MENU
klinika

NBA

Oklahoma me George përmbys Houston

10.02.2019 - 12:28

Vijon spektakli i NBA. Në prag të sfidës spektakolar “All Star Game” (luhet me 15 shkurt), San Antonio është mundur 125-105 nga Utah Jazz, duke zbritur në vendin e shtatë në Konferencën e Perëndimit.

Një ndeshje e dominuar nga basketbollistët e Jazz, superiorë në parket gjatë gjithë kohës, me Mitchell që realizoi 23 pikë, mbështetur edhe nga Gobert, me 21 pikë e 13 rebound.

Fiton edhe skuadra e Oklahomës, që pas një loje dramatike në minutat e fundit mposhti 117-112 Houston në shtëpinë e këitj të fundit. Fitore me përmbysje e Thunder, që e pa veten në disavantazh të 25 pikëve në mesin e ndeshjes, sfidë ku Harden realizoi 42 pikë.

Por në pjesën e dytë erdhi përmbysja e Oklahomës, me George që realizoi 45 pikë e 11 rebound, ndërsa Russell Westbrook realizoi një tjetër “triple double”, me 21 pikë, 12 rebound e 11 asist.

Kjo është ndeshja e nëntë radhazi për Westbrook që realizon “triple double”, duke barazuar rekordin e Wilt Chamberlain dhe në ndeshjen e radhës mund ta thyejë atë, duke shkruar historinë e NBA-së.

Washington, falë 31 pikëve të Beal, mposhti 134-125 Chicago jashtë fushe, duke mbajtur gjallë shpresat për play off. Toronto vijon të shkëlqejë dhe dominojë në Lindje bashkë me Milwaukee. Skuadra kanadeze fitoi sot 104-99 në fushën e New York, një ndeshje me rivalitet dhe emocione.

Të gjithë titullarët e Toronto realizuan mbi 10 pikë, me Lowry që ishte shënuesi më i mirë me 22 pikë. Nuk ka ruajtur të njëjtin ritëm Milwaukee, që u mund 102-83 nga Orlando, rezultati surprizë i ditës së sotme. Mungesa e Antetokounmpo u ndje për vendasit.