MENU
klinika

Provokimi

Daçiç: S’ka INTERPOL e UNESCO për Kosovën!

21.02.2019 - 12:50

Në kohën kur mbi Kosovën sa vjen e shtohen presionet për heqjen e taksës 100%, të vendosur mallrave serbe, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç lëshon provokimin e radhës me deklaratën se Beogradi do ta kundërshtojë përsëri aplikimin e Kosovës në INTERPOL.

Ishte pikërisht bllokimi që iu bë anëtarësimit të Kosovës në organizatën ndërkombëtare të policisë kriminale, ai që i vuri kapakun durimit të qeverisë kosovare dhe nxiti vendosjen e tarifës ekstreme, si ndëshkim ndaj përpjekjeve të vazhdueshme të Serbisë për t’i nxjerrë pengesa shtetit të ri.

Daçiç tha se Kosova ka kandiduar sërish për të qenë anëtare e INTERPOL-it dhe se mund të aplikojë edhe në UNESCO, e për këtë arsye Serbia – sipas tij, – po përgatitet për luftë, ndërsa Kosova edhe një herë do të humbasë.

“Nuk e kuptoj nevojën e Kosovës për akte të tilla vetëvrasëse. Do të humbasë me një rezultat edhe më të keq”, tha kryediplomati serb, pas takimit me ministrin e Jashtëm të Burundit, Ezechiel Nibigira.

Përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL datojnë që nga viti 2010, por asokohe Komiteti Ekzekutiv nuk e mori fare parasysh kërkesën e parashtruar nga Prishtina zyrtare.