MENU
klinika

Embrione

Binjakë gjysmëidentikë që trondisin themelet e shkencës

28.02.2019 - 19:55

Mjekët kanë dokumentuar rastin e dytë të njohur në botë të binjakëve gjysmëidentikë. Djali dhe vajza, që tani janë 4 vjeç, nga Brisbane në Australi, janë identikë nga ana e së ëmës.

Por, ata ndajnë vetëm një pjesë të ADN-së së të atit, gjë që i vendos ata gjenetikisht diku mes binjakëve identikë dhe atyre jo identikë.

Ekspertët thonë se fenomeni është jashtëzakonisht i rrallë, pasi embrione të tilla nuk mbijetojnë. Nëna ishte 28 vjeç në kohën kur kishte mbetur shtatzënë. Ekoja me ultratinguj në javën e 6 të shtatzënisë kishte treguar një placentë të vetme dhe pozicionim të hapësirave amniotike, që tregonin se ajo priste binjakë identikë.

Por, një tjetër eko në javën e 14 tregoi se binjakët ishin mashkull dhe femër, gjë që nuk është e mundur për binjakët identikë, që lindin kur një vezë e vetme, e fertilizuar nga një spermatozoid, ndahet dhe krijon dy bebe që janë të të njëjtit seks dhe ndajnë të njëjtat gjene.

Binjakë joidentikë kemi atëherë kur dy vezë të ndara fertilizohen, secila nga një spermatozoid i ndryshëm dhe zhvillohen në të njëjtën kohë. Këta të fundit mund të kenë sekse të ndryshme dhe nuk kanë shumë ngjashmëri, pavarësisht se kanë lindur bashkë.

Në rastin e binjakëve gjysmëidentikë, veza mendohet të jetë fertilizuar në të njëjtën kohë nga dy spermatozoidë, para se të ndahej. Nëse një vezë fertilizohet nga dy spermatozoidë, atëherë kemi 3 kromozome dhe jo dy, siç ndodh normalisht, një nga nëna dhe dy nga babai. E sipas kërkuesve, 3 kromozomet zakonisht nuk përputhen me jetën dhe embrionet nuk mbijetojnë.