MENU
klinika

“Nuk shpresoj asgjë. Nuk druaj asgjë”

Nikos Kazanzaqis/ Endje e përjetshme nëpër botë

18.02.2019 - 12:05

“Nuk shpresoj asgjë. Nuk druaj asgjë. Jam i lirë”.

Νikos Kazanzaqis është një nga autorët grekë më të rëndësishëm të shekullit XX, njëherazi edhe shkrimtari grek më i përkthyer në mbarë botën. Ai lindi në Iraklio të Kretës më 18 shkurt 1883 dhe vdiq në Freiburg në vitin 1957. Ka qenë një figurë tejet kundërshtuese, madje u shkishërua nga kisha greke. Filozofia e tij unike mund të përmblidhet me frazën: “Nuk shpresoj asgjë. Nuk druaj asgjë. Jam i lirë”.

Mendimtar i ndikuar nga Niçe dhe Bergson, kohë kur ndoqi studimet në Paris, Nikos Kazanzqis do të sjellë origjinalitetin vetiak: një etikë e fuqishme ku jehojnë fjalët luftë, refuzim shprese, kërkim i njëfarë pavdekësie të caktuar nëpërmjet përpunimit të një mbinjeriu, i cili do të mishërohet në Ulisesin e “Odisesë” së tij.

Shquhet për një krijimtari prodhimtare dhe të larmishme me poezi, romane, ese, libra për të rinj, teatër, tregime udhëtimi, përkthime, skenarë… Veprat e tij bazohen kryesisht në sensin e lirisë, mbrojtjes së natyrës, vlerave njerëzore dhe shpirtërore, si dhe një interes të madh për popujt dhe kulturat e tjera. Bota e Nikos Kazanzaqis mund të jetë e vështirë për të marrë frymë. Një forcë e tillë krijuese, me një besim kaq të pakrahasueshëm, e bën rezistencën pothuajse një refleks. Gjasimet e pjesshme me Niçen vihen rëndom në dyshim.

Arsyeja pse Kazanzaqis nuk është një emër familjar në botën jo-greke, ndoshta vjen për faktin e thjeshtë ngaqë nuk i është dhënë çmimi Nobel për Letërsi, edhe pse, në të vërtetë, i është afruar shumë pranë, aq pranë sa mund t’i afrohet dikush. I nominuar për Nobel në vitin 1957, viti i vdekjes, në garë me Albert Kamynë, ai humbi me një votë. Gjithsesi, Kazanzaqis ishte ndoshta shkrimtari më i madh grek i shekullit të 20-të.

Kohë më pas, shkrimtari francez do të shprehej me modesti dhe shumë respekt se “Kazanzaqis e meritonte njëqind herë më shumë sesa ai vetë”. Më 1957, ndërsa vuante nga leuçemia, ndërmori dhe një udhëtim të fundit në Kinë dhe Japoni.

Hapat e para në letërsi i hodhi në vitin 1906, me botim esesh dhe tekste në revista të ndryshme. Për Kazanzaqis Franca ishte vendi simbol i kulturës. Kur u kthye në Greqi në vitin 1910, u mor me përkthimet e veprave filozofike dhe nuk i ndërpreu asnjëherë udhëtimet nëpër botë, shpeshherë si korrespondent gazete. Ndër veprat e shumta që ka shkruar citojmë: “Udhëtim në malin e shenjtë”, “Krishti kryqëzohet përsëri”, “Zorba”, “Kapedan Mihali”, “Tundimi i fundit”, Udhëtim në…” etj

Në librin “Zorba” narratori e takon Zorbën në një kafene të vogël tradicionale në portin e Pireut, teksa priste tragetin për në Kretë. Ai befasohet nga qëndrimi i tij autentik dhe i drejtpërdrejtë dhe të dy burrat filluan të flisnin. Fillon një marrëdhënie unike, e bazuar në kontradiktën thelbësore të botës shpirtërore dhe materiale, me tregimin e jetës së Zorbës, problemet e tij familjare, çështjet e dashurisë dhe më shumë. Romani i suksesshëm u adaptua në filmin me të njëjtin titull në vitin 1964, si dhe një muzikal i titulluar Zorba në vitin 1968.

Tek “Tundimi i fundit i Krishtit” Kazanzaqis krijon një histori interesante, që fokusohet në natyrën njerëzore të Jezu Krishtit, duke mos ndryshuar thelbin e Biblës dhe librave të shenjtë, por duke ndjekur një qasje krejt ndryshe dhe përparësi të tjera. Jezusi portretizohet si një njeri që duhet të vendosë midis një jete të vdekshme, por të gëzueshme dhe një jete të përjetshme pranë babait të tij, Zotit. Ky kontrast i dhimbshëm formon një analizë hipotetike, por thellësisht interesante të situatës dhe identitetit psikologjik të Zotit/njeriut dhe kjo është arsyeja përse kisha greke e shkishëroi Nikos Kazanzaqis. “Fridrih Niçe mbi filozofinë politike dhe ligjore”, përpara se Kazanzaqis të bëhej një autor i njohur për shkathtësitë e tij të jashtëzakonshme letrare, ai u përqendrua në eksplorimin e shkollës së mendimit të Niçes gjatë kohës së studimeve për drejtësi në Paris. Disertacioni mbi filozofinë politike dhe ligjore të Fridrih Niçes është rezultat i “familjaritetit” shpirtëror të Kazanzaqis me Niçen, e cila ka shërbyer si pikë referimi në filozofinë e vetë autorit grek. Edhe pse nuk e pranoi gjithë sistemin teorik të ideve që tejkalonin logjikën, ai u ndikua shumë – dhe kjo nuk shihet vetëm në këtë libër, por edhe në vepra të tjera letrare të Kazanzaqis, nëpërmjet personazheve të tij dhe shprehjes së bindjeve të tyre.

Kazanzaqis ishte President i Fondacionit Letrar Helenik dhe mori Çmimin Ndërkombëtar të Paqes në Vjenë në vitin 1956.

Nëse zemra e njeriut nuk gëlon dashuri apo zemërim, asgjë nuk mund të arrihet”, – shprehet Kazanzaqis.

“Keni penelat, keni ngjyrat, pikturojeni vetë parajsën tuaj dhe pastaj hyni”.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit