MENU
klinika

Kryeministri porosit mazhorancën

‘Arrestimi i Dakos’/ Rama-deputetëve: Mos replikoni

25.02.2019 - 20:24

Kryeministri Edi Rama, pas deklaratave të Lulzim Bashës se është duke u përgatitur arrestimi i Vangjush Dakos, u ka dërguar sot një mesazh të gjithë deputetëve.

Rama i ka porositur deputetët që të mos replikojnë në distancë me Bashën për akuzat politike, pasi sipas tij, harxhojnë kot kohën e publikut.

“Në vijim të komunikimit për refuzimin e daljeve me kolegët tanë të arratisur, në debate shterpë të cilat përveçse harxhojnë kot kohën e publikut, derdhin baltë e helm në tryezat e shqiptarëve, më duhet të shtoj se nuk do të replikojmë më në distancë me deklarata e përgënjeshtrime ndaj akuzave e shpifjeve të tyre të pafundme.

E gjithë vëmendja jonë do të jetë tek njerëzit e zakonshëm pa dallim dhe komunikimi ynë do të jetë për ta e me ta. Natyrisht nuk do t’i kursejmë as arratiakët në komunikimet tona, por vetëm kur kjo i duhet komunikimit me qytetarët.

Le të merren kadrinjtë e kazanët me dokrrat e dëshpërimit të tyre dhe le të vlojnë së bashku në zjarrin e mandateve të tradhtuara! Koka bën koka pëson, megjithëse në rastin e tyre koka e bën dhe trupi si gjithnjë e pëson”, shkruhet në SMS-në  e Ramës për deputetët.

Porosia e Ramës vjen pas deklaratës së Bashës se Kryeministri po përgatit si skenar arrestimin e Vangjush Dakos, në mënyrë që të heqë vëmendjen nga situata e tensionuar politike.