Ish-Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani do të jetë pjesë e Bankës Qendrore në Mal të zi, si një prej 11 anëtarëve të Bordit Këshillues.
Lëvizja ka sjellë reagime në shtypin e malazez, duke marrë parasysh akuzat me të cilat Fullani u përball gjatë vjedhjes së parave në Bankën e Shqipërisë.
Ish-Guvernatori i Bankës së Shqipërisë është emëruar anëtar i Bordit Këshillues të Bankës Qendrore të Malit të Zi. Mediat vendase e kanë publikuar këtë lajm, teksa krijimi i kësaj strukture është miratuar në shtator të vitit të kaluar.
Bordi ka 11 anëtarë, njëri prej të cilëve tashmë është edhe ish-Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.
E përditshme malazeze “Vejesti”, teksa publikon këtë lajm, evidenton edhe faktin që Fullani ka qenë i akuzuar në Shqipëri.
“Guvernatori i Bankës Qendrore të Malit të Zi Radoje Zhugiç ka vendosur si anëtar të Bordit Këshillues të Bankes, ish guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Arian Fullanin, i cili në shtetin e tij është shkarkuar dhe arrestuar sepse nga kasaforta e Bankës së Shqipërisë janë zhdukur 713 milionë lekë”, shkruhet në artikull.
I pyetur nga kjo gazetë nëse emërimi i Fullanit në këtë post do të ndikojë në besueshmërinë e Bankës së Malit të Zi, Guvernatori i Malit të Zi nuk pranoi të përgjigjet.
Ndërkohë, edhe Fullani u pyet nga mediat për këtë lëvizje, por nuk dha asnjë përgjigje.