MENU
klinika

Hapet Ekspozita “Prania e Mungesës”

Në luftën tonë për të qenë, ngre krye mungesa e njerëzores

08.02.2019 - 12:56

Nga Eugent Kllapi/

Artisti Fatlum Doçi vjen para publikut kryeqytetas me një cikël pikturash dhe një instalacion, në ekspozitën “Prania e Mungesës” në qendrën bashkëkohore ‘Tulla’. Ajo është hapur në datën 6 shkurt në orën 20: 00.

Për kuratorin mungesa është prania më e pushtetshme, dhe gjithë universi i simboleve që krijohet nga njeriu mënjanohet, shurdhohet, anatemohet, lihet mënjanë në arbritaritet dhe harresë. Përsëri këtu fiton prania e asaj që na mungon, e asaj që ne nuk e kemi.

‘’Mungesa është prania më e pushtetshme. Ajo eklipson çdo lloj pranie të rrokshme nga shqisat, çdo gjë që na rrethon. Pra, piktura e Fatlum Doçit na kujton një botë që po zbehet brenda dhe jashtë qenies. Në kohë dhe vende të ndryshme njerëzit e kanë shenjuar në forma të ndryshme, si: përrallore, magjike, mitike, legjendare, fantastike, metafizike e kështu me radhë. Ajo që ka rëndësi nuk janë shenjuesit e larmishëm që janë përdorur për këtë botë, pra për mungesën, por vetë ajo, tërheqja e saj e vazhdueshme nga dita dhe nata jonë; reduktimi i saj në iluzion apo makth. E megjithatë mungesa është përsëri aty, ose kudo, duke munguar aq ndjeshëm, sa nuk gjejmë dot fjalët për të…’’ shprehet për ekspozitën Edison Çeraj kuratori i ekspozitës.

Instalacioni me kunguj sipas Edison Cerajt është një zgjatim i pikturës rreth kontekstit të mungesës. Piktura e Fatlum Doçit fton edhe për të refletuar, për të mos humbur shpirtëroren. Këtë aspekt të njeriut dhe të natyrës së tij brenda vetes.

Fatlum Doçi, humbjen e njerëzores e deshifron me gjuhën e pikturës dhe instalacionit, duke u nisur nga vetvetja. Sipas gjuhëtarëve ”Gjuha në vetvete është univers simbolik shenjash” që deshifrohet në çdo njësi të saj për të sjellë kuptim.

Nëpërmjet shpirtërores dhe triumfit të konsumit tek njeriu kuratori i saj Edison Ceraj sjell një reflektim të thellë për praninë e mungesës. Deri në humbjen e saj. Simbolikisht kungulli e përçon këtë.

Kjo mungesë është e pranishme në veten tonë për aq kohë sa shpirti njerëzor, natyra e tij po më shumë qenia është e paplotësuar dhe ka humbur sensin e të qenit impenjues në ndjenja.

Por edhe kushte të tjera të ritmit të jetës më shumë se duan ta zhdrejtësojnë mungesën e përforcojnë atë. Prania e mungesës ndihet në kohëzionin social të organizimit të shoqërisë.

Një nga insturmentet e zhvillimit të kohëzionit social është kultura. Ajo u jep mundësinë njerëzve të bashkëveprojnë dhe të njehësohen në mendimet e ndërthurura të njeri-tjetrit.

Por kjo kulturë vjen dhe zhvillohet më shumë edhe nëpërmjet arsimimit që nxjerr teknicienë dhe njerëz të ftohtë, por pa një edukatë, pa një ndjenjë sipas tij në kultivim. Arsyet dhe ndjenjat janë shumë të rëndësishme për të zhvilluar marëdhënien, marrëdhënia e tyre e çalë sjell mungesë.

Mungesë ka ngado në zhvillimin e një karakteri automat që shoqëria po zhvillon me proceset e qytetërimit postmodern. Psikologët e kanë quajtur ndryshe dhe ‘’karakter të ekonomisë së tregut’’.

E njeriut që ka zbrazëti në fushën e pamatë të virtualitetit, të njeriut që më shumë udhëzohet nga një shumësi sensacionesh që vrasin ndjenjat e vërteta. Të vrarjes së një arsyeje të shëndoshë, kritike, që organizohet nëpërmjet ndjenajve të shëndosha. Një ‘’njeriu 1 dimesional’’ i shtrirë po në zbrazëti. Në shumë raste kultura e mangët organizon mutacione bashkëveprimesh të ftohta, të hekurta kundrejt bashkëveprimit social që rikthen vëmendjen te kujtesa.

Kultura dhe instiktet sa janë në kundërshtim me njëra-tjetrën aq dhe janë të pandashme. Njeriu i sotëm vjen si me një kulturë që ndikon në zbutjen e njohjes së vetvetes, së njohjes së botës, kur kjo kulturë zbehet, vjen e hedh krye në shumësi emocionesh të pakontrolluara.

Po këto emocione kanë një prapavijë konsumi, teknike, mendim burokratik zhvillimor që e fut emocionin e vërtetë në një shtrungë të zhvillimit të tij. Dhe çfarë po ndodh, ai krijon një karakter përshtatës të një lloj organizimi automat, spektakolar, unik, i papërsëritshëm e njëkohësisht shumë i zbrazët, mosqënie.

Dhe ky lloj automatizimi i jetës së përditshme shtrihet deri në mitizimin e tij, në tabu gjithfarëshe që i shpallen individit dhe njeriut të kohës së sotme. Kjo e shton vetminë, e vret krijimin, artin, ndjesitë, imagjinatën individuale dhe përshtat një ndalesë ku njeriu ka një mur të zbrazët.

Të një bote që nën vrullin e konsumit dhe të njeriut që zhvillon teknikë krijon një ngërç në aspektin emocional dhe racional.

Pikërisht këtu e vë theksin ekspozita e autorit Fatlum Doçi dhe e shpjegimit të kuratorit të tij Edison Çeraj. Kuratori mendon se në kushtet e humbjes së vëmendjes dhe në raste kur krijohen këto mutacione të këqia, krijohen dhe monstra apo zhdrejtësime individuale në jetën e shoqërisë.

Theksi për mungesën vjen e plotësohet me ngjyra të plota, ngjyra dhe forma të ëmbla në ekspozitë, dominon bluja e qiellit, e gjelbërta, diku e verdha, portokallia e plotë në forma të dukshme gjeometrike, një lloj abstraksioni i dukshëm. Piktori do ta shpallë mungesën e një dimesioni përfshirës.

Pamjet duken sikur janë forma gjeomotrike dinamike në proces e sipër, ato japin një udhëzim të kalimit të një rruge që vazhdon. Në disa figura të tjera paraqitet.

Mungesa është prania më e pushtetshme. Ajo eklipson çdo lloj pranie të rrokshme nga shqisat, çdo gjë që na rrethon. Piktura e Fatlum Doçit sipas kuartorit Edison Ceraj na kujton një botë që po zbehet brenda dhe jashtë qenies. Njeriu orientohet nga një shumësi simbolikash dhe pa këto orientime ai bëhet i thatë si druri që pret pak forcë për t’u shkërmoqur. Një nga këto shumësi simbolikash është gjuha.

Nga ana tjetër mund të ketë një gjuhë të drunjtë që zhvillohet në këtë shumësi simbolesh që kthehen arbritaritet dhe kthehet vetëm shenja, shenja që nuk kanë kuptim për njerëzit nuk kanë shenjim të realiteteve të shenjuara.

Këto universalitete të zhvillimit të njeriut sjellin një mungesë të përditshmërisë së njeriut deri në detaje sa mungesa është e pranishme kudo, në vështrime, në virtualitet, në të përditshmen sociale, në jetën sentimentale.

Ne dëgjojmë më shumë zhurma, reklama, shikojmë gjëra të shënjuara pa kuptim, mendojmë ato kuptime që nuk duam të mendojmë, ose mendojmë të detyruar sipas një katalogu të afruar mendimesh me kuptime të konservuara, po jo mendimet tona të vërteta, jo ndërgjegjen tonë, ajo është e zbrazët, nuk ka të tillë pasi sistemi është mirëorganizuar për të mos patur.

Unideali jonë është zhvendsour në një pseudoun të zhvilluar në këtë botë ku ka shumë zbrazëti sesa jetë. Në vetvete kjo mungesë është dhe ndihet ngado në shoqërinë postindustriale. Më shumë njeriu bëhet zgjatim i industrializimit sa i procesit jetësor qenies së tij mendore dhe emocionale për të egzistuar.

Njeriu nuk është më ujk për njëri-tjetrin, njeriu është një i panjohur për veten, për tjetrin, për natyrën, për ambientin, është tëhuajtur falë fetishizimit të prodhimit të vet dhe vjen si një mungesë e vetvetes, një harresë që merr frymë. Ajo të cilës i ka ngritur përmendore po e bën atë të zbrazët me anë të faljes së tij të përditshme.

Ky njeri ndien fort peshën e mungesës. Ky realitet i zbrazët në luftë me ne për të qenë po na zotëron, po na bën të jemi zgjatim i tij. Teknika, objektet, materializmi, sistemi, organizmi, rendi i gjërave po bëhen urdhëresa jonë dhe jo ne të urdhërojmë teknikën.

Nuk ka rëndësi çfarë shenje i vëmë ne kësaj bote po ka rëndësi çfarë që ajo na mungon në një përditshmëri deri në detaj. Pikërisht këtu e vë theksin dhe kuratori i ekspozitës, te shtimi i peshës së muggesës dhe i zbrazëtirës në jetën tonë.

Mungesa lidhet edhe me vëmendjen më të madhe me artistët që më shumë lihen në harresë, ekspozita duket si kumt për bashkëveprim.

”Artisti përmes këtyre punimeve përpiqet të sjellë humbjen e shpirtërores dhe triumfin e konsumit tek njeriu”

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për 20 ditë në galerinë Tulla Center deri në datën 27 shkurt.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN