimit të madh patriotik, u bë njeriu më i njohur për policinë serbe në Kosovë dhe jashta saj; prandaj ajo polici e arrestoi, burgosi dhe e keqtrajtoj 42 herë, derisa në fund hoqi dorë prej tij!

Me të kam dalë shpesh terreneve kosovare e jashtë Kosovës, andaj mund të them se ai prore është treguar më gazetar sesa shumë gazetarë të tjerë. Për mua Zekeria Cana ka mbetur një njeri i rrallë, ndoshta i vetmi që e preku dhe e përjetoj vuajtjen dhe terrorin që e shkaktonte policia dhe ushtria serbe në Kosovën e atyre viteve. Zekeria Cana, ai guximtari pikëlluar nga ato vite të vështira, u bë kështu mësuesi më i njohur i shqiptarizmit, një mësues i vërtetë që ngarendte fshat më fshat për të ngushëlluar, dhënë zemër dhe ofruar shpresën që aq shumë e luftonte armiku.

Ai edhe asaj dite ishte me studentët dhe popullin e vet…”