MENU
klinika

“Çdo histori dashurie është një histori fantazmash"

Wallace “mbreti i zbehtë” i letërsisë amerikane

21.02.2019 - 16:17

David Foster Wallace është një shkrimtar shumëdimensional, meriton të nderohet, një kolos i letërsisë amerikane.

Një shkrimtar gjenial, por fatkeq, mbështjellë tashmë me aureolën e mitit. I lidhur me postmodernizmin, ai ndikoi një brez të tërë autorësh anglishtfolës prej Zadie Smith tek Jonathan Franzen. Wallace e hetoi jetën në të gjitha papërsosmëritë e saj (varësia, marrëdhëniet familjare, trishtimi, identiteti, etj.), por gjithashtu prirej edhe në subjekte “të lehta” siç janë kinema dhe industria argëtuese, apo tenisi. Nga ana tjetër historia ia shpërbleu ndershmërinë dhe sinqeritetin e shkrimit. Një nga temat që David Foster Wallace trajton me shumë pasion është ajo e solipsizmit, pamundësia e shndërrimit të intersubjektivitetit në subjektivitetin e tij. Një pamundësi komunikimi që rëndon gjithnjë e më shumë vetminë e njeriut.

David Foster Wallace lindi më 21 shkurt 1962, në Ithaca, një qytet 400 kilometra nga Nju Jorku, në familjen e çiftit James Donald Wallace dhe Sally Jean Foster. David e kaloi fëmijërinë në Champaign, Ilinois, më pas u zhvendos në Urbana, ku frenkuentoi shkollën Yankee Ridge. U regjistrua në kolegjin Amherst, Masaçuset, të njëjtin universitet që kishte ndjekur edhe i ati. Siç rrëfen vetë autori: “në ato vite ai gjendej në krizën e ekzistencës së të njëzetave”.

David Foster Wallace-konica.al

I la për një sesmestët studimet dhe u kthye në shtëpi, kohë kur i bie në dorë një histori e shkrimtarit postmodern Donald Barthelme: “Tullumbacja”. Përvoja e leximit qe aq e magjishme, saqë i nxiti dëshirën për të shkruar edhe ai vetë.

Në vitin 1985, në moshën 23 vjeçare, u diplomua për letërsi dhe filozofi angleze, me specializim në logjikën modale dhe matematikë, kurse teza e filozofisë në logjikën modale: “Fatalizmi i Richard Taylor dhe semantika e modalitetit fizik” u nderua me çmimin prestigjoz të Gail Kennedy Memorial. Në vitin 1987, botoi romanin e tij të parë: “Fshesa e sistemit”, i cili u prit me entuziazëm nga kritikët. Më pas u thirr në Harvard dhe zhvendoset në Boston, ku regjistrohet në semestrin e parë të kursit të filozofisë, por në fund të vitit 1989 detyrohet të largohet, duke u shtruar në klinikën psikiatrike të McLean.

Përgjatë viteve ’90 ai dha shkrim krijues në Universitetin Shtetëror të Ilinoisit, kurse në vitin 2002 u bë profesor i shkrimit kreativ dhe letërsisë angleze në Kolegjin Pomona të Kalifornisë
Pas romanit “Fshesa e sistemit”, Foster Wallace botoi esenë “Repi shpjeguar për të bardhët”, shkruar me ish-shokun e kolegjit Mark Costello, si dhe përmbledhjen me histori të shkurta “Vajza me flokë të çuditshëm”. Shkrimtari i ri amerikan pati një sukses të jashtëzakonshëm, madje nuk janë të paktë ata që e afrojnë emrin e tij bri mjeshtrave postmodernë të tillë, si De Lillo, Pynchon dhe Barth.

David Foster Wallace-konica.al

Në fjalët e tij takon një baraspeshim të harmonishëm midis komikes dhe intelektualizmit, surrealitetit dhe hiperrealizmit, ironisë dhe emocionit të vërtetë.

Wallace u bë i njohur me romanin e dytë: “Infinite Jest” (“Shakaja e fundit”) (1996), një roman masiv, shumëstrukturësh që e shkroi në një hark kohor katërvjeçar. Në roman bie në sy një kastë e gjerë karakteresh postmoderne, që variojnë nga alkoolistët e rikuperuar dhe shtetasit e huaj tek rezidentët e një shtëpie në gjysmërrugë dhe yjeve të tenisit në shkollën e mesme.

Prezantimi i një vizioni futurist të një bote në të cilën reklamimi është bërë i gjithëpranishëm dhe popullsia është e varur nga konsumizmi. “Infinite Jest” ishte puna e parë e Wallace, ku shfaqet veçantia e gjenisë së tij artistike: përdorimi i jashtëzakonshëm i shënimeve, të cilat nënkuptojnë përpjekjen e Wallace për të riprodhuar jolinearitetin e mendimit njerëzor në faqe.

David Foster Wallace-konica.al

Të shkuarit për Foster Wallace ishte shumë më tepër sesa një punë. Koleksioni i fundit që pa dritën e botimit ishte “Harresa”, ndërsa muajt e fundit, para se t’i jepte fund jetës, punoi me “Mbreti i zbehtë”, një roman i papërfunduar. Më 12 shtator 2008 David Foster Wallace u gjend i pajetë në shtëpinë e tij nga e shoqja Karen Green, duke lënë pas një boshllëk të pakalueshëm në literaturën botërore.

“Mendoj se jam një nga më të arritshmit, thjesht sepse kur punoj përpiqem ta bëj sa më të thjeshtë të jetë e mundur, në vend që të përpiqem ta bëj sa më të komplikuar që të jetë e mundur” – shprehet Wallace.