MENU
klinika

Dhunohen lojtarët

Kastrioti-Skënderbeu mund të anulohet

02.02.2019 - 13:32

Ndeshja e dytë e javës 20 të Kategorisë Superiore në futboll mes Kastriotit vendës dhe Skënderbeut, i planifikuar të luhen në orën 14:00, në stadiumin “Redi Maloku” të Fushë-Krujës, rrezikon që të anulohet.

Shkak për këtë është bërë dhuna e ushtruar ndaj futbollistëve të Skënderbeut në brendësi të stadiumit, kur lojtarët korcarë sapo kishin hyrë.

Gazetari i ‘Supersport’, Elvis Rexha, në një prononcim për ‘Gol pas goli’ u shpreh se në ambientet e stadiumin po mbahet një mbledhje në lidhje me incidentin.

Nga ky takim pritet që të merret një vendim sa ai përket mbarëvajtjes së ndeshjes, që me shumë gjasa do të anulohet, pasi gjendja psikologjike e futbollistëve bardhekuq është disi e rënduar.

skenderbeu
skenderbeu

SKANDALI

Kur të gjithë po prisnin ndeshjen mes Kastriotit dhe Skënderbeut, në stadiumin ‘Redi maloku’ ka ndodhur një ngjarje e shëmtuar duke qenë se persona të paautorizuar kanë dhunuar futbollistët e Skënderbeut duke i goditur.

Lajmi u bë i ditur nga vetë faqja zyrtare e klubit korçar në ‘Facebook’. Nga incidenti i ndodhur pak minuta më parë, të dhunuar kanë mbetur disa nga futbollistët e klubit korçar.

Ende nuk bëhen të ditura detaje të tjera nga ky incident, ndërkohë që forcat e policisë nuk kanë qenë të pranishme në stadium për të shmangur këto probleme.

Pak orë para ndeshjes, ishte klubi krutan ai i cili njoftoi se hyrja në stadium për ndeshjen ndaj Skënderbeut, ishte falas, gjë e cila ka afruar më shumë tifozë në stadiumin ‘Redi Maloku’.

REAGIMI

“Skandal përpara fillimit të takimit të javës së 20-të, Kastrioti – Skënderbeu. Reth 25 persona të paautorizuar brenda stadiumit ‘Redi Maloku’ kanë goditur dhe dhunuar lojtarët bardhekuq , Oto John, Kristi Vangjeli dhe Idriz Toskiç.

Asnjë forcë policie e pranishme në stadium për të ruajtur rendin dhe mbarëvajtjen e ndeshjes”, – shkruan klubi korçar.