MENU
klinika

Në vitin 2000

Amaneti që Dritëroi i la mbesës për mitingjet

20.02.2019 - 13:07

Nga Dritëro Agolli*

“Një mbrëmje, tek shikonim në televizor. Më tërhoqi vëmendjen një kuriozitet shkencor që thoshte se njeriu në këtë shekull të ri do të jetojë më gjatë.

Kështu jeta mesatare sipas kuriozitetit shkencor do të qenkësh rreth 120 vjetësh. Unë për veten time nuk u gëzova, as ime shoqe nuk pati ndonjë ngazëllim të dukshëm, pasi frutat e këtij revolucioni shkencor të jetëgjatësisë nuk do t’i hamë dot.

Derisa të bëhet ky revolucion, kockat tona do të jenë tretur në ndonjë mëllagë apo ndonjë qiparis. Ne u gëzuam për Anën, mbesën tonë, që në prillin e ardhshme të 2001-shit mbush 10 vjet. Ajo dhe miliona Ana të tjera në botë me siguri që do të jetojnë 120 vjet!

Tek kuvendonim burrë e grua rreth këtij kurioziteti joshës, Ana i la për një çast detyrat shkollore, fërkoi duart duke u hedhur si majmunkë dhe thirri:

-Sa mirë!

Pastaj përnjëherësh qëndroi me sytë drejt nesh, duke u kthyer e tëra në një pikëpyetje:

-Po mitingje do të ketë atëherë?

Ne vështruam njëri-tjetrin.

-Nuk do të ketë.- tha prerë ime shoqe për ta qetësuar mbesën, duke ditur se ka aq frikë nga mitingjet, sa kur i dëgjon, vrapon e mbyllet brenda.

-Mitingje edhe mund të ketë, -thashë unë, -duke e zbutur mendimin kategorik të gruas sime për mungesën e këtyre mjeteve të luftës demokratike.

E dëgjon si thotë gjyshi. Do të ketë mitingje!, – u dëshpërua Ana dhe gati sa nuk fillojë të qajë.

-Ama edhe ti! Pse e bën të qajë? Nuk do të ketë moj zoçkë, nuk do të ketë!-iu kthye ime shoqe mbesës, pasi më fshikulloi me shufrën e vështrimit të saj.

-Unë them se do të ketë!

-E sheh? Gjyshi përsëri thotë se do të ketë mitingje. Ti më gënjen, që unë të mos qaj!-iu ankua mbesa gjyshes.

Pas kësaj ime shoqe filloi të më shajë, që nuk rrija e dëshpëruar Anën me këta të flamosur mitingje.

–S’u ngope me këta mitingje, do t’i shpesh këto mitingje sa jot mbesë të bëhet 120 vjet?

U shkula gazit me marrëzitë që dëgjoja. Megjithatë këmbëngula në mendimin tim për ekzistencën e mitingjeve, veçse për të qetësuar mbesën shtova:

-Mitingje do të ketë por do jenë tjetër lloj. Fjala vjen do të jenë si shëtitje në një kopsht zoologjik.

-Edhe ministritë si kopsht zoologjik do t’i vështrojnë? Nuk do të hedhin gurë dhe shishe të ndezura?-tha mbesa.

Ia dhashë përsëri gazit. Këtë herë gazi e përfshiu edhe time shoqe. U gajas dhe Ana.

-Si në kopshtin zoologjik!-përsërita unë duke fshirë lotët.

Po këta kryetarë të partive, do të jenë kur të bëhem unë 120 vjet?-pyeti sërish Ana.

-Këtu të siguroj 100 për qind se nuk do të jenë. – thashë.

Po kush do t’i shpjerë mitingjet si në kopshtin zoologjik?

-Ti me shokët e shoqet e tua. Po pusho tani dhe mbaro detyrat-urdhërova unë se vargu i pyetjeve nuk do të kishte fund, ashtu si çdo varg pyetjesh nga fëmijët.

Mbesa ime në këtë varg pyetjesh numëroi edhe plot liderë partish, duke vënë para çdo emri fjalën “xhaxhi”, por unë nuk po them se cilët ishin këta “xhaxhallarë”.

*16 dhjetor 2000