Formimi i Prokurorisë Speciale Antikorrupsion (SPAK), një strukturë komplekse e projektuar për të goditur krimin dhe korrupsionin në të gjitha nivelet e tij, është edhe një nga kushtet për Integrimin në Bashkimin Europian, si dhe nisje e Reformës në Drejtësi.
Aktualisht vijojnë aplikimet nga prokurorë për të bërë pjesë e saj.
Ditën e sotme mësohet se edhe katër prokurorë të tjerë kanë aplikuar për të qenë pjesë e SPAK.
Bëhet me dije se për të qenë pjesë e anëtarëve të SPAK kanë aplikuar prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme Arben Kraja;
Prokurori i Krimeve të Rënda Vladimir Mara; si dhe Prokurori i Krimeve të Rënda, Dritan Prençi.
Po ashtu pak orë pas tyre ka aplikuar edhe Prokurori i Tiranës, Shkëlzen Cena, duke e çuar në 9 numrin e aplikantëve
Më herët për të qenë pjesë e strukturave të SPAK kanë aplikuar Doloreza Musabelliu, Eugen Beci, Anton Martini, Besnik Muçi dhe Klodian Braho.
Aplikimet për 15 vende në SPAK janë të hapura deri në 6 shkurt. Në institucionet e reja që pritet të formohen për llogari të reformës, pritshmëria më e lartë publikë është për SPAK, strukturën e veçantë që do të hetojë dhe vendosë para përgjegjësisë politikanët dhe zyrtarët e lartë.
Prokuroria e Posaçme (SPAK) i kryen funksionet e saj në mënyrë të pavarur, nëpërmjet prokurorëve të posaçëm, të cilët emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.