“L’eterno femminino”, ekspozita e çelur pranë rezidencës së ambasadës italiane në Tiranë, një qasje e përfaqësimit të gruas shqiptare, nga shekulli XX deri në ditët tona.
“Femërorja e përjetshme” , me kurator Artan Shabanin, është përfaqësimi i disa artistëve shqiptarë, si dëshmues të kësaj periudhe kohore.
Ekspozita ka mbledhur artistë që i përkasin brezave të ndryshëm, prej nga koha e vetizolimit deri në mundësitë e panumërta të ditëve aktuale.
“L’eternel femminino” është pjesë projektit më gjithpërfshirës që ambasada italiane në Tiranë, ndërmerr në funksion të promovimit të barazisë gjinore, si dhe luftës kundër dhunës dhe të gjitha formave të saj ndaj gruas, një problem që nuk haset vetëm në shoqërinë shqiptare.
Dhuna ndaj gruas dhe format sesi duhet trajtuar, mbetet një çështje dhe temë e trajtuar hollësisht në këndvështrimin dhe krijimtarinë artistike.
Ekspozita, që do të vijojë për të gjithë artdashësit, në të njëjtën kohë do të mirëpresë edhe takime të hapura me studiues.
Kuratori Artan Shabani, është shprehur më shumë për këtë ekspozitë.
“Kjo ekspozitë është konceptuar si një bashkësi qelizash, ku secila mban dhe përfaqëson një artist apo artiste. Secili prej artistëve pjesëmarrës ka për të treguar periudhën e vet, secili ka teknikën dhe zhanrin e vet artistik.
Nëse kthehemi në vitet ’20-të, ato karakterizohen nga mënyra specifike e dialogut apo shprehjes politike. Ndryshe mund të flitet për vitet ’40-të dhe më vonë, me artin e angazhuar që i përket periudhës së realizmit socialist.
Pas viteve ’60-të dhe deri në fund të viteve ’80-të, në Shqipëri, femrës i ngarkohet një rol; ajo shihet si vullnetare nëpër aksione dhe edukohej nëpërmjet punës.
Pra, shkurtimisht, kjo është koha kur gruaja shqiptare shihet dhe konsiderohet si tornitore, brigadiere dhe të tjera të kësaj natyre. Si e tillë, kjo periudhë nuk ka sesi të mos prezantohej në këtë ekspozitë me shtrirje të gjatë në kohë.
Kemi kështu, një tablo plot nuanca nga artistët pjesëmarrës, të cilët prezantojnë për publikun e gjerë, ditët dhe jetën e gruas shqiptare, nga shekulli i kaluar e deri më sot. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 30 prill.