Futbolli shqiptar në Itali krenohet me Igli Taren, një drejtues që vitet e fundit ka marrë vlerësimi maksimale, shpesh më i miri në rolin e tij, si drejtor sportiv.
Por edhe basketbolli shqiptar ka një përfaqësues të denjë dhe që na bën krenar për atë cfarë përcjell në vendin fqinj. Bëhet fjalë për Spiro Lekën, trajnerin e basketbollit.
Ish-basketbollisti i njohur i Partizanit në vitet ’80, ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në Itali në shumë vite në ekipet e kategorive të ulëta e tani i është besuar një skuadër e njohur si Ferrara në A2.
Trajneri 59-vjeçar ka fituar 7 tituj kampion dhe 4 Kupa kur luante me fanellën e Partizanit nga viti 1984, deri në vitin 1991.
Por në moshën 26-vjeçare, me ndryshimet e mëdha në vendin tonë, ai vendosi që të linte këtë sport dhe të transferohej në Itali.
Aty, në Pesaro, filloi histori e tij fillimisht si basketbollist e trajner në skuadrat amatore, për të vazhduar me seri të ndryshme derisa përfundoi te VL Pesaro në Serie A, duke e ndihmuar të mbijetonte në elitë, para se të pranonte ofertën nga Ferrara.
“Unë jam nga ata që ia dolën, kanë qenë pikërisht këto 500 a më shumë ndeshje në kategoritë inferiore që më krijuan siguritë si trajner dhe si njeri, si të them, mësova nga rruga.
Nga kategoritë e ulëta deri këtu ndryshon shumë, por dinamikën e lojës e mëson në palestrat e kategorive të ulëta, ku duhet të mësohesh me gërvishtjet në gjunjë”, – tregoi ai.
Që në vitet si basketbollist, Leka ka qenë i lidhur me Italinë, pasi në moshë shumë të re, ka arritur të luajë kundër ekipit legjendar të Bankoroma me Partizanin, në Kupën e Kampioneve, të cilën skuadra italiane e fitoi në vitin 1984.
“Isha 18-vjeç, eliminuam Bratislavën duke arritur mes 12 më të mirëve në Europë, unë luajta vetëm 5 minuta. Na mundën me diferencë (93-55) por ishte e pabesueshme të rreshtohesha përballë njerëzve si Lerri Rajt.
Ishte edhe më e çmendur kur në fund të ndeshjes, disa tifozë më kërkuan mua, djaloshit të Partizanit, një autograf. Iu përgjigja ‘Përse?’.
Në Itali e kuptova se çfarë ishte basketbolli. Pastaj kam luajtur në Kupë edhe ndaj Pau Orthez e Aris, por ajo eksperiencë më mbetet e paharrueshme”, – ka kujtuar Leka fillimet e tij dhe kontaktin e parë me basketbollin italian.