MENU
klinika

Të dhënat nga INSTAT

Çfarë ndodhi me eksportet dhe deficitin tregtar në janar?

18.02.2019 - 14:46

Viti 2019 ka nisur me rënie të këmbimeve tregtare të vendit. Instituti i Statistikave bën të ditur se gjatë janarit eksportet shqiptare ranë me 7.3% kundrejt janarit të vitit të kaluar.

Eksportet pësuan rënie për të tre grupmallrat kryesorë, tekstile dhe këpucë, minerale, lëndë djegëse energji, dhe materiale ndërtimi e metale. Këta tre grupmallra përbëjnë pothuajse 75% të gjithë eksporteve shqiptare dhe rënia e njëkohshme e tyre ka dhënë një efekt të pashmangshëm negative.

Rënia e eksporteve ishte pjesërisht e pritshme, të paktën në pjesën që lidhet me energjinë elektrike. Vitin e kaluar, eksportet e energjisë u mbështetën nga kushtet shumë të favorshme hidrike, por këtë vit gjasat që i njëjti prodhim të përsëritet duken të pakta.

Besohet se ky faktor do të ketë një lloj ndikimi në ecurinë e eksporteve, të paktën në gjysmën e parë të vitit.

Megjithatë, pavarësisht rënies së eksporteve, deficiti tregtar i vendit u përmirësua. Gjatë janarit, ai ra 5.2% me bazë vjetore, për një vlerë prej rreth 20 miliardë lekësh.

Ngushtimi i deficitit erdhi falë rënies së ndjeshme edhe të importeve. Gjatë janarit, Shqipëria importoi mallra në vlerën e 42 miliardë lekëve, 6.3% më pak krahasuar me një vit më parë.

Importet pësuan rënie për të gjithë grupmallrat, me përjashtim të ushqimeve, ku u regjistrua një rritje e lehtë.