MENU
klinika

Christian Panucci

“Kombëtarja ka potencial për t’u kualifikuar”

09.02.2019 - 22:56

Kur po afrojnë dhe ndeshjet e para kualifikuese për eliminatoret e Europianit 2020, trajneri i Kombëtares Shqiptare, Christian Panucci, në një intervistë për “Top Channel”, flet për grupin që ka aktualisht, minutat e legjionarëve nëpër klubet e tyre, dhe për objektivat në këtë kompeticion.

Elseid Hysaj është një futbollist që nuk po aktivizohet shumë nga Ancelotti në radhët e Napolit. Si e sheh të ardhmen e tij?

Sigurisht, të mos aktivizohesh është gjithmonë një problem. Elsi është një lojtar që punon shumë, futbollist ekspert me shumë eksperiencë dhe një djalë pozitiv, dhe uroj që të luaj ndonjë ndeshje deri në fund të sezonit, që të paktën të jetë në gjendje për të luajtur në grumbullimin e ardhshëm.

Sigurisht të luash dy ndeshje në tre ditë është edhe ai i rëndësishëm për ne. Unë në fakt gjithmonë jam munduar t’i ndihmoj të gjithë. Unë kam folur me të dhe është i kënaqur tek Napoli, por një futbollist ndihet mirë kur luan. Napoli do të ketë shumë ndeshje për të luajtur, megjithatë të ardhmen e tij e di vetëm ai he menaxheri i tij.

Ndërkohë që krejt e kundërta ka ndodhur me Gjimshitin që është aktivizuar më shumë te Atalanta. Si i keni parë paraqitjet e tij?

Gjimshiti është një lojtar i mirë dhe tani po aktivizohet dhe po bën paraqitje të mira tek Atalanta duke u përmirësuar shumë. Kjo disi si të them më vë në dyshim nëse do të më duhet të luaj me 3 apo me 4 mbrojtës.

Ne si skuadër kemi karakteristikat për të luajtur edhe me tre mbrojtës, por do të thotë që të heqim një nga sulmi. Gjithsesi, më vjen mirë që ai po luan pasi në këto momente kemi edhe Mavrajn të skualifikuar dhe kjo është shumë e rëndësishme.

Është edhe çështja Mavraj. Ishte një sezon i çuditshëm për të, shkoi në Greqi dhe tani është u kthye në Gjermani.

Zgjedhjet e Mavrajt janë ato që ai bën vetë, unë gjithmonë kam bërë zgjedhje pa parë moshën, ku luan apo kush je dhe si e ke emrin. Unë besoj se e kam ndihmuar shumë, pasi ishte një vit pa luajtur fare dhe unë e grumbullova.

Vendosi të kthehet në Gjermani dhe unë e shoh që aktivizohet, por për të nuk duhet të mendojmë tani është i skualifikuar për 3 ndeshje. I uroj që të jetë mirë dhe të mbaj formën, për të ardhmen të shohim.

mavraj e panucci
mavraj e panucci

Çfarë mund të bëni ndryshe me skuadrën kombëtare?

Një muaj e gjysmë gati më parë pata thënë që do të bëjmë disa eksperimente dhe do të provojmë gjëra të reja. Mund të përmendim që kanë debutuar 22-23 lojtarë të rinj, por në kombëtare mbetet shumë pak kohë për të punuar.

Është e nevojshme që të marrim maksimumin dhe sigurisht unë diçka duhet të ndryshoj. Është faji im, se u mundova që t’i jap një ide kësaj skuadre, por me sa duket nuk ka kohë për t’i dhënë një ide, kemi kohë vetëm për të bërë gjërat mirë. Besoj se do të ndryshojmë diçka duke filluar që nga mënyra e stërvitjes.

Nëse do të ktheheni prapa në kohë e duke parë lojtarët, a jeni i kënaqur me Shqipërinë?

Unë jam shumë i kënaqur që jam trajner i Shqipërisë. Sigurisht nuk jam i kënaqur për rezultatet e vitit 2018, por jam krenar që jam trajner i këtij vendi. Një gjë është e sigurt, që kur zgjodha pankinën e Shqipërisë ishte një nga pankinat më të vështira në Europë që mund të zgjidhje.

Kjo për faktin që më parë ishte kualifikuar në Kampionatin Europian, në këto kushte e merr ose një i çmendur ose një që beson. Dhe unë jam ende i bindur që kjo skuadër mund të bëjë ende shumë mirë.

kombetarja panucci
kombetarja panucci

A do të ketë prurje të reja në skuadër për eliminatoret 2020?

Po shohim disa emra të rinj, por jo shumë, pasi grupi bazë është. Kam ardhur këtu të shoh ndeshje të kampionatit shqiptar dhe javën tjetër do të udhëtoj nëpër Europë.

Në të vërtetë grumbullimet nuk i bëj unë, por i bëjnë vetë lojtarët. Cikalleshi po bën gola, Durmishaj gjithashtu, Abrashi po rikthehet nga dëmtimi, po i ndjekim.

Në mars fillojnë ndeshjet kualifikuese për Euro 2020. Cili është objektivi i skuadrës sonë përfaqësuese?

Synimi është që të bëjmë diçka speciale. Ne jemi grupi i katërt, kemi përpara Turqinë, por edhe Islandën, për të shkuar më tej duhet të bëjmë diçka speciale dhe unë jam i bindur që kemi mundësi.

Ndeshja e parë me Turqinë është shumë e rëndësishme pasi ajo mund të na japë një tjetër ekuilibër në grup. Nga Liga e Kombeve, sado negative mund ta quaj, pati edhe një aspekt pozitiv që më shërbeu mua për t’u njohur e për të mësuar më shumë. Preferoj të shoh aspektin pozitiv të gjërave, e shkuara nuk kthehet më.

Gjëja speciale dhe objektivi është që të renditemi mes dy të parave në këtë grup për t’u kualifikuar, por nuk duhet të harrojmë realitetin dhe të kuptojmë që Shqipëria është në vend të katërt në këtë grup.

Nëse do t’ia dalim dhe unë jam i bindur që mund t’ia dalim, atëherë të gjithë jemi të kënaqur, nëse nuk ia dalim dhe Presidenti nuk është i kënaqur Panuçi ikën në shtëpi. Por, kjo është gjëja e fundit që mendoj. E rëndësishme është që të bëjmë maksimumin.

kombetarja stervitje e panucci

Nga Italia kanë dalë edhe zërat e merkatos rreth jush. A ka ndonjë gjë të vërtetë?

Nuk më ka telefonuar asnjëherë askush. Nëse nesër do të më telefonojnë Real Madrid, Paris SG, Partizani apo Kukësi, një sekondë më pas unë do të telefonoj direkt Presidentin sepse me të kam një raport shumë korrekt.

Por, nuk më ka telefonuar askush. Unë jam shumë i kënaqur që ne vazhduam bashkë përpara, besoj edhe Presidenti që gjithmonë më ka mbështetur dhe më ka mbrojtur.

Duhet të them që unë nuk kam as median pas vetes, por jam një njeri serioz dhe Presidenti e di këtë. Sigurisht unë gabova, por nuk besoj që ka njeri që nuk gabon.

Presidenti i FSHF të enjten u zgjodh si anëtar i Komitetit Ekzekutiv i UEFA-s.

Zgjedhja e fundit e Presidentit të federatës në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s është një lajm shumë i mirë për Shqipërinë dhe për Federatën Shqiptare të Futbollit. Kjo tregon se sa po rritet Shqipëria.

duka panucci
duka panucci

Ai është një njeri që e do shumë federatën dhe është një njeri shumë ambicioz. Brenda kësaj periudhe fushate më tepër ka udhëtuar ai se sa një agjenci udhëtimesh.

E dëshironte shumë këtë post dhe e arriti, për këtë duhet të jemi të gjithë krenarë për Presidentin tonë. Në rastin tim jam krenar për një mik sepse Duka është edhe një mik dhe unë jam shumë i kënaqur për të./TCH

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN