MENU
klinika

Nga Artan Fuga

“50 të drejta të mohuara për studentët”, propozimet e akademikut

02.02.2019 - 13:58

Ligji aktual nuk i njeh asnjë të drejtë pozitive personale studentit!

PROPOZOJ SI MË POSHTË:

1. Studenti ka të drejtë të zgjedhë lirisht profilin e studimeve që dëshiron të ndjekë në të gjithë universitetet e territorit shqiptar ose në universitete të tjera partnere të tyre!

2. Studenti ka të drejtë të regjistrohet drejtpërdrejt në universitetin që dëshiron, pa kaluar në asnjë agjenci apo hallkë filtruese.

3. Studenti ka të drejtë të njihet paraprakisht me universitetin, fakultetin dhe departamentin ku dëshiron të ndjekë studimet.

4. Studenti ka të drejtë, në bazë të meritës, të ndjekë të gjitha nivelet e profileve të studimit që njeh ligji për arsimin e lartë.

5. Studenti regjistrohet në nivel universiteti dhe ka të drejtë të ndjekë lëndët e parashikuara në të gjitha fakultetet e universitetit ku regjistrohet…

6. Studenti ka të drejtë të regjistrohet për lëndët e parashikuara në programin mësimor te çdo pedagog që mbulon atë lëndë në universitetin ku është regjistruar.

7. Studenti ka të drejtë të vlerësohet nga pedagogë dhe komisione që sigurojnë gjykim të drejtë, pa konflikt interesi.

8. Studenti ka të drejtë të refuzojë paraprakisht të merret në provim nga pedagogë që i konsideron në konflikt interesi me një vlerësim të drejtë të dijeve të tij.

9. Studenti ka të drejtë të marrë të gjitha informacionet që lidhen me veprimtarinë mësimore, shkencore dhe administrative e financiare të njësisë kryesore ku ai bën pjesë si edhe të vetë universitetit ku është regjistruar.

10. Studenti ka të drejtën e respektimit të dinjitetit të tij brenda dhe jashtë mjediseve të universitetit sipas Kushtetutës të RSH, ligjeve në fuqi, ligjit për arsimin e lartë dhe statutit dhe rregulloreve të Universitetit, etj.

11. Studenti i ka të drejtën e përdorimit të gjitha mundësive që Universiteti vendos në dispozicion të shërbimit të studentit.

12. Studenti ka të drejtën e vlerësimit të drejtë dhe korrekt të dijeve në të gjitha lëndët e kurrikulumit të programit të studimeve ku ai është regjistruar.

13. Ai ka të drejtën të njihet me përgjigjet e sakta të pyetjeve, të cilave u nënshtrohet në provime dhe procedura të tjera të kontrollit të njohurive.

14. Studenti ka të drejtë të shprehë pa asnjë pengesë, censurë dhe presion, të gjitha bindjet, besimet, opinionet e veta politike dhe ideologjike, në përputhje me të drejtat e qytetarit të RSH në Kushtetutën e vendit dhe të mos ndëshkohet ose pësojë vlerësime negative për to.

15. Studenti ka të drejtë të organizohet në shoqata studentore lirisht dhe të përfaqësohet drejtpërdrejt ose nëpërmjet tyre në të gjitha vendimmarrjet që lidhen me drejtimin e universitetit dhe njësitë e tij.

16. Studenti ka të drejtë të kryejë veprimtari shoqërore në mjediset universitare pa pengesë, jo në shërbim të partive politike dhe me logon e tyre, dhe në respekt të të drejtave të të gjithë sensibiliteve të tjera sociale dhe pa penguar procesin mësimor.

17. Studenti ka të drejtën e ankimit në të gjitha instancat drejtuese të universitetit në rast se konstaton se është viktimë e harselimit, e presioneve e diskriminimit dhe e të gjitha praktikave të tjera të dënueshme nga kuadri ligjor.

18. Studenti ka të drejtë të marrë pjesë në të gjitha mbledhjet e departamentit ose dekanatit të fakultetit ku është regjistruar.

19. Studenti ka të drejtë të njihet paraprakisht me përmbajtjen e programit dhe planit mësimor të profilit të studimeve ku është regjistruar.

20. Studenti ka të drejtë të zgjedhë të deleguarit studentë që shprehin vullnetin kolektiv. Me anë të tyre, studentët kanë të drejtë të marrin pjesë lirisht në mbledhjet e njësive bazë që mbulojnë programin e tyre të studimeve.

21. Studenti ka të drejtë të njihet me tematikën e të gjitha mbledhjeve si edhe vendimet e dekanatit dhe të njësisë bazë.

22. Studenti ka të drejtë të marrë pjesë nëpërmjet lëndëve me zgjedhje në kurrikulumin e programit të studimeve ku ai është regjistruar.

23. Çdo njësi bazë ka detyrimin të përcaktojë për çdo vit sasinë e lëndëve me zgjedhje dhe emërtimin e tyre që i lejojnë studentit të ketë liri zgjedhjeje.

24. Në rast se brenda ose jashtë njësisë kryesore, një lëndë zhvillohet nga pedagogë të ndryshëm, studentit i lind e drejta të ndjekë lëndën sipas pedagogut që ai parapëlqen.

25. Lëndët alternativa me zgjedhje i paraqiten studentit për çdo vit akademik nga njësi bazë.

26. Studenti ka të drejtë të marrë dije shkencore bashkëkohore të nivelit më të lartë. Ai ka të drejtë të refuzojë të marrë pjesë në leksione që gjykohen kolektivisht prej studentëve nën nivelin e pranueshëm.

studentet e durresitkonica.al

27. Studenti ka të drejtë të marrë pjesë në të gjitha veprimtaritë shkencore ku ftohet të bashkëpunojë nga pedagogët e tij që mbulojnë lëndë në kurrikulën e programit të studimeve ku është regjistruar.

28. Studenti ka të drejtë të refuzojë çdo detyrim mësimor ose shkencor nëse ai nuk është kompensuar zyrtarisht dhe sipas rregullave në fuqi në rrugë financiare ose me kreditet përkatëse.

29. Studenti ka të drejtë të refuzojë të shfrytëzohet ekonomikisht qoftë edhe me pagesë nga sipërmarrje në pronësi të pedagogëve të tij.

30. Studenti ka të drejtë të ketë akses falas në së paku një dokument të shkruar ose regjistruar (libër, tekst, monografi, cikël leksionesh të shkruara, fashikuj kapituj monografish, etj.), ku të jepen njohuritë themelore të përmbajtjes të lëndës, paraqitur nga pedagogu i lëndës dhe aprovuar zyrtarisht si i tillë me vendim të njësisë bazë që mbulon lëndën përkatëse.

31. Studenti ka të drejtë të ketë informacion për një bibliografi të gjerë vendëse ose të huaj, që trajton problemet dhe temat e lëndës ku ai merr pjesë. Kjo realizohet me anë të detyrimit që ka pedagogu për ta dhënë këtë informacion në silabusin e lëndës që mbulon.

32. Studenti ruan të gjitha të drejtat e autorit mbi punimet dhe krijimet shkencore që paraqet në procesin e ndjekjeve të profilit të studimeve ku është regjistruar.

33. Studenti ka të drejtë të refuzojë zhvillimin e mësimit në çdo lëndë nëse për të nuk ka një akses falas dhe të mjaftueshëm në dokumente të përmendur më sipër.

34. Studenti ka të drejtë të studiojë dhe të paraqitet në provim për një lëndë me një literaturë dhe përqasje tjetër alternative nga ajo që i është propozuar nga pedagogu i lëndës.

35. Asnjë pedagog nuk ka të drejtë t’i imponojë studentit jashtë vullnetit të tij, studimin e një literature të caktuar.

36. Studenti ka të drejtë që në fund të çdo programi studimesh që ndjek, të ketë një titullim shkencor si edhe të orientohet drejt njohjes të diplomës të tij si mundësi integrimi brenda urdhrit të një profesioni të njohur me ligj në tregun shqiptar dhe më gjerë.

37. Çdo program studimesh duhet të finalizohet me një njohje kompetencash brenda një ose disa profesioneve të njohura me ligj.

38. Studenti ka të drejtë të ketë së paku një literaturë alternative të vlefshme, përveç tekstit, manualit ose ciklit të leksioneve të pedagogut të lëndës.

39. Studenti, nëse sheh praktika hapur dhe dukshëm në kundërshtim me të drejtat e tij, me statutin e universitetit ose rregulloret e njësive bazë, ka të drejtë të braktisë ose refuzojë të marri pjesë në lëndët ku këto probleme konstatohen kolektivisht ose individualisht.

40. Studenti ka të drejtë të shprehet me anë të sondazheve dhe metodave të tjera për cilësinë e mësimdhënies në çdo lëndë të programit të studimeve, pas mbarimit të kontrollit të njohurive. Detyrimin për ta realizuar këtë të drejtë e ka njësia bazë, që është përgjegjëse për atë program mësimor.

41. Studenti, pasi ka përfunduar me sukses vitin e parë të studimeve në programin e studimeve ku është regjistruar, i lind e drejta të ndjekë sipas parapëlqimeve të tij, edhe një ose më shumë program tjetër studimesh, plotësues me të parin, brenda ose jashtë njësisë kryesore ku është regjistruar fillimisht. Për këtë, studenti është vetë përgjegjës për të krijuar kushtet kohore etj. Regjistrimi në një program të dytë bëhet sipas tarifave në fuqi.

42. Pas regjistrimit në universitet, studenti ka të drejtën për shërbime falas që lidhen me realizimin e statusit të tij universitar në fakultetin ku është regjistruar.

43. Studenti ka të drejtë të shfrytëzojë të gjitha hapësirat kulturore, sportive, argëtuese që janë në dispozicion të universitetit ose fakultetit.

44. Studenti ka të drejtën për të kërkuar këshillim të vazhdueshëm për karrierën e tij, si edhe për trajektoren e studimeve.

45. Studenti me probleme shëndetësore ka të drejtë për trajtime të veçanta, që i mundësojnë ndjekje normale të studimeve.

46. Studenti ka të drejtë të marrë pjesë në zgjedhjen e të gjitha instancave drejtuese të departamentit, dekanateve dhe rektorateve etj., të Universitetit.

47. Studenti ka të drejtën të njihet me të gjitha mundësitë për bursa, shkëmbime dhe stazhe në universitete të tjera të vendit ose të huaja dhe të përfitojë prej tyre.

48. Studenti ka të drejtën të ketë trajtesë financiare të favorizuar në varësi të ecurisë së rezultateve të tij, si edhe të gjendjes financiare të familjes të tij.

49. Studenti ka të drejtë të pajiset me kartën e studentit, që me regjistrimin e tij dhe në bazë të saj, ai fiton trajtime të favorizuara në të gjithë territorin e RSH-së sipas përcaktimeve që përcaktohen me ligj të veçantë.

50. Studenti regjistrohet lirisht në secilin nga universitetet brenda ose jashtë territorit të vendit, sipas zgjedhjes së vet të lirë.

51. Studenti ka të drejtë t’i zhvendosi lirisht studimet e tij nga një universitet te tjetri, mbi bazën e pranimit në universitetin ku kërkon të regjistrohet.

52. Studenti ka të drejtë për kushte studimi normale, duke pasur një vend në auditor.

53. Studenti në universitetin ku është regjistruar ka të drejtën e aksesit në internet dhe të një hapësire virtuale në ueb, ku i vijnë të gjitha informacionet.

54. Studenti ka të drejtë të marri menjëherë, sipas kërkesës, çdo dokument që i njeh identitetin e tij studentor, duke e përdorur atë sipas nevojave.

55. Studenti ka të drejtë të marri falas nga fakulteti ku është regjistruar shërbim psikologjik bazik dhe shërbim mjekësor dhe të bëjë ekzaminimet bazë çdo dy vjet, organizuar nga fakulteti ku bën pjesë.

56. Studenti ka të drejtë të ketë brenda hapësirave të fakultetit ku kryen studimet, për pika tregtare për konsumin ushqimor.

57. Studenti ka të drejtë të kërkojë mbështetje me avokat nga universiteti ku ai është regjistruar për të gjitha çështjet, që lidhen me statutin e tij si student.

(Promemorie, paraqitur dhe refuzuar në Senatin e UT-së në muajin korrik 2018)

Gjendet trupi i pajetë i të riut! Në pranga autori

Hodhi nga ura shokun dhe fshehu krimin, policia zbardh vrasjen

“Na mungon propaganda kombëtare në planin ndërkombëtar”

Debati për gjuhën shqipe në RMV, Rama: Nuk është çështje gjykatash, por…

Tre arsyet pse mazhoranca nuk e zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Opinioni i Komisionit të Venecias, gazetarja Lala: Reagimi i Bushkës, për të vënë duart në kokë

Arben Ahmetaj akuzohet se shkaktoi dëm ekonomik 7 miliardë lekë

GJKKO kthen në SPAK dosjen “Buka”!