MENU
klinika

Rritja në %

Konsumimi i energjisë në Shqipëri rritje rekord, por qëndron pas…

08.02.2019 - 14:13

Pas Maltës dhe Turqisë, Shqipëria është vendi i tretë në Europë për rritjen e konsumit të energjisë elektrike përgjatë vitit 2017. Këtë gjë e thonë të dhënat më të fundit zyrtare të agjencisë europiane të statistikave.

Sipas këtyre të dhënave, konsumi energjetik në vendin tonë është rritur me 7.3% gjatë 2017-ës, ndërkohë që në Maltë rritja fiksohet në 12.9%. Mesatarja europiane fiksohet në 0.9%, ndërkohë që në disa shtete të kontinentit të vjetër regjistrohet rënie e konsumit.

Pavarësisht se është një prej shteteve me rritjen më të madhe të konsumit në Europë, Shqipëria vijon të mbetet një prej vendeve më pak konsumatore të energjisë elektrike në kontinent.

Kjo, paçka se, energjia elektrike është burimi kryesor i ngrohjes dhe i gatimit në vendin tonë, ndryshe nga pjesa dërrmuese e vendeve europiane.

Në drejtim të konsumit, Shqipëria është gjithashtu në vend të tretë në Europë, por për një rekord negativ, si vendi më pak konsumator, me vetëm 2.3 njësi matëse, që janë milionë tonë ekuivalente të naftës.

Pra, Shqipëria konsumon më pak energji elektrike se vende që kanë një popullsi bindshëm më të vogël, si Kosova, Maqedonia, apo edhe Luksemburgu.

Që prej vitit 2006, mesatarja vjetore e rritjes së konsumit të energjisë elektrike në vendin tonë fiksohet në 1.2%, thotë Eurostat.