MENU
klinika

Protesta e opozitës

Përfundon protesta e dhunshme. Zjarr dhe sherr në Kuvend

26.02.2019 - 17:54

Ora 20:14/ OSBE i ‘shkul veshin’ opozitës: Dënojmë nxitjen e dhunës

OSBE ka reaguar në lidhje me aktet e dhunës që ndodhën sot në protestën e opozitës para Parlamentit.

Me anë të një deklarate zyrtare, OSBE nënvizon se politikanët duhet të distancohen nga dhuna dhe të vetëpërmbahen.

“Dhuna nuk është përgjigjja për problemet e Shqipërisë. Ne e dënojmë sërish nxitjen politike të dhunës dhe bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje dhe përgjegjësi. Të protestuarit është një akt demokratik, por djegia e gomave, përdorimi i shashkave dhe çarja e kordonëve të policisë për të sulmuar një institucion publik, dhe veçanërisht zemrën e demokracisë, nuk janë të tillë.

Po ashtu, e nxisim policinë të reagojë në mënyrë përpjestimore. Ne po e monitorojmë situatën me shqetësim. Përgëzojmë mediat për shërbimin e madh që po i bëjnë demokracisë përmes raportimeve të drejtpërdrejta”, thekson OSBE.

Ora 20:10/ Përfundon protesta e opozitës, pas tre orësh përleshje me policinë

Situatë e tensionuar tek parlamenti, ku pas shtyrjeve dhe tentativave nga protestuesit për të çarë radhët e policisë është hedhur gazi lotsjellës.

Policët e rendit janë larguar dhe në radhë të parë është gati për ndërhyrje FNSH. Gazi lotsjellës ka arritur të shpërndajë turmën e protestuesve, një pjesë e të cilëve janë tërhequr drejt rrugës së Elbasanit. Policia hedh vazhdimisht gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Madje kryetares së LSI-së i hedhur tek këmbët por ka arritur të largohet në kohë.

Sheshi para parlamentit është boshatisur disa minuta por sërsh protestuesit kanë nisur të mblidhen. Policia me megafon iu bën thirrje protestuesve të ndërpresin veprimet e dhunshme.

Por pas gazit lotsjellës janë bërë gati botet e ujit për të larguar protestuesit.

Protestuesit kanë tentuar të çajnë radhët e policisë sërish dhe kanë hedhur herë pas here tymuese e bidona drejt policisë. Qytetarë të shumtë e mbështetës të opozitës janë vendosur në dy hyrjet e parlamentit, ku kanë kaluar deputetët e maxhorancës. Ata kanë lëshuar thirrje “Parlament i krimit”, “Rama ik!”, “Liri demokraci”, “Këtu vendosim ne”.

Mes protestuesve janë edhe kreu i PD-së Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi si dhe përfaqësues të tjerë politikë të opozitës. Ndërkohë brenda parlamentit vijon seanca plenare.

Ndonëse nuk ka tel me gjemba, masa të shumta sigurie janë marrë nga forcat e rendit të cilat janë vendosur në disa radhë.

Opozita vendosi të protestojë sot sapo Konferenca e Kryetarëve mori vendim të zhvillonte seancën e së enjtes së kaluar pasdite në orën 17:00.

Megjithëse është një protestë e paparalajmëruar dhe pa marrë leje Policia e Tiranës ka marrë gjithë masat për mbarëvajtjen e saj dhe sigurinë e institucionit të parlamentit.

Ora 19:07/ Rama: Qeveria nuk tërhiqet, përfundojmë kontratën me qytetarët

rama ne lushnje-konica.al

Nga Lushnja, kryeministri Edi Rama i ka përsëritur opozitës se nuk do të tërhiqet nga pushteti pasi do të respektojë kontratën e bërë me qytetarët.

Sipas maxhorancës, opozita po vepron në këtë mënyrë sepse nuk ka asnjë mundësi që të fitojë zgjedhjet vendore.Qeveria tranzitore sipas Kryeministrit nuk sjell asnjë garanci që opozita nuk do të ankimojë më pas procesin siç bëri në zgjedhjet e shkuara.

Nga Lushnja, kryeministri Edi Rama i është përgjigjur opozitës duke deklaruar se nuk do të tërhiqet nga kontrata 4-vjeçare me qytetarët.

Sipas kreut të qeverisë, opozita dogji mandatet sepse kishte frikë nga reforma në drejtësi.Rama: Pikërisht sepse erdhi dita të qeverisim me njerëzit dhe jo me partitë që pushtetin e njerëzve e kthyen në një tepsi të madhe. Ne nuk mund të tërhiqemi nga ky detyrim. Mblodhëm parlamentin sot. Nuk duam konflikt, nuk duam përballje nga ato përballjet primitive që kanë ata në kokë dhe parlamenti i çliruar më në fund prej tyre do të jetë vendi ku do të mund të flasin për ju.

Rama tha se PD dhe LSI nuk kanë asnjë mundësi që të fitojnë në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Sipas Kryeministrit, opozita ankohet për rezultatin edhe pse ishte pjesë e qeverisë teknike në fushatë dhe gjatë zgjedhjeve të fundit.

Rama: Ai ishte apo nuk ishte një vit e gjysmë pëpara ku u dhamë gjithçka kërkuan, morën gjysmën e qeverisë, Ministrinë e Brendshme. Pse ua dhamë ato? Vetëm për një qëllim, kush fiton qeveris dhe kush humbet bën opozitë.

Kreu i qeverisë nuk la pa ironizuar edhe deputetin demokrat, Myslym Murrizi, i cili nuk pranoi të digjte mandatin.

Rama: Ndodhi si ndodhi, unë nuk e di si ndodhi, por i vetmi me dy pare mend në kokë na doli Myslim Murrizi. Sido qoftë, thoni ç’të doni, por unë do kisha dashur ta kisha thënë unë, jo ai atë shprehjen u nisën për të rrëzuar Edi Ramën dhe më rrëzuan mua. Ky ishte revolucioni, revolucion për të rrëzuar Myslim Murrizin. Ajo që po thoja është mjafton të bëni krahasimin. Kjo që është sot jemi ne, ajo që ishte dje janë ata.

Takimi i radhës në Lushnjë ishte në kuadër të turit “Bashkia që duam”.

Ora 19:00/ Basha ngjiret sërish, këndon: “Eja mblidhuni këtu-këtu”

Me gjithë hedhjen e gazit lotsjellës as kryetari i PD-së Lulzim Basha dhe as kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi nuk e kanë lëshuar protestën.

Basha ka kënduar këngën e njohur partizane “Ejani mblidhuni këtu” duke iu bërë thirrje protestuesve të bashkohen.

“Edi Rama e Sandër Lleshaj që urdhëruan hedhjen e gazit lotsjellës mbajeni mend edhe mbi gratë shtatzëna, dita do të vijë për ju. Do të jepni llogari para ligjit nga i pari tek i fundit. Sovrani do ju çojë para drejtësisë dhe në burg aty ku e keni vendin horra dhe tradhtarë”, deklaroi Basha.

Më herët u hodh edhe gaz lotsjellës mbi protestuesit, ku lidhur me këtë ka reaguar edhe kryetarja e LSI, Kryemadhi:

“Kurrë nuk do ndaloni dot urrejtjen e shqiptarëve për qeverinë.
Ne prapë do vijmë këtu, ju prapë do hidhni gaz lotsjellës. Por nuk do ndaloni dot mallkimin e shqiptarëve. Mblidhuni të gjithë këtu dhe nuk do ikim deri sa të në shikojnë në sy deputetët e ardhur me votat e krimit”, tha Kryemadhi.

Ora 18:50/ Përshkallëzon protesta/ Lëshohet gaz lotsjellës

Tensionohet akoma më shumë situata në protestë, ku pas shtyrjeve dhe tentativave nga protestuesit për të çarë radhët e policisë, është hedhur gazi lotsjellës.

Policët e rendit janë larguar dhe në radhë të parë është gati për ndërhyrje FNSH. Gazi lotsjellës ka arritur të shpërndajë turmën e protestuesve, një pjesë e të cilëve janë tërhequr drejt rrugës së Elbasanit.

Protestuesit kanë tentuar të çajnë radhët e policisë sërish dhe kanë hedhur herë pas here tymuese e bidona drejt policisë. Mes policisë dhe protestuesve ndodhen ish-deputetët Flamur Noka dhe Klevis Balliu. Qytetarë të shumtë e mbështetës të opozitës janë vendosur në dy hyrjet e parlamentit, ku kanë kaluar deputetët e maxhorancës. Ata kanë lëshuar thirrje “Parlament i krimit”, “Rama ik!”, “Liri demokraci”, “Këtu vendosim ne”.

Mes protestuesve janë edhe kreu i PD-së Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi si dhe përfaqësues të tjerë politikë të opozitës. Ndërkohë brenda parlamentit vijon seanca plenare.

Ora 18:34/ Protesta/ Policia: Jo dhunës, do përgjigjemi

Vijon prej 1 ore protesta e radhës e opozitës para Parlamentit teksa vijon seanca plenare nga mazhoranca. Protesta është shoqëruar herë pas here me tensione dhe përplase mes policisë dhe protestuesve.

Protestuesit kanë hedhur ujë, kapsolla dhe bidona të mbushur me sodë kustike në drejtim të kordonin të policisë.

Pas këtij veprimi policia u ka bërë thirrje me megafon protestuesve që të ruajnë qetësinë dhe të ndërpresin veprimet e dhunshme, pasi do zbatojnë ligjin.

“Mos godisni Policinë. Ndërprisni veprimet e dhunshme dhe ruani qetësinë. Veprimet qe po kryeni përbejnë vepër penale. Policia do te zbatoje ligjin”- ka thërritur policia me megafon.

Ora 18:31/ Balla: Me PD ringjallen huliganët, e dinim se nuk do ishin sot

Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla tha se maxhoranca e kishte parashikuar që në korrik të vitit 2016 atë çfarë po ndodh sot me opozitën. Nga foltorja e Kuvendit, Balla tha se kjo që po ndodh është për efekt të krijimit të SPAK dhe BKH-së.

Sali Berisha, Lulzim Basha, Monika Kryemadhi… Ne e kishim thënë prej ditës së parë, e kishim parashikuar që në korrik 2016 që sa më shumë do afrohet dita e SPAK e BKH ata që përmenda më lart dhe që sot janë me një grup huliganësh nuk do të ishin.

Nuk është e rastësishme mungesa e tyre sot. Por ne jemi këtu sot për t’i qëndruar besnik votës së popullit shqiptar.
Shqiptarët në shumicë na votuan në qershor 2017 sepse e dinë mirë shqiptarët kujt t’ia besojnë votën. Ne jemi të vetmit që mund të çojmë para reformën në drejtësi. Me këto dy vendime përmbyllim një etapë të rëndësishëm të reformës në drejtësi”, tha Balla.

Sipas tij, 16 shkurti ishte një referendum për shkatërrimin përfundimtar të PD-së.

Shqiptarët kuptuan se me PD ringjallen huliganët, rikthehen situatat e 20 viteve më parë. Në 28 vite me radhë Saliu dhe PD kanë qenë përgjegjëse për skemat piramidale, luftën civile 97, grushtin e shtetit 98, shpërthimin e Gërdecit, 21 janarin e korrupsionin”, tha Balla.

Ora 18:13/ Kryemadhi paralajmëron: Do rrethojmë Parlamentin çdo seancë

monika kryemadhi-konica.al

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi deklaroi në protestë, se sa herë të ketë seancë, Parlamenti do të rrethohet nga protestuesit.

Kryemadhi tha se opozita zgjodhi të ishte si populli dhe të dilte në shesh si qytetarët. Ndër të tjera, ajo shtoi se deputetët e mazhorancës nuk janë përfaqësues të popullit por të Avdylajve, Bajrave, Habilajve dhe kriminelëve.

“Hajdutët kanë frikë dhe sot frikacakët përdhosën për të disatën herë selinë e Kuvendit, selinë e atij Kuvendi ku për hir të së vërtetës parlamentarët nuk kanë frikë nga populli i tyre, por përkundrazi, e përfaqësojnë atë. Ata sot treguan edhe njëherë që nuk janë përfaqësues të popullit. Ata treguan edhe njëherë që janë përfaqësues të Avdylajve, Bajrave, Habilajve dhe kriminelëve, që jo vetëm vodhën, kërcënuan shqiptarët, por edhe i varfëruan ata.

Ai Parlament ku sot kanë më shumë se katër orë që janë ngujuar deputetët nga frika, sot tregon edhe njëherë që është parlamenti që punon vetëm për pesë veta. Ai parlament sot tregoi edhe njëherë që në thelbin e zemrës së tyre nuk ekziston respekti dhe dashuria për votuesit e tyre socialistë, por ekziston vetëm dashuria për Vangjushin dhe për gjithë kriminelët e tjerë, që përdorën paratë e drogës për të bërë Edi Ramën kryeministër të Narkoshtetit”, deklaroi Kryemadhi.

Kryetarja e LSI, gjithashtu iu bëri thirrje ‘socialistëve të ndershëm’ siç i quajti ajo, që të bashkohen me opozitën.

“Janë papunë, kanë falimentuar bizneset e tyre nga taksat e larta, u janë larguar fëmijët e tyre në emigracion për një vend pune më të mirë, për të gjithë ato nëna dhe baballarë, të gjithë ata shqiptarë të cilët ndjejnë çdo ditë e më shumë mundësitë për të shkolluar e për t’i rritur fëmijët e tyre e kanë çdo ditë e më të pakët. Prandaj sot prezenca jonë nuk është vetëm për sot.

Por do të jetë çdo ditë. Do të jetë çdo ditë dhe në çdo moment, që ajo seli e parlamentit e cila në çdo moment ka qenë foltorja e fjalës së lirë në këto 27 vjet, nuk do të jetë e lirë nga rrethimi që populli do t’i bëjë asaj, sa herë që ata do të duan të bëjnë seancat e krimit të organizuar në atë parlament”, u shpreh Kryemadhi.

Ora 18:02/ Rama: Opozita i nxiu imazhin Shqipërisë. Mos shkoni pas të mbyturit!

Kryeministri Rama nga Lushnja u shpreh se protesta dhe gurët e hedhur drejt kryeministrisë me 16 shkurt i krijuan Shqipërisë imazh negativ në të gjithë botën.

Gjatë ciklit kombëtar “Bashkia që duam”, shefi i qeverisë iu tha lushnjarëve të mos shkojnë pas opozitës, pasi sipas tij, ata me daljen nga parlamenti treguan se nuk janë gjë tjetër, por vetëm një grup të “mbyturish”.

Ai pohoi se kjo opozitë nuk mund të triumfojë në zgjedhje ndaj maxhorancës, ndërsa pohoi se synimi i tyre është të krijojnë rrëmujë, tym dhe kaos.

“Betejën e kemi me injorancën dhe me plagën që ata krijuan në trupin e Shqipërisë. Ata duan rrëmujë, tym, kaos, që të përzihem mes popullit dhe mos t’i shoh më kush. Ata e dinë se betejat me ne nuk i fitojnë dot. S’kanë se si i fiton, jo sepse ne blejmë zgjedhje, por jemi më të mirë dhe më të zot se ata.

Nuk shahet më Shqipërinë në gjuhë të huaj. Zgjedhjet thonë na i morën, na i blen dhe nxi e shkri Shqipërinë në gjuhë të huaj, turp sa ska më. Këto vite kemi patur rritje të turizmit, por kjo do të thotë se kemi patur rritje ekonomike.

Ata qorra që i binin me gurë godinës së kryeministrisë deh qorrave që iu rrinin mbrapa çuan një mesazh shumë të keq. Mos hajdeni në Shqipëri, sepse mesazhi i tyre që çojnë është se: Këtu njerëzit i bien murit me kokë. Ju i shkoni mbrapa Lulit, Luli i shkon mbrapa Monikës. Monika që ngre sytë nga qielli dhe thotë: Mbroji shqiptarët nga blerja e zgjedhjeve. Iu shkohet pas atyre, përse? Dhe Luli thotë: Po përgatitet arrestimi i filanit: Mos! Nuk mund të shkohet pas të mbyturit, sepse i mbyturi të mbyt. Ata janë të mbyturit.”

Ora 17:53/ Protesta/ Idrizi-Ramës: Burrat e lënë pushtetin

Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, gjatë fjalës së tij në protestë, duke iu drejtuar kryeministrit Rama, u shpreh se burrat e lënë pushtetin, ndërsa diktatorët rrëzohen nga pushteti.

“Shqiptarët sot jetojnë në një moment të jashtëzakonshëm. Kur i janë vjedhur zgjedhjet u vidhet jeta. Shqiptarët janë të detyruar të braktisin Shqipërinë. Sot 2.2 miliardë euro të taksave të shqiptarëve vidhen nga 5 veta. Janë pikërisht këto arsye që detyruan opozitën shqiptare të mos jetë në atë Parlament të ngujuar të rrethuar me tela. Burrat dinë ta lënë pushtetin, diktatorët rrëzohen nga pushteti. Ikin dhe kërkojnë strehim politik si Gruevski. Sot shqiptarët duan zgjedhje, duan demokraci, duan liri”, u shpreh Idrizi.

Ora 17:30/ Protesta e opozitës/ Basha-Policisë: Arrestoni hajdutët

Në fjalën e tij para protestuesve Kreu i PD, Lulzim Basha apeloi edhe punonjësit e policisë para Parlamentit për ruajtjen e sigurisë.

Basha kërkoi prej tyre të bëjnë detyrën, e të arrestojnë ministrat e deputetët e akuzuar për korrupsion.

“Ju qëndroni mes hajdutëve e kriminelëve në atë godinë dhe popullit të vjedhur e të dhunuar në anën tjetër. Bëni detyrën, hiqni kapelën, arrestojeni hajdutët. Arrestojini dhe nxirrini me pranga në duar. Arrestojini bëni detyrën tuaj. Arrestojini para se t’i arrestojë populli i bashkuar. Asnjë fasadë nuk pi më ujë. Kupa është mbushur. Edi Rama shkaktar i varfërisë. Me Ramën nuk do ketë as zhvillim, as integrim, as paqe e as stabilitet.”  nënvizoi Basha.

Ora 17:22/Bashkohen liderët e opozitës, qytetarët kërkojnë të çajnë kordonin policor

Hidhen tymuese e molotov tek parlamenti ku ka nisur protesta e thirrur nga opozita.

Qytetarë të shumtë e mbështetës të opozitës janë vendosur në dy hyrjet e parlamentit, ndërkohë që kanë mbërritur edhe deputetët e maxhorancës.

Ndonëse nuk ka tel me gjemba, masa të shumta sigurie janë marrë nga forcat e rendit të cilat janë vendosur në disa radhë.

Opozita vendosi të protestojë sot sapo Konferenca e Kryetarëve mori vendim të zhvillonte seancën e së enjtes së kaluar pasdite në orën 17:00. Megjithëse është një protestë e paparalajmëruar dhe pa marrë leje Policia e Tiranës ka marrë gjithë masat për mbarëvajtjen e saj dhe sigurinë e institucionit të parlamentit.

Plani i masave të zbatuar është i ngjashëm me protestat e mëparshme të opozitës por vërehet një numër më i vogël policësh. Është formuar një kordon me punonjës rendi përgjatë gjithë rrethimit ku vërehet se të gjithë janë të pajisur me maska kundër gazit. Po kështu vërehet se mungojnë policët femra. Në vijë të dytë janë pozicionuar forcat “Shqiponja” ndërsa pranë godinës së parlamentit është vendosur Garda e Republikës. Në rrethimin e xhamisë së Namazgjasë janë pozicionuar FNSH-të, zjarrfikëset dhe autoambulancat. Në godinat e larta pranë parlamentit janë forcat RENEA.

Kjo është protesta e tretë brenda muajit shkurt e opozitës së bashkuar, e cila kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, një qeveri tranzitore që do i sigurojë vendit zgjedhje të lira e të ndershme.

Ora 17:14/ Tension para Kuvendit/ Basha: Klikës kriminale i ka ardhur fundi!

Gjatë fjalës së tij në protestën para Parlamentit, kreu i PD Lulzim Basha ka hedhur akuza në drejtin të qeverisë dhe kryeministrit Ei Rama.

Basha tha se qeveria ndryshoi ditën e seancës plenare sepse kanë frikë dhe sipas tij klikës kriminale i a ka ardhur fundi.

“Sot ajo godinë nuk është Kuvendi i Shqipërisë, por banda e hajdutëve që ka marre peng Shqipërinë. Ata që kalojnë ligje anti-kushtetuese dhe futën duart në kutitë e votave dhe i dhanë Shqipërisë Maduron e Ballkanit. Ato karrige nuk përmbajnë asgjë sepse pushteti i takon popullit. Ne kishim njoftuar protestën e radhës për të enjten, por nga tmerri i frikës ata ndryshuan orarin sepse mendojnë se mund ti shpëtojnë zemërimit të njerëzve. Fundi i ka ardhur klikës kriminale. Ora e të vërtetës ka ardhur”- tha Basha.

Ora 17:14/ Tension dhe tymues para Parlamentit, sulmohet ministri

Protesta e opozitës ka nisur me tymuese e molotov pranë parlamentit.

Një numër i konsiderueshëm mbështetësish të opozitës janë vendosur në dy hyrjet e parlamentit, ndërkohë që kanë mbërritur edhe deputetët e mazhorancës. Masa të shumta sigurie janë marrë nga forcat e rendit të cilat janë vendosur në disa radhë.

Ndërkohë protestuesit kanë tentuar të qëllojnë ministrin Blendi Klosi në momentin kur ka qenë duke hyrë në Parlament.

Sipas informacioneve, plani i masave të mara nga Policia, është i ngjashëm me protestat e mëparshme të opozitës por vërehet një numër më i vogël policësh. Është formuar një kordon me punonjës rendi përgjatë gjithë rrethimit ku vërehet se të gjithë janë të pajisur me maska kundër gazit. Po kështu vërehet se mungojnë policët femra. Në vijë të dytë janë pozicionuar forcat “Shqiponja” ndërsa pranë godinës së parlamentit është vendosur Garda e Republikës.

Në rrethimin e xhamisë së Namazgjasë janë pozicionuar FNSH-të, zjarrfikëset dhe autoambulancat, ndërsa në godinat e larta pranë parlamentit janë forcat RENEA.

Ora 16:25/ Mblidhen protestuesit, Policia rrethon parlamentin

Teksa Kuvendi pritet të mblidhet në orën 17:00 për seancën plenare, ka nisur mbledhja e protestuesve të opozitës.

Për organizimin e protestës nuk është dhënë leja nga blutë, ndërkohë që para institucionit të Kuvendit është vendosur edhe kordoni i Policisë.

Një numër i madh efektivësh janë vendosur tek parlamenti, ku ndodhen dhe Forca të Ndërhyrjes së Shpejtë por edhe të Gardës. Protesta e papritur e opozitës erdhi pas njoftimit nga mazhoranca për mbajtjen sot të seancës plenare me qëllim zëvendësimin e seancës së javës të kaluar.

Kjo është protesta e tretë e opozitës brenda muajit shkurt, e cila kërkon dorëheqjen e kryeministrit Rama.