MENU

Nga Project Syndicate

Konferenca e Mynihut, pikë kthese në marrëdhëniet SHBA-Evropë

20.02.2019 - 17:42

Jo për herë të parë, Konferenca e Sigurisë së Mynihut të këtij viti mund të mbahet mend si një pikë kthese për gjeopolitikën globale. Mesazhet që vinin nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara tregonin qartë perspektivën e dobët për bashkëpunimin transatlantik në menaxhimin e kërcënimeve ekonomike dhe strategjike.

Shkarkoni Aplikacionin e Konica.al

Ishte në Konferencën e Sigurisë së Mynihut të vitit 2007 ku presidenti rus Vladimir Putin sinjalizoi për herë të parë një ftohje të marrëdhënieve ruso-perëndimore. Menjëherë pas kësaj, Rusia pushtoi Gjeorgjinë; dhe pas saj, ka aneksuar Krimenë, ka filluar sulme në Ukrainën Lindore dhe ka kryer sulme kibernetike kundër demokracive perëndimore. Sot, marrëdhëniet ruso-perëndimore janë ende duke u ftohur edhe më tepër.

Konferenca vjetore e Sigurisë së Mynihut është për gjeopolitikën, ashtu siç janë takimet e Forumit Ekonomik Botëror në Davos për biznesin. Pjesëmarrësit tani diskutojnë tema që variojnë nga politika e jashtme dhe siguria ndërkombëtare, deri tek ndryshimet klimatike.

Foto e marrë nga Open Democracy

Konferenca tre-ditore e këtij viti, e cila kishte një pjesëmarrje të lartë, do të mbahet mend gjatë. Fjalimet nga zëvendëspresidenti i SHBA Mike Pence dhe kancelarja gjermane Angela Merkel nuk mund të kishin qenë më të ndryshme, për sa i përket stilit dhe përmbajtjes.

Nga ana e tij, Pence deklaroi se evropianët nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse të ndjekin Amerikën, dhe të heqin dorë nga marrëveshja bërthamore e Iranit 2015.

Para paraqitjes së Pence, Merkel kishte mbaruar një fjalim që mund të konsiderohet si një nga më të mirët e karrierës së saj. Ajo mbrojti edhe një herë, përpjekjet shumëpalëshe për t’u përballur me ndryshimet klimatike, agresionin rus, zhvillimin në Afrikë dhe një sërë sfidash të tjera. Ajo qortoi qartë “unilateralizmin” e “America First”.

Ashtu si fjalimi i Putinit në vitin 2007, fjalimet e Pence dhe Merkel do të kujtohen gjatë. Të dy fjalimet konfirmojnë se presidenca e Donald Trump ka çuar në një periudhë tensionesh transatlantike në rritje.

Tensionet mbi çështjet e tregtisë nuk janë më pak akute. Administrata Trump i ka konsideruar tashmë eksportet evropiane të çelikut dhe aluminit një kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA dhe tani ajo duket se po përgatitet të shtojë makinat evropiane në atë listë. Nëse po, konflikti tregtar transatlantik do të hyjë në një territor të rrezikshëm.

Foto e marrë nga NECN

Pas një viti, shumë nga udhëheqësit dhe politikëbërësit do të mblidhen sërish në Mynih. Në skenarin më të keq, mund të shkojmë drejt luftës në Lindjen e Mesme dhe një luftë shkatërruese tregtie përtej Atlantikut.

Ose konferenca e këtij viti do të ketë ndezur alarmin e nevojshëm për të parandaluar që më e keqja të ndodhë. Marrëdhëniet transatlantike janë mjaft të ndërlikuara. Askush nuk duhet të rrezikojë duke i ndërlikuar edhe më tej…

Carl Bildt ishte ministri i jashtëm i Suedisë nga 2006 deri në tetor 2014 dhe kryeministër nga 1991 deri më 1994, kur ai negocioi pranimin e Suedisë në BE. Një diplomat i njohur ndërkombëtar, ai shërbeu si i dërguar i posaçëm i BE në ish-Jugosllavi, Përfaqësuesi i Lartë për Bosnje dhe Herzegovinë, i dërguari i posaçëm i OKB-së në Ballkan dhe bashkë-kryesues i Konferencës së Paqes të Dejtonit. Ai është Kryetar i Komisionit Global për Qeverisjen e Internetit dhe anëtar i Këshillit Global të Agjendës Botërore të Forumit Ekonomik në Evropë.