MENU
klinika

Opinion

Guxo!

01.02.2019 - 12:03

Nga Lis Bukuroca

Ne kemi mendjen, por mendjen tonë përdorim për të zbatuar bindjet e huaja!

Ne kemi sy, sy për të parë, por i përdorim, për të parë veten me sy të huaj!

Ne kemi gjuhë, gjuhë për të ligjëruar, por e përdorim, shpesh për lëpirje!

Ne kemi kurriz, por kurriz, shpesh për ngarkesë, ose shpesh, për shtrirje dhe rrallëherë, për të qëndruar drejt!

Ne kemi duar, duar për të mbajtur fatin tonë në duart tona, por i përdorim, për të dorëzuar fatin tonë, në duar të huaja!

Ne kemi këmbë, këmbë për të ecur para, por i përdorim, për të ikur prapa, ose, për t‘u arratisur!

Ne kemi sedër, por e flakim, e zhdukim për sedrën e huaj; për të urryer dhe përbuzur veten, sa më bindshëm, sa më pakundërshtueshëm!

Ne kemi frikë, por kemi edhe shumë guxim, për ta fshehur frikën e madhe!

Ne kemi guxim, por kemi edhe shumë frikë, për të fshehur guximin e budallait!

Ne kemi guxim t’i rrahim, edhe t’i vrasim, ata që duhet t’i duam, por jashtë, jemi frika vet!

Ah, po…, ne edhe dashurojmë, por kemi frikë t’i falim lirinë dashurisë, sepse ne kemi frikë, të dashurojmë dashurinë dhe ne jemi trima, të vrasim dashurinë, por jo urrejtjen, sepse ne kemi frikë nga dashuria, sepse kemi humbur çiltërinë dhe kultivojmë dyfytyrësinë, sepse ne nuk guxojmë të jemi Vetja!

Ne kemi shumë urrejtje, urrejtje për të urryer shumë, urrejtjen e huaj!

Ne kemi padituri, shumë padituri, padituri për t’u marrë me padijen e huaj!

Ne kemi paragjykime, shumë paragjykime dhe me ato, paragjykojmë paragjykimet e huaja!

Ne kemi të meta, shumë të meta, por i sjellim vërdallë, të metat e huaja!

Ne, përnjëmend, nuk kemi kohë të merremi me Vetveten, sepse ne vazhdimisht, merremi me të tjerët!

Dhe ne, mbiçmojmë flijimin dhe presim, të flijohen të tjerët për ne, sepse ne, nuk kemi kohë, sepse ne nuk kemi nge, as të luftojmë diskriminimin në shtëpi!

Sepse ne nuk jemi Vetja; ne sillemi e flasim, gjykojmë e paragjykojmë, marrim vendime e veprojmë, si presin të tjerët! Sepse ne nuk jemi Ne, nuk guxojmë të bëhemi Ne, por ne jemi dhe bëhemi ata, sepse nënshtrimi është më i lehtë, se sa kundërshtimi dhe ja pse presim të na bien supeve! Vetëm të na bien supeve!

Oh, vërtetë kemi shumëçka, që na duhet dhe gjithçka që s’na duhet; kemi dhe shëndet, por vetëm kohë nuk kemi për asgjë: as për të qenë i drejtë brenda dhe jashtë, as për të lexuar, as për të luftuar padrejtësitë e mëdha, sepse qeverisja e kohës, kërkon urtësi dhe pjekuri, vrull e turr, çfarë ne gjithnjë e më pak e kemi, ose fare nuk e kemi, sepse ne nuk jemi, por kemi guxim të mos jemi dhe të mburremi, pse ne nuk jemi!

Dhe, derisa ne nuk do të jemi Vetja, Vetja nuk do të dijë kush jemi, sepse edhe kur jemi, jemi Ata, ose Ai, e jo Ne, jo Unë, prandaj gjithmonë, do të jemi pakëz Dikush dhe tepër shumë Askush, sepse kemi frikë të jemi Ne, të jemi Unë, kështu, nesër fajësojmë ata, sepse është më lehtë të nënshtrohesh, se sa ngresh krye! Sepse është më lehtë të jesh rob dhe lodër e huaj, se sa ndërtues i rrugëve të reja!

Sepse është më lehtë të shtrihesh, se sa të ngrihesh!

Sepse është më lehtë të lustrosh këpucë, se sa t’ i bësh ato!

Sepse ngritja kërkon mençuri, kurse dorëzimi, pajtim me të qenit i kotë dhe pa dobi!

Dhe, mu kjo është arsyeja, pse nuk do të vdesim si Dikush, por vetëm si Askush, prandaj guxo të jesh vetja, sepse më mirë është të mbahesh mend për përpjekjet e dështuara, se sa për përtypjet e suksesshme, sepse Ne, Ne nuk kemi ardhur në këtë botë për dremitje, por për të ndërtuar, për të luftuar padrejtësitë dhe për të përmirësuar jetën për fëmijët tanë!

Ti mundesh!

Guxo të bëhesh Njeri i madh!

Nëse jo jashtë, atëherë në shtëpi!

Guxo të bëhesh Dikush!

Nëse jo jashtë, atëherë në shtëpi!

Guxo të bëhesh i drejtë!

Jashtë dhe në shtëpi!

Guxo të bëhesh Vetja!

Nëse jo jashtë, atëherë në shtëpi!

Mos guxo të mbetesh Asnjeri!

As jashtë, as në shtëpi!

Mos guxo të mbetesh Askush!

As jashtë, as në shtëpi!

Sepse Ti mundesh dhe Ti guxon!

Guxo!

Vdesim si frikac

Ne kemi guxim, por nuk kemi guxim për të guxuar!

Ne kemi dije, por jo dije me vetëdije!

Ne jemi ata që nuk jemi dhe nuk jemi ata që duhet të jemi, por dëshirojmë të bëhemi, ata që nuk jemi, sepse nuk jemi!

Ne kemi ëndrra, por ëndrrat i ëndërrojmë vetëm!

Ne kemi dëshira, por dëshirat i dëshirojmë vetëm!

Ne kemi synime, për të synuar vetëm!

Sepse kemi frikë dhe ne kemi frikë nga frika, prandaj jemi aty, ku nuk dëshirojmë të jemi dhe ashtu, si nuk dëshirojmë të jemi, meqë kemi frikë të jemi!

Kështu një ditë vdesim tutarak;

pa qenë Guximi,

pa qenë Dija,

dhe,

pa qenë Vetëdija!