MENU
klinika

La Liga, Java 22

Dopieta e Messit i jep Barçës vetëm 1 pikë

02.02.2019 - 20:33

Barcelona është ndalur në javën e 22-të të La Liga-s, në barazimin 2-2 në “Camp Nou”, ndaj Valencias. Një pikë nuk mund të hidhet poshtë, pasi vendasit ishin në 2 gola disavantazh.

Skuadra katalanase e nisi shumë keq ndeshjen, teksa miqtë kanë kaluar në avantazh të dyfishtë gjatë pjesës së parë. Ishin golat e Gamiero dhe Parejo (24’ dhe 32’) që i vështirësuan goxha punën vendasve, po fatmirësisht kanë Lionel Messi-n.

Argjentinasi ka shënuar penalltinë e 50-të në La Liga, i treti pas Cristiano Ronaldo-s (61) dhe Hugo Sanchez (56),  në pjesën e parë dhe golin e dytë në minutën e 64’.

Kishte kohë mjaftueshëm për golin e fitores nga të dy krahët, por sfida nuk kishte fitues dhe Barça duhet të kënaqet me një pikë. Messi ka shënuar gol në nëntë ndeshjet e fundit në të gjithë kompeticionet (11 gola), ecuria më e mirë që prej janarit të 2013.