MENU
klinika

Albert Çaçi

Berlini braktis F-35

08.02.2019 - 13:29

Një  vendim i ditëve të fundit i qeverisë gjermane mund të ketë konseguenca jo të vogla, politike, strategjike dhe tregtare në marrëdhëniet me SHBA, që edhe pa këtë janë të tensionuara.

Bëhet fjalë për heqjen dorë përfundimisht nga blerja e 90 avionëve F-35, me një kosto rreth 10 miliard dollarë.

Gjermania, në kushtet edhe të një riarmatosje që po ia kërkojnë me ngulm edhe vetë SHBA në kuadër të NATO-s, ka miratuar një plan për zëvendësimin e shumë armatimeve që tashmë janë kthyer në obsolete. Shumica e armatimit të Bundeswherit janë që nga Lufta e Ftohtë, duke filluar që nga tanket Leopard-2, e deri tek avionët luftarake Tornado, që janë në aktivitet që nga vitet 80.

Në qoftë se Gjermania do të zbatojë detyrimet që ka ndaj NATO-s, duhet të shpenzojë gati 2% të GDP për mbrojtjen, që kap një shifër mbi 70 miliard dollarë, që i afrohet  buxhetit të mbrojtjes të Rusisë.

Një shpenzim i tillë shikohet me shume skepticizëm nga shumë vende, pasi revokon kujtime të hidhura historike.

Me një fuqi të tillë ekonomike (3,67 miliard GDP), dhe me një shpenzim ushtarak vjetor mbi 70 miliard dollarë, Gjermania bëhet një potencë që jo pak e kanë frikë, pasi ndyshojnë shumë ekuilibra.

Sidoqoftë, vendimi i qeverisë gjermane ka edhe një element tjetër. Jo vetëm që nuk marrin F-35, por vendosin të drejtohen drejt Eurofighter, një avion gjuajtës i gjeneratës së  4++(F-35 është i gjeneratës 5 stealth), që është një kooperin europian dhe ku Daimler Aerospace gjermane merr pjesë me 21 %.

Pra, mbas traktatit franko- gjerman  të Aquisgranës më 22 janar, ky është vendimi i parë që tregon se aksi franko-gjerman tashmë ka vendosur të ndjekë një rrugë tjetër, atë të forcimit të industrisë europiane të armatimit, duke sfiduar konkurrencën e SHBA.

Në fakt në Washington Traktati i Aquisgranës u prit me shumë ftohtësi; dhe mbas këtij vendimi të fundit; Trump po shikon mundësinë e një reagimi të ashpër ndaj Gjermanisë.

Nuk është vetëm ky veprim i Gjermanisë që po irriton Washingtonin. Janë edhe dy pozicione te tjera ku Gjermania po sfidon SHBA:

Së pari, është vazhdimi me vendosmëri i ndërtimit të gazsjellësit Nord-Stream 2 (që së bashku me Nord Stream 1 do të sjellin 70% të eksportit të gazit rus në Europë).

Megjithëse Trump ka kërcënuar me sanksione, Gjermania ja ka bërë të qartë se për sigurinë e saj energjetike nuk do të pyesë askënd, qofshin këta miq apo aleatë.

Së dyti, është pozicioni ndaj Iranit, ku SHBA po kërkon një rreshtim të të gjithë Perëndimit në një embargo totale ndaj tij. Por Europa me Gjermaninë në krye nuk po pranon dhe po ndërton një sistem pagesash alternative ndaj SWIFT, për të vazhduar tregtinë me Iranin, duke shmangur dollarin.

Vendimi i fundit për braktisjen e  F-35  tregon qartë se nuk janë veprime të shkëputura, por siç duket, Gjermania  e ka të qartë se politika e Trump që ka kaluar tashmë nga “America First” në “Only America” nuk po përputhet me interesat e saj. Ajo tashmë synon që në një aleancë të ngushtë  me Francën, të udhëheqin gjithë Europën drejt një lloj pavarësie, për të mbrojtur interesat e tyre .

Si do të reagojë tashmë Washingtoni ?

Për momentin, Pentagoni ia ka bërë të qartë Bundeswherit se Gjermania ka detyrime të firmosura, që për shkak të pozicionit të saj strategjik në kuadër të NATO-s, avionët e saj duhet të jenë në gjendje të transportojne bombat e reja bërthamore taktike amerikane deri në 5 kiloton W76-2.

Avionet Eurofighter nuk janë të projektuar për këtë lloj armatimi, dhe SHBA nuk mund të japin autorizimet për përdorimin e këtyre, dhe kështu Gjermania do të rezultojë me  shkelje me angazhimet që ka marrë në kuadër të NATO-s.

Por ndoshta Gjermania këtë kërkon. Siç duket, ajo nuk dëshiron që territori i saj të bëhet objektiv i një goditje atomike, tashmë që SHBA u larguan nga Traktati INF dhe një garë e ethshme bërthamore po duket në horizont.

Gjermania e ka bërë të qartë se është kundër vendosjes së raketave të reja bërthamore me rreze të mesme veprimi në territorrin e saj.

Nga ana tjetër, Gjermania synon që bashkëpunimi me Francën të rritet deri në përdorimin e përbashkët të arsenalit bërthamor francez.

Në Gjermani janë koshient për irritimin iminent të SHBA dhe po diskutojnë që të blejnë edhe një parti avionësh F-18 Super-Hornet, për të zbutur një reagim virulent të Washingtonit; megjithëse kjo do të sjellë rritje shpenzimesh për të mbajtur dy lloj avionësh njëkohësisht.

Por tashmë Trump mund të hidhet në sulm. Dhe ai ka disa karta për të luajtur.

Së pari, mund të vendosë sanksione ndaj kompanive gjermane që marrin pjesë në ndërtimin e gazsjellësit Nord-Stream 2, dhe kjo do të ishte për herë të parë që tu vendosen sanksione kompanive gjermane.

Dhe së dyti, mund ta godasë Gjermaninë atje ku i dhemb më shumë, të taksojë eksportin e industrisë automobilistike gjermane drejt SHBA.

Bilanci i shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve ka arritur në 164 miliard, me një surplus gjerman  prej 65 (114-49) miliard dollarë për vitin e shkuar. Vetëm industria automobilistike gjermane ka një surplus 12 miliard dollarë në vit.

Për Gjermanianë tregu amerikan është tregu më i rëndësishëm dhe më i pasur për produktet e tyre cilësore.

Trump synon të vendosë taksa doganore deri në 30% për produktet europiane, sidomos të prodhimit të makinave BMW, BENZ, VW  si dhe industrisë kimike dhe mekanike, dhe kjo do të ketë pasoja shumë të rënda për marrëdhëniet në të dy krahët e Atlantikut.

Një gjë tashmë është e qartë, që në Traktatin e ri të Aquisgranës Gjermania dhe Franca kanë vendosur të ndjekin një politike të re ekonomike dhe ushtarake që padyshim, në shumë pika do të hyjë në konflikt me politikën e Washingtonin dhe padyshim që do të reagojë.

Dhe dihet tashmë nga të gjithë se Trump nuk ka dorë të lehtë kur reagon…