Zhan d’Ark, me nofkën “Virgjëresha e Orleanit” është konsideruar si Heroina kombëtare e Francës, sepse në moshën 18 vjeçare, udhëhoqi ushtrinë franceze në betejën kundër anglezëve në Orleans.
Në moshën shtatëmbëdhjetëvjeçare ka drejtuar ushtrinë franceze dhe ka mundur ushtrinë më të përgatitur angleze, duke rrëzuar bastionet e Orléans që për vite me radhë i kishin bërë qëndresë goditjeve të rrethuesve. Ka kurorëzuar mbretin e frikshëm dhe mosmirënjohës të Francës, Karlin VII, dhe ka vazhduar luftën me ata pak njerëz të mbetur përkrah saj.
Pra, kaq mjaftojnë për ta konsideruar Zhan d’Ark si një nga 50 udhëheqësit ushtarakë që ndryshuan botën…
Jeta e hershme
Zhan d’Ark lindi në 1412, në Domremy, Francë. Vajza e fermerëve të varfër Jacques d’Arc Isabelle, e njohur edhe si Romée, mësoi devotshmërinë dhe punët e shtëpisë nga nëna e saj. Ajo kujdesej për kafshët dhe u bë mjaft e aftë si rrobaqepëse.
Në vitin 1415 mbreti Henri V i Anglisë pushtoi Francën veriore. Pas një humbjeje shkatërrimtare për forcat franceze, Anglia fitoi mbështetjen e burgundianëve në Francë. Traktati i Troyesit i vitit 1420, i dha fronin francez Henrit V pas Karlit VI. Megjithatë, në vitin 1422, Henri dhe Karl vdiqën brenda disa muajve, duke ia lënë fronin djalit të mitur të Henrit.
Rreth kësaj kohe, Zhan d’Ark filloi të kishte vizione mistike. Zërat i thoshin se Zoti kishte një mision të veçantë për të. Ndërsa rritej, zërat bëheshin më specifikë. Kur u bë 16 vjeç, zërat i thanë se duhej të ndihmonte Dauphin (djali më i madh i mbretit të Francës, përdorej si titull nga 1349-1830). Ajo i kishte treguar e llahtarisur një kushëriri shumë të afërt për halucinacionet që nuk e linin të qetë.
Takimi me Dauphin
Pas disa ngurrimeve kushëriri e shoqëron të takojë kapitenin e Vaucouleurs (Vokulërs), një fortesë jo larg nga fshati i saj. Dauphin e priti mes oborrtarëve. Ai ishte veshur thjesht, jo si princ. Ai ngarkoi shumë peshkopë dhe studiues për të kuptuar nëse mund t’i besonte vajzës së re, dhe ata i thanë se mund ta bënte.
Beteja e Orleanit
Në fillim, princi nuk ishte i sigurt se çfarë po bënte me këtë vajzë fshatare që deklaronte se ajo mund të shpëtonte Francën. Zhan d’Ark iu lut që t’i jepte një shpatë të vjetër dhe të fshehtë, e groposur pas altarit të kishës së Shën Katerinës, në Fierbua. Njerëzit e princit gërmuan pikërisht në vendin ku tha Zhan se ndodhej shpata. Kur u bashkua me ushtrinë, Zhan vendosi të vishte rroba burrash për të mos rënë në sy, si dhe për t’u ndier më praktike.
Zhan udhëhoqi betejën në Orlean (1429). Gjatë një sulmi mbi një fortesë tjetër angleze, atë e plagosi një shigjetë. Nuk mund ta mbante dot vetë flamurin, por ngarkoi një ushtar që ta ngrinte atë mbi mur. Me t’u ngritur flamuri, francezët sulmuan nga të gjitha anët, u ngjitën mbi mur dhe e morën fortesën. Menjëherë pas kësaj, anglezët e hoqën rrethimin.
Gjysma e papërmbushur e misionit
Gjysma e misionit të Zhan d’Arkës ishte kryer. Kishte mbetur vetëm kurorëzimi i mbretit në Reims Zhan dhe ushtria e saj i morën, njërin pas tjetrit, qytetet që mbaheshin nga anglezët. Ajo ndoqi një taktikë të re për t’i mundur anglezët në fushëbetejë: duke mos u lënë kohë të zinin pozicione mbrojtëse. Francezët shkuan drejt Reimsit dhe Karli VII u kurorëzua. Ky ishte një çast vendimtar. Misioni i Zhan d’Ark kishte përfunduar.
Pas kurorëzimit, Zhan d’Ark u përpoq të bindte mbretin që t’ua merrte Parisin burginjonëve, por ai ngurroi. Ajo e nisi vetë sulmin për Parisin. Në portën Shën Honore mbeti e braktisur, por edhe e plagosur. E pas kësaj, ushtria u shpërnda. Sidoqoftë Zhan D’Ark u nis në betejë për liri. Ajo udhëhoqi ushtrinë e vet dhe u konsiderua komandante lufte e pavarur, që nuk përfaqësonte më mbretin.
Gjyqi mizor
Zhan luftoi, arriti disa suksese dhe pësoi disa humbje. Por ajo u kap rob. Dy herë që do të shpëtonte, dy herë dështoi. Në këto kushte më 21 nëntor 1430 iu shit anglezëve nga burginjonët, si aleatë të tyre, për t’iu nënshtruar një gjyqi më pas.
Nga data 21 shkurt deri në 24 mars 1431, ajo ishte marrë në pyetje disa here. Në vend që të mbahej në një burg të kishës me murgeshë si roje, ajo u mbajt në një burg ushtarak. Ajo u kërcënua me përdhunim dhe torturë, edhe pse nuk ka asnjë të dhënë që këto mund të kenë ndodhur.
Djegia në turrën e druve
Më 29 maj 1431, gjykata njoftoi se Zhan d’Ark u shpall fajtore. Në mëngjesin e 30 majit, ajo u dërgua në treg në Rouen dhe u dogj në turrën e druve, përpara një turme prej 10,000 personash, kur ishte vetëm 19 vjeç.
Të rigjykohesh pas vdekjes
Pas vdekjes së Zhan d’Ark, lufta e njëqindvjeçarëve vazhdoi edhe për 22 vjet. Mbreti Karl VII urdhëroi një hetim që në 1456 e shpalli Zhan d’Ark zyrtarisht të pafajshme për të gjitha akuzat. Ajo u quajt shenjtore më 16 maj 1920, dhe është Heroina Kombëtare e Francës.
Për disa vite kjo fshatare e pashkolluar ka bërë vepra që mund të krahasoheshn me ato të udhëheqësve më të mëdhenj që ka pasur Franca. Ajo kujtohet si Heroina Kombëtare e Francës, femra që e ndryshoi fatin e Francës me profeci, ikona e e ambicies dhe vetëmohimit të gruas në një rruzull dinjitetesh të nëpërkëmbura dhe kufizimesh të mëdha…