MENU
klinika

Kupa e Italisë

Eliminohet Inter, Strakosha kualifikon Lazion

01.02.2019 - 00:01

Përcaktohet edhe gjysmëfinalisti i katërt i Kupës së Italisë. Lazio është kualifikuar vetëm pas penalltive në kohën shtesë, ku Thomas Strakosha është bërë hero. Koha e rregullt Inter-Lazio  përfundoi 0-0 në “San Siro”, ndërsa shtesa 1-1.

Ndryshe nga ndeshjet e tjera çerekfinale të Kupës së Italisë, që prodhuan shumë gola, e fundit mes Interit dhe Lazios nuk ka prodhuar asnjë gol për 90 minuta.

Si pjesa e parë, ashtu edhe e dyta, është luajtur me shumë kujdes, tipike e skuadrave italiane, që kujdesen më shumë për të mos pësuar. Vendasit kanë qenë më kërkues, ndërsa miqtë nuk kanë ndëshkuar dot në kundërsulm.

Kështu që është dashur koha shtesë për të vendosur gjysmëfinalistin e fundit. Shtesa e parë sërish nuk ka prodhuar gol, për të ardhur në minutën e 108-të, të tretën të shtesës së dytë, kur Immobile shënon gol për Lazion.

Lazio mbrohet fort, Thomas Strakosha është në formë dhe nuk lejon të ndëshkohet. Në stol për Lazion ka qenë edhe 18-vjecari shqiptar Sergio Kalaj, pjesë e Kombëtares u-19.

Fundi i ndeshjes është dramatic. Në minutën e 123-të, pra të 3 minutave shtesë mbi shtesën, Icardi shënon golin e barazimit, me një penallti të kontestuar nga miqtë. Ndërsa Lazio mbetet me 10 lojtarë, pasi Radu merr të kuq.


Fituesi do të vendosej me penallti. Thomas Strakosha pret dy penallti, atë të Martinez dhe Nainggolan, ndërsa për Lazion humb shqiptari Durmishi. Lazion arrin të kualifikohet falë portierit shqiptar, teksa në gjysmëfinale do të ndeshet me Milanin (vajtje-ardhje), ndërsa dueli tjetër është Fiorentina-Atalanta.