Foto të vjetra bardhezi dhe fragmente nga shtypi i kohës, na kthejnë prapa në kohë. Paçka se në kohë të vështira për artin dhe letërsinë, vitet e socrealizmit në Shqipëri nuk mundën të burgosin gjithçka.
Me vështirësi dhe shumë brishtësi, do të hovte arti. Artistët e mëdhenj shqiptarë, nuk do të zmbrapseshin nga ëndrrat e bukura të rinisë: imagjinata.
Skenat do të gjallonin me shumë e shumë subjekte marrë nga përditshmëria, marrë nga historia e popullit shqiptar në shekuj.
Ishte viti 1976, kur Teatri i Operas dhe Baletit do të vinte në skenë operën “Zgjimi”, me kompozitor Tonin Harapin.
Opera do të gjente jehonë në shtypin e kohës. Menjëherë, në gazetën “Drita”, në shkurt të po atij viti, Çesk Zadeja do të shkruante: , “Kompozitori Tonin Harapi, arriti në krijimin me sukses të kësaj vepre, pas një procesi krijues të bollshëm e të larmishëm, duke filluar nga këngët plot jetë e deri tek veprat e mëdha vokale e simfonike realiste. Ngjarjet e dramës zhvillohen në vitet 1942-1943, atëherë kur populli ynë me thirrjen e partisë komuniste u çua kundër pushtuesve e tradhtarëve të vendit”.
Premiera e operës “Zgjimi”, daton në shkurtin e vitit 1976, me regji nga Luigj Gurakuqi, nën dirigjimin e Rifat Teqjes.
Interpretuesit e saj ishin artistët e mëdhenj të skenës operistike shqiptare, si: Zeliha Sina, Fitore Mamaqi, Rozmari Jorganxhi, Gaqo, Çako, Ibrahim Tukiçi, Lefter Besho, Ramiz Kovaçi, Pëllumb Katroshi, Gjoni Athanas, Janaq Mici etj.