MENU
klinika

Dramaturgjia shqiptare

Ben Apolloni shfaq ‘Dashuritë e virgjëreshës Madalenë’

04.02.2019 - 11:27

Në teatrin Dodona të qytetit të Prishtinës do të shfaqet premierë më datë 4-5 shkurt monodrama “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë”. Autori i kësaj monodramë është shkrimtari i njohur shqiptar Ridvan Dibra, autor i 20 librave prozë dhe i shumë çmimeve në Shqipëri sa dhe një nga autorët më të mirë shqiptarë në letërsi.

‘’Dashuritë e virgjëreshës Madalenë’’ vjen dhe bëhet monodramë nga libri i autorit me të njëjtin titull që e ka promovuar në vitin 2018 nga shtëpia botuese ‘’Onufri’’.

Kjo vepër do të hyjë në skenë nga skenaristi dhe regjizori Ben Apolloni kurse në rolin e monologut të aktores së vetme është aktorja Arjola Demiri. Një aktore që ka performuar në rolin e ‘Xhbanes’ në serialin ‘’O sa mirë’’ në 2013, ‘’Klithma’’ 2018.

Muzika do të vijë nga Memli Kelmendi dhe me Kostumografi të Valdete Musta. Grimiere Nora Rrahmani dhe Dizajner i dritave, Skënder Latifi.

Regjizori ka dëshirë të luajë me ironinë e jetës së përditshme dhe do ta frymëzojë publikun e sallës dhe të përshkruajë të gjithin me ndjenja.

 

Shfaqja është një dramë që vë në qendër femrën dhe më shumë se të virgjërinë e saj përballë dashurisë. Që në titull ajo ka intrigë dhe provokon sa edhe ndjell një krijimtari të pasur të autorit Ridvan Dibra.

Regjizori sjell në mendje rolin e femrës si në shoqëri dhe në ndjenjat e saj personale, shtypjen e opinionit publik dhe ofendimet që ndjen kjo lloj femre në jetën e saj.

Tabuja e virgjërisë së femrës te të gjithë shqiptarët është shumë e fortë. Ajo është një nga ndrydhjet më të mëdha që përcjell në mënyrën se si gatuhen personalitetet shoqërore dhe si riorientohet një shoqëri me vlerat e saj. Për absurd femra duhet të jetë jo e tillë në dramë. Megjithatë, sa është dhe nuk është e tillë ajo ngelet përsëri ndalesë, një tabu që nuk do shkelur dhe orienton personalitetin e njerëzve.

Me anë të një organi njerëzor krijohen sa neuroza gjithfarëshe deri tek manitë gjithfarëshe, obsesionet apo devijimet shoqërore. Femra me një lartësim të virgjërisë së saj kalon nëpërmjet nderit dhe moralit të saj.

Kjo dramë, sa delikate dhe aq aktuale në mendësinë e një opinion të gjerë shoqëror dëshiron të përcjellë thyerjen e tabuve meskine, e një shoqërie të prapambetur që varet pas një elementi të tejkaluar duke hedhur poshtë atë që femra ka më shumë, të qenit grua, njeri, të qenit individ dhe personalitet në jetë që do respektuar.

kolana e librave

Jo rrallë herë kohët e fundit po shikojmë dhe tragjedi të shumta në lidhje me këtë lloj ndrydhje. Drama mundohet ta zbërthejë këtë zhvirgjërim të mendimit, të futet në ato probleme ekzistenciale që ka gruaja në jetën e saj. Me anë të monologut drama mundohet të përcjellë lot sa dhe gjak, brengë sa dhe pendime, të nxjerrë në pah dramën jo vetëm të femrës, të emancipojë jo vetëm publikun, dhe të mirëorientojë jo vetëm brezin e rritur.

Kjo tabu mundohet të deshifrohet sa të shkërmoqet nga fillimi deri në fund të dramës. Aty ku femra është në qendër dhe në rolin më të madh të jetës të saj, në rolin e saj parësor, të qënit njeri.

Subjekti i romanit

Në qendër të veprës është fati i një femre me emrin Madalenë, përqendruar në tri periudha të rëndësishme e vendimtare të jetës së saj: në moshat 15, 25 e 40 vjeçe, ku përcaktuese bëhet sidomos etapa e parë, ajo e adoleshencës.

Shqetësimi i saj kryesor bëhet humbja e virgjërisë. Këtu fillon dhe drama e saj, Madalena nuk e vuan virgjërinë si fakt në vetvete, por sepse në grupin e saj prej pesë shoqesh vetëm ajo deklarohet e virgjër.

Virgjëria e saj vjen tallëse te grupi shoqëror, ajo tallet e përbuzet vazhdimisht nga shoqet e saj,  ia bëjnë ferr ekzistencën. Në rrethana të tilla ajo vendos të kërkojë ndihmë. Ndihmë që nuk ka ku ta marrë sepse institucionet janë në krizë, familja, shkolla, shoqëria që duhet ta orientonin jetën e saj janë për t’u orientuar për vete, ato janë në udhëkryq.

Madalena vendos një ditë fatin e saj ekstrem që të zhvirgjërohet! Krejt pa dëshirën e saj. Në rastin më të parë që do t’i krijohet. Të zhvirgjërojë sinqeritetin e saj për t’u bërë hipokrite, për t’u përshtatur me shoqërinë, një rol që ajo se do por i është ngjitur, një rol që e bën të afrohet me jetën e shtirur, me jetën e saj të gënjyer, me atë që ajo nuk e do, kjo është loja e saj ekzistenciale dhe qenësore.

Po ku? Ja ta kryejë aktin tek banjat e pista të shkollës së saj. Kështu, ajo që duhej të ishte përvoja e parë, e bukur dhe e papërsëritshme në jetën e kësaj adoleshenteje 15 vjeçare, kthehet në një akt mekanik, banal e vulgar.  Ajo bën atë që nuk do të bëjë, krijohet sipas shembëlltyrës së asaj që urren, ajo kundër vetvetes. Ajo në kontradiksion. Këtu ka grotesk, absurd, tragjekomedi, një Magdalenë kundër Magdalenës. Magdalena më në fund e plotësuar në absurd.

Fati i një Magdalene dhe i gjithë Magdalenave nën thundrën e opinionit dhe të tabuve gjithfarëshe që orientojnë në absurd jetën e tyre.

Mos mungoni në datën 4-5 shkurt në orën 19: 30, në Teatrin Dodona!

nga Eugent Kllapi