MENU
klinika

NBA

Golden State jep spektaklin e radhës

07.02.2019 - 12:25

Skuadra kampione në fuqi e NBA, Golden State Warriors, ka dhuruar spektaklin e radhës, duke i dhënë një leksion basketbolli San Antonio Spurs.

Për të konfirmuar supermacinë dhe për t’u treguar të gjithëve se janë favoritët kryesorë në garën për titullin kampion, Golden State triumfoi me rezultatin 141-102 ndaj ekipit teksan.

Në Oracle Arena nuk kishte aspak histori me kampionët në fuqi të NBA që zgjidhën gjithçka që në pjesën e parë. Klay Thompson me 26 pikë ishte më i miri mbi parket për Warriors në këtë sfidë, ndërkohë që Kevin Durant dhe Stephen Curry shtuan respektivisht 23 dhe 19 pikë.

Kjo ishte fitorja e 38-të në 53 ndeshje për skuadrën e trajnerit Steve Kerr, që tashmë nuk e diskuton më kreun e renditjes në Perëndim për sa i përket sezonit të rregullt.

James Harden vazhdon të impresionojë, ndërkohë që Houston Rockets fiton sërish. 36 pikë realizoi ylli i Houston në suksesin e lehtë me shifrat 127-101 brenda në Kaliforni përballë Sacramento King.

Nuk njeh limite në këtë sezon Milwaukee Bucks, që regjistroi fitoren e 17-të në 20 ndeshjet e fundit, pasi theu në Wincosin me rezultatin e thellë 148-129 Washington Wizards.

Diferencën e bëri i përhershmi Giannis Antetokounmpo, autor i 43 pikëve, ndërsa e ndihmoi Milwaukee edhe me 4 asiste e 6 rikuperime poshtë tabelës. Kryeqytetasve në krahun tjetër nuk u mjaftuan 30 pikët e Bradley Beal.

Vijon momenti “jo” për Denver Nuggets. Skuadra nga Colorado pësoi humbjen e dytë rresht, pasi u mposht nga Brooklyn Nets me rezultatin 135-130.