MENU
klinika

Një vatër për një atdhe

Nuk shitet shtëpia e Konicës

27.02.2019 - 14:07

Të dy, emra të njohur në kontributin për vendin e tyre, por nga larg. Të dy, megjithëse larg në kohë, i dhanë kaq shumë çështjes kombëtare; Faik Konica dhe më vonë, Enver Hadri, si duket do të kenë pasur të njëjtin burim frymëzimi për shqiptarizmën. Nuk është fjala vetëm për idealet dhe muzën artistike – kësaj here është, si krejt rastësisht, e njëjta shtëpi banimi, që ka “njohur” dy shqiptarë të tillë…
Enver Hadri, veprimtari i njohur e çështjes kombëtare dhe të drejtave të shqiptarëve të Kosovës në Belgjikë, ka qenë pronar i të njëjtës shtëpi banimi me Konicën, shkrimtarin e madh dhe fin të gjuhës e letrave shqipe.


Shtëpia, që ndodhet në Bruksel, është bërë së fundmi objekt diskutimi. E konsideruar si objekt i një rëndësië të veçantë, nga komuiniteti shqiptar në Blegjikë, shtëpia mësohte të jetë shitur.

Menjëherë, lajmi është përgënjeshtruar nga e motra e veprimtarit Hadri, Nediha Hadri-Grapci, si dhe nga bashkëpunëtori i tij, Reshat Sahitaj.
“Im vëlla e ka të blerë shtëpinë. Ata të Faik Konicës, i janë ofruar vajzës, me arsyetimin se “këtu, ka banuar Konica”. “Edhe unë kam kujtime këtu, më tim atë”, – mësohet të ketë thënë, Hadri-Grapci.

 


“Shtëpia nuk ka dalë në shitje dhe nuk ka për të dalë kurrë, sepse aty ka qëndruar edhe Faik Konica. Nuk ka asnjë mundësi të shitet, sa të jemi ne gjallë. Ta bëjnë muze po, është krejt tjetër dhe kjo, mund të ndodhë me lejen e familjes”, – është shprehur Sahitaj.
“Tash për tash, nuk është shitje. Shtëpia ndodhet në “Rrugën e Shqipërisë”. Enveri ka pritur tri vjet që të shitej një shtëpi dhe ta blinte, dhe rastësisht ka qëlluar. Ai nuk e ka ditur se aty ka qëndruar edhe Konica i madh. Ka qenë rastësi dhe fat për Enverin, që ka blerë shtëpinë ku ka banuar Faik Konica”.

Enver Hadri ishte ndër veprimtarët më të shquar për të drejtat humane dhe ato politike të shqiptarëve të Kosovës. Prej vitit 1972, ai ishte zhvendosur në Bruksel, ku ngjalli dhe zhvilloi veprimtarinë politike në organizatën “Rezistenca Kombëtare e Shqiptarëve të Kosovës”, me veprimtarë të shquar, si: Ramadan Gashi, Riza Kadrija, Agim Rodoniqi etj.


Kjo organizatë pasqyronte aktivitetin e saj në revistën “Zëri i Kosovës”, në gjuhën shqipe dhe atë frënge. “Zëri i Kosovës” do t’i bëntë jehonë bashkimit të trojeve shqiptare. Revista përfaqësonte Kosovën, parë në këndvështrimin e saj, si çështje themelore në rendin e ditës për programet e diplomacisë ndërkombëtare.