MENU
klinika

Reagojnë ndërkombëtarët

OSBE dhe Italia kundër opozitës: Dënojmë dhunën

20.02.2019 - 18:44

Pas votimit unanim të Këshillit Kombëtar të PD-së, për djegien mandateve ka ardhur dhe reagimi i OSBE.

Ata e kanë cilësuar këtë veprim si heqje dorë nga përgjegjësia, ndërsa bëjnë thirrje që të mos ketë skena dhune, duke theksuar se “ata që mundësojnë dhe nxisin dhunën do të mbajnë përgjegjësi”

Deklarata e plotë e OSBE

“Prezenca e OSBE-së këshillon fuqishëm që të mos ndërmerret asnjë përpjekje për të tronditur themelet e demokracisë përmes dhunës, që të mos ndryshohet procesi demokratik përmes presionit jodemokratik. Ata që mundësojnë dhe nxisin dhunën do të mbajnë përgjegjësi. Na vjen keq që paralajmërimet e kaq shumë miqve dhe partnerëve afatgjatë të Shqipërisë nuk u dëgjuan.

Bazuar në përkrahjen tonë të kahershme për Shqipërinë, ne bëjmë thirrje për sjellje të përgjegjshme dhe për rifillim të procesit demokratik në Kuvend, një nga arritjet e Shqipërisë demokratike moderne. Shqipëria ka bërë përparim domethënës përgjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit, në fushën politike, ekonomike dhe shoqërore, duke lënë pas autoritarizmin. Ky përparim duhet të vijojë për të mirën e të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe jo të përmbyset në dobi të një grushti dhunuesish”, shkruhet në reagimin e OSBE-së.

Nga ana tjetër, Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Alberto Cutillo, foli në lidhje me protestën duke thënë se liria e shprehjes nuk mund të justifikojë deklaratat që nxisin dhunën.

Cutillo deklaroi se shpreson që protesta nesër të jetë paqësore dhe se çdo shprehje e dhunshme do të dënohet nga pala italiane.

“Protestat janë një mjet ligjor i shprehjes së shoqërisë demokratike, por liria e shprehjes nuk mund të justifikojë deklaratat që nxisin dhunën dhe akoma më pak akte të dhunshme. Shpresoj që protestat e nesërme të jenë paqësore dhe të ruhet respekti për institucionet e shtetit. Çdo shprehje e dhunshme e pakënaqësisë do të dënohet me vendosmëri nga pala italiane”, deklaron Cutillo.