MENU
klinika

'Viti i marrëveshjes'

Dy ambasadorët e SHBA thirrje Kosovës e Serbisë

09.02.2019 - 09:15

Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë Philip S. Kosnett dhe ambasadori i SHBA-së në Beograd Kyle Scott kanë kërkuar që viti 2019 të jetë vit i marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë, mirëpo sipas analistëve kjo gjë është vështirë e arritshme.

Kërkesa e dy ambasadorëve të SHBA-së, ai në Prishtinë Philip S. Kosnett dhe ai në Beograd Kyle Scott, që marrëveshja mes Kosovës e Serbisë të arrihet gjatë vitit 2019 po shihet si vështirë e realizueshme, për shkak të taksës 100% që ka vendosur Kosova ndaj produkteve serbe e boshnjake, si dhe për shkak të lobimit të vazhdueshëm serb kundër shtetësisë së Kosovës.

Philip-Kosnett-dhe-Kyle-Scott-konica.al

Ambasadori Kosnett dhe ambasadori Scott duke e përdorur si shembull konfliktin mes Athinës dhe Shkupit kërkuan nga Prishtina e Beogradi që sa më parë të arrijnë një marrëveshje në të mirë të të dyja vendeve. Për të arritur këtë marrëveshje dy ambasadorët i propozuan Kosovës ta heqë taksën ndaj produkteve serbe dhe Serbisë i kërkuan ndaljen e propagandës kundër shtetësisë së Kosovës.

“Është koha që Kosova ta pezullojë taksën, Serbia të përgjigjet në mënyrë konstruktive që të marrin fund provokimet nga të dyja anët, Beogradi dhe Prishtina t’i kthehen dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe të dyja palët ta përqafojnë paqen guximshëm. Nëse e bëni këtë jemi optimistë se mund të arrini një marrëveshje historike për normalizim më 2019-n”, thuhet në një editorial që dy ambasadorët kanë shkruar.

Editoriali i plotë:

Guximi dhe kreativiteti i udhëheqësve në Athinë dhe në Shkup për ta zgjidhur mospajtimin, i cili zgjati me dekada, do të duhej t’i frymëzonte të gjithë në rajon. Si ambasadorë të SHBA-së në Beograd dhe në Prishtinë jemi të bindur se udhëheqja politike e matur e vizionare mund të çojë te një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, marrëveshje që në thelb e ka njohjen e ndërsjellë. Kjo e arritur do të vinte themelin për të ardhme më paqësore dhe më të begatshme për të gjithë popujt në këtë rajon.

Për këtë arsye sot bëjmë thirrje: është koha që Kosova ta pezullojë taksën, Serbia të përgjigjet në mënyrë konstruktive, që të marrin fund provokimet nga të dyja anët, Beogradi dhe Prishtina t’i kthehen dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe të dyja palët ta përqafojnë paqen guximshëm. Nëse e bëni këtë, jemi optimistë se mund të arrini një marrëveshje historike për normalizim më 2019-n.

E keni mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’ju ndihmuar që të keni sukses dhe të ndërtoni besimin e nevojshëm për ta ndërtuar dhe për ta zbatuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Para ca kohësh presidenti Trump u shkroi udhëheqësve, atij të Serbisë dhe atij të Kosovës, për t’i nxitur të dyja vendet “për ta shfrytëzuar këtë çast dhe për të treguar udhëheqje politike në marrjen e vendimeve që i marrin parasysh interesat e të dyja vendeve”. Presidenti Trump shtoi: “Do të ishte jashtëzakonisht për të ardhur keq nëse nuk shfrytëzohet kjo mundësi unike për paqe, për siguri dhe për rritje ekonomike”. Presidenti Trump ishte po aq i qartë edhe në fjalimin e tij gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara: udhëheqësit e përgjegjshëm e kanë për detyrë t’u shërbejnë qytetarëve të tyre.

Ne besojmë se një marrëveshje është e mundshme dhe shpresojmë të festojmë bashkë me ju, ashtu siç e festojmë guximin e prijësve grekë dhe maqedonas. Në fakt, presidenti Trump tashmë ka ftuar presidentin Vuçiq dhe presidentin Thaçi në Shtëpinë e Bardhë për të shënuar këtë të arritur sapo të ndodhë. Shtetet e Bashkuara nuk e caktojnë dhe nuk do të caktojnë se si duhet të duket zgjidhja, por besojnë se duhet të jetë e zbatueshme në Kosovë dhe në Serbi dhe duhet t’i kontribuojë stabilitetit afatgjatë të rajonit. U takon prijësve dhe ekipeve të tyre për t’i rifilluar bisedimet që udhëhiqen nga BE-ja për të hulumtuar çka është e mundshme dhe për të komunikuar në mënyrë të hapur me qytetarët e tyre – për të siguruar se negociatat pasqyrojnë vullnetin e popullit dhe për t’u ndihmuar për të tejkaluar ankthin dhe dyshimin.

E kuptojmë se kjo nuk është e lehtë. Nuk jemi të verbër përpara ngjarjeve historike dhe tensioneve të vazhdueshme që kanë sjellë te mosbesimi dhe keqkuptimi që e rëndojnë marrëdhënien. Për këtë arsye, çfarëdo marrëveshje duhet të jetë e gjerë dhe e leverdishme për të dyja anët, për t’u dhënë të dyja vendeve, Kosovës dhe Serbisë, hise në suksesin e saj. Kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara për të punuar me Serbinë dhe me Kosovën për të siguruar që të dyja anët në mënyrë efektive ta ndërtojnë dhe ta zbatojnë një marrëveshje të qëndrueshme. Hapat e kohëve të fundit të ndërmarrë si nga Beogradi, po ashtu edhe nga Prishtina që ngrenë tensionet duhet të ndalen nëse do të ketë ndonjë shpresë për të mundësuar paqe, mbarësi dhe drejtësi të përhershme në rajon. Nëse të dyja anët dështojnë për ta shfrytëzuar këtë mundësi rrezikoni ta humbisni mundësinë më të mirë në një brez.

Status quo-ja ka shkaktuar ngecje të përparimit ekonomik dhe politik në të dyja vendet, si dhe ka bërë që profesionistët e të rinjtë ta kërkojnë të ardhmen e tyre në vende më të qëndrueshme me ekonomi më dinamike. Në vend të tyre po zënë rrënjë krimi i organizuar, korrupsioni dhe elementet e tjerë ekstremistë, duke kërcënuar sigurinë në rajon dhe në Evropë.

Asnjëri vend nuk përfiton nga obstruksionizmi dhe vonesat e vazhdueshme. Qytetarët e Serbisë dhe të Kosovës meritojnë të ardhme ku fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve të njohin paqen e mbarësinë dhe jo konfliktin e vështirësitë ekonomike.

Një marrëveshje kompromisi, e qëndrueshme dhe e zbatueshme është në interes të të dyja vendeve. Stabiliteti dhe mbarësia afatgjate e Kosovës dhe e Serbisë varen në kthimin te dialogu, i udhëhequr nga BE-ja dhe guximin për të tejkaluar të kaluarën dhe për të ndërtuar të ardhmen e përbashkët së bashku. Nëse Serbia dhe Kosova janë të gatshme për t’u nisur në këtë shtegtim, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të qëndrojnë përkrah jush në çdo hap të rrugës.