MENU
klinika

I shpallur në kërkim

Arrestohet në Vlorë ‘terroristi’

13.02.2019 - 16:05

Policia e Vlorës ka arrestuar ditën e sotme, një shtetas kosovar i cili ishte shpallur në kërkim për pjesëmarrje në grupe terroriste.

32 vjeçari tentoi të kalonte kufirin shqiptar me dokument të falsifikuar por nuk mundi t’i shpëtonte dot policisë.

Drejtoria Vendore e Policisë Kufitare Vlorë ka bërë  të mundur kapjen e këtij shtetasi pas verifikimeve të bëra në zyrën Qendrore Kombëtare Interpol Tirana.

Për shtetasin me iniciale F.D, banues në Kosovë, Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar urdhrin e kërkimit më datë 26.01.2018 për vendosjen e masës së sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, ky shtetas tentoi të dalë nga Republika e Shqipërisë, duke përdorur pasaportë të falsifikuar maqedonase të lëshuar në 2018.