MENU
klinika

15 mld lekë për janarin

Depozitat vijojnë rritjen

28.02.2019 - 14:25

Depozitat bankare u rritën ndjeshëm gjatë janarit dhe u rikthyen sipër pragut të 1 trilion lekëve. Sipas Bankës së Shqipërisë, ato arritën në 1 trilion e tre miliardë lekë ose rreth tetë miliardë euro.

Depozitat u rritën me afro 15 miliardë lekë krahasuar me dhjetorin. Totali i depozitave është sot më i lartë edhe në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me rreth dy miliardë lekë më shumë.

Rritja vazhdon të udhëhiqet sidomos nga depozitat në valutë. E konvertuar në lekë, vlera e tyre në fund të janarit ishte afro 543 miliardë lekë, ose 11 miliardë lekë më shumë krahasuar me dhjetorin.

Në veçanti, depozitat në euro arritën vlerën rekord të 4.12 miliardë eurove. Depozitat në valutë përbëjnë tashmë 54% të totalit. Duket se shqiptarët vazhdojnë t’i besojnë më shumë euros për mbajtjen e kursimeve të tyre, pavarësisht zhvlerësimit të saj në kursin e këmbimit me lekun në vitet e fundit.

Megjithatë, rritja e depozitave në euro ka ardhur edhe nga llogaritë e biznesit, çka mund të lidhet si me shtimin e likuiditeteve të lira në dispozicion, ashtu edhe me hyrjen e kapitaleve të reja për investime nga jashtë.

Ndërkohë, depozitat në monedhën vendase u rritën me katër miliardë lekë gjatë janarit, por ngelen më pak krahasuar me një vit më parë. Ato kanë vlerën e 460 miliardë lekëve, ose rreth 46% e totalit.