Në kohën kur deputetët e PD-së vendosën për të djegë mandatet e deputetit, Rudina Hajdari ende nuk ishte shprehur për vendimin.
Kjo e fundit sot ka thyer heshtjen duke reaguar në rrjetin social Facebook.
Vajza e Azem Hajdarit, tha mes tjerash se prezenca e saj jashtë vendit dhe disa arsye shëndetësore, e kanë mbajtur larg një vendimi, por shtoi se qëndrimin përfundimtar do ta japë shumë shpejt.
Statusi
“Është e natyrshme që historia ime familjare ndikon sa në sjelljen time politike aq edhe në përceptimin publik të saj.Kushtetuta e Shqipërisë e ka përcaktuar “heqjen dorë nga mandati” të deputetit si vendim individual, pavarësisht kësaj unë nuk e ndiej vetën aspak të shkëputur nga grupi parlamentar i PD dhe nga misioni i saj.
Për shkak të karakterit dhe formimit tim, “vendimet” i kam vlerësuar gjithnjë fort duke i’u kushtuar kohën, analizën dhe vëmendjen e duhur dhe ky rast është një ndër më të rëndësishmit.
Për këtë, gjatë kësaj periudhe jam konsultuar me personalitete politike të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësues të aleatëve më të çmuar, seriozë e të vendosur në rrugën e vështirë të kombit tonë, që nga shpallja e pavarësisë, rrëzimi i rregjimit komunist e më tej në proçeset trasformuese të zhvillimit ekonomiko-social dhe të integrimit euro-atlantik.
Mandatin e deputetit nuk e kam konceptuar kurrë si “një mjet të interesit vetjak i cili nuk duhet dorëzuar kurrësesi”.
Nuk ka kaluar kohë shumë e gjatë nga 8 dhjetori 2018 kur shpreha gaditëshmërinë time të sinqertë për të lënë mandatin e deputetit e për t’u bashkuar me studentët për kauzat e kombit, “për ndërtimin e një sistemi të vërtetë demokratik në Shqipëri”, por ky propozim ishte në një kontekst komplet të ndryshem nga ai që është tani. Bëhej fjalë për sakrificë politike individuale për t’iu ardhë në ndihmë studentëve në kauzën e tyre dhe jo për vendim kolektiv i cili pritet të ketë rrisqe.
Ju lutem të më mirëkuptoni se nuk kam mundur të shprehem për këtë çështje prej mbrëmjes të së premtes që jam kthyer për shkak të disa problemeve shëndetësore. Qëndrimin tim do t’a bëj publik shumë shpejt.
E kam shumë të qartë misionin tim si person politik por edhe si qytetare, do të jem gjithmonë e rreshtuar përkrah me demokratët, të rinjtë, studentët dhe qytetarët Shqiptarë në interesin kombëtare për një Shqipëri demokratike dhe Evropiane”, shkruan ajo.