MENU
klinika

Faza e 1/16 finale

Europa League me surpriza në sfidat e para

14.02.2019 - 23:04

Kanë përfunduar të gjitha ndeshjet e para të fazës së 1/16 finale të Europa League, ka natyrisht ka pasur edhe surpriza, sic ishte humbja e Arsenalit apo e Lazios.

Napoli është me një këmbë në 1/8-at e Europa League pas fitores 3-1 të marrë në transfertë kundër Zurich-ut të kosovarëve në ndeshjen e parë të 1/16-ave.

Insigne (12′) ka zhbllokuar takimin dhe Callejon (21′) ka dyfishuar për vendasit. Këta dy lojtarë janë kthyer të shënojnë në të njëjtën ndeshje që nga shkurti i 2018-ës (5-0 kundër Cagliari-t në Serinë A).

Në pjesën e dytë janë shënuar dy golat e tjerë: Zielinski (77′) ka realizuar të tretin për miqtë, ndërsa Kololli (83′) ka mposhtur Meret nga pika e bardhë dhe ka realizuar golin e ngushëllimit për zviceranët.

Fitore në transfertë edhe për Chelsea-n e Maurizio Sarri-t, që ka mundur 2-1 Malmo-n. Barkley (30′) ka shënuar të parin për londinezët, me Giroud (58′) që ka dyfishuar rezultatin në pjesën e dytë dhe është bërë lojtari i parë i Chelsea-t që shënon në katër ndeshje radhazi europiane.

Valencia ka marrë një fitore të rëndësishme 2-0 në fushën e Celtic, Shakhtar ka barazuar 2-2 me dhjetë lojtar në shtëpi kundër Frankfurt-it.

Club Brugge ka përmbysur 2-1 Salzburg-un, siç ka bërë edhe Plzen ndaj Dinamos së Zagrebit, dhe Villarreal ka mundur 1-0 në transfertë Sporting-un, që e ka mbyllur ndeshjen me 10 lojtarë.

Inter ka harruar Mauro Icardi-n dhe ka fituar 1-0 në fushën e Rapidit të Vjenës në ndeshjen e parë. Goli që ka vendosur takimin është realizuar në minutën e 39-të me penallti nga Lautaro Martinez.

Rezultati surprizë i ndeshjeve të Europa League ka ardhur nga Bjellorusia, aty ku BATE ka mundur 1-0 Arsenal-in. Goli i realizuar nga Dragun në pjesën e parë të takimit ka qenë i pari i pësuar nga “Topçinjtë” pas 495 minutash të luajtura në Europa League.

Anglezët e kanë mbyllur ndeshjen me 10 lojtarë pas kartonit të kuq të marrë nga Alexadre Lacazette në minutën e 85-të. Një rezultat befasues, por jo i pamundur për t’u përmbysur nga skuadra e Emery 21 shkurtin e ardhshëm.

Lajme të këqija edhe për Lazio-n e Thomas Strakoshës, që është mundur 1-0 në “Olimpico” nga Sevilla falë një goli të Ben Yedder në minutën e 22-të.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN