MENU
klinika

Shifrat

Interesat e ulëta/ Deficiti buxhetor u financua i gjithi nga…

04.02.2019 - 14:49

Ministria e Financave ka publikuar së fundmi disa të dhëna në lidhje me deficitin buxhetor.

Sipas këtyre të dhënave deficiti buxhetor gjatë vitit të kaluar është financuar me huamarrje të jashtme.

Për vitin 2018 deficiti ishte 26.5 miliardë lekë, ose 18% më i ulët se plani.

Këtë vit qeveria shqiptare bëri ripagesa me vlerën e 26 miliardë lekëve përkundrejt një huamarrjeje të brendshme rreth 19 miliardë lekëve.

Bilanci i huamarrjes së brendshme vitin e kaluar të ishte negativ, çka do të thotë se qeveria shleu më shumë borxh nga sa mori. Përmes huamarrjes së jashtme, qeveria ka çliruar likuiditete të shumta të lira në tregun e brendshëm financiar, çka shpjegon në një pjesë të madhe uljen drastike të interesave të bonove dhe obligacioneve gjatë muajve të fundit të vitit 2018.

Kjo tendencë vazhdoi edhe gjatë muajit janar. Interesat për të gjithë instrumentet e borxhit qeveritar kanë zbritur pranë niveleve më të ulëta historike.

Likuiditeti i lartë dhe interesat e ulëta në tregun e bonove, në teori, është një shtysë që bankat të çlirojnë ofertën për kredi në lekë dhe të ulin më tej normat e interesit. Një tendencë pozitive vërehet prej vitesh në kreditimin e individëve, si për blerjen e pasurive të paluajtshme, ashtu edhe për konsum. Sadoqë cikli i politikës monetare stimuluese është drejt mbylljes, lëvizja e qeverisë duket se do të ndikojë në ruajtjen e normave minimale të interesit në tregun financiar shqiptar.

Përfituese, në radhë të parë, është vetë qeveria, që po siguron interesa më të ulëta për borxhin e vet, por gjasat janë që kjo konjukturë të favorizojë edhe individët dhe bizneset huamarrëse.