MENU
klinika

Njoftimi i Unionit të Gazetarëve

Greqia shpall “non grata” pronarin e televizionit shqiptar

06.02.2019 - 17:08

Zyra qendrore e UGSH-së njofton se autoritetet greke në pikën kufitare të Kakavijes, përmes një dokumentacioni zyrtar kanë shpallur si të padëshirueshëm për në territorin e Republikës së Greqisë pronarin dhe drejtuesin e RTV Alpo në Gjirokastër, zotin Aristotel Petro.

Në shkresën formale që zotit Petro i është paraqitur, nuk jepen shpjegime për arsyen e këtij vendimi.

UGSH-ja thot se “Nuk ka asnjë shpjegim për motivet që justifikojnë një vendim të tillë refuzues nga shteti fqinj”, megjithëse zyra qendrore dhe drejtues të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë po interesohen për arsyen konkrete të këtij vendimi.

Pas kësaj ngjarje, UGSH do të ketë disa reagime dhe protesta, pasi e konsideron një vendim të tillë të përsëritur ndaj gazetarëve shqiptarë, si privim nga të drejtat themelore si dhe cënim të klimës së fqinjësisë dhe lirisë së shprehjes në rajonin tonë.

unioni-i-gazetareve-konica.al

“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh shqetësimin se një vendim i tillë përbën një akt të rrallë privimi për levizje të lirë, të një përfaqësuesi të medias në rajonin kufitar mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe fatkeqsisht, shton numrin e gazetarëve shqiptarë që shpallen të padëshirueshëm nga autoritetet zyrtare greke. UGSH shqetësimin e vet për këtë problem serioz e ngriti edhe në konferencën ndërkombëtare të SEMO-s, organizuar në Tiranë në fundvitin 2018, ku u kërkua reagim nga të gjitha organizatat e gazetarëve në rajon dhe prej atyre ndërkombëtare. UGSH u kërkon autoriteteve shqiptare të interesohen për rastin e fundit si dhe të sqarojnë rrethanat e metejshme për vendime të tilla me herët, si për rastin e gazetarit të njohur Marin Mema apo të kryetarit të Unionit të Gazetarëve të Qarkut Vlorë, Enrik Mehmeti”, sqarohet në njoftim.