MENU
klinika

Teatri shqiptar

Pas suksesit në arTurbina, ‘’Kreditorët’’ shfaqet në Elbasan

01.02.2019 - 11:34

Drama ‘’Kreditorët’’ e njërit prej shkrimtarëve më të mirë suedeze, August Strindberg, do të shfaqet në teatrin ”Skampa” të qytetit të Elbasanit. Kjo vepër vjen nga regjia e Luli Hoxhës.

Pas suksesit që pati në Tiranë në teatrin arTurbina kjo shfaqje e bukur do të shfaqet në qytetin e kulturës më 1 dhe 2 shkurt, aty ku artdashësit nuk rrinë pa ndjekur aktivitetet kulturore.

‘’Kreditorët’’ vihet në skenë nga aktorët e talentuar Helidon Fino, Luli Hoxha, Laert Vasili, por dhe Tringa Shala. Ata e kanë treguar veten si profesionistë dhe të arrirë në rolet e tyre në Tiranë në teatrin arTurbina. Po çfarë sjell kjo dramë te publiku? Ajo sjell dramën e qenies sa dramën shoqërore të njeriut në ndjenjat e tij.

Një nga problemet themelore të qenies është ai i seksualitetit që oriention edhe personalitetin e njeriut. Seksualiteti është një premisë e një njeriu të balancuar, normal, mungesa e këtij aktiviteti human sjell njerëz të palotësuar dhe të babëzitur, po aq sa dhe zhbalancimi, kur erotika sillet si modë dhe bëhet një konsum i panevojshëm.

Të dyja këto prirje sjellin çrregullim mendor dhe shprehen në forma të ndryshme dramatike. Pikërisht këtu e ka nismën dhe marrëdhënia e munguar e njeriut në çift, po aq dhe në sjellje komunitare. Dhe pikërisht kjo mund të shfaqet në një vepër të autorit August Strindberg ku këto marrëdhënie në çift i zhvillon si në plan historik ashtu dhe në atë romantik të njeriut të sotëm.

Por kur këto probleme mbingarkohen dhe mbivendosen në vite ato nxjerrin krye atëherë kur u vjen rasti i parë. Krisja e marrëdhënieve bashkëshortore vjen në atë çast kur ka një disbalancë, një ngërç, një përjashtim të komunikimit sa dhe të përfshirjes së bashkëshortëve.

Në këtë mënyrë shfaqen dramat e njeriut. Në vetvete ndjenjat dhe emocionet sidomos ndaj seksualitet janë të vështira për t’u frenuar, por me përvojë dhe falë kulturës ato frenohen dhe krijohet një balancë marrëdhëniesh midis partnerëve që kanë qëllime më sublime ndaj idealeve të tyre për jetën.

E kundërta ndodh në shfaqje. Për 90 minuta marrëdhëniet bashkëshortore krijojnë krisje. Psiqika orienton dëshira dhe pasione të zjarrta seksuale, erotike, ngarkesa emocionale që vështirë të menaxhohen, gjë që dalëngadalë shfaqin krizën e parë të marrëdhënies në çift.

Këto çifte shfaqen si në një sëmundje, si një detyrim i mashkullit, si një detyrim ndaj aktit, si një nënshtrim ndaj ndjenjave, si një prepotencë patriarkaliteti modern, si një humbëtirë ku njerëzit duan të gjejnë veten por në të kundërt humbasin veten, si një marrëdhënie simbioze që kthehet sindromë, sindormë e njerëzve të etur nga pasione gjithfarëshe delirante.

Diku deliri lejohet vetëm në dashuri, por dashuria e orientuar nga deliri krijon njerëz egocentrikë dhe jashtë realitetit të marrëdhënies, është marrëdhënie e munguar, marrëdhënie e sëmurë. Sentimentalizmi që duhet të jetë prirja për të përmbushur vetveten krillet si prirje për të cunguar vetveten. Të gjithë aktorët e shprehin qartë këtë. Si egocentrizmin e njeriut kryenec, prepotent e delirant edhe njeriun që me shpresë do të afrojë marrëdhënie ndjenje. Kjo shpresë e femrës kthehet në dhunën e saj.

Po kjo nuk është vetëm produkt i njeriut të sotëm, njeriut modern. Pasioni dhe dëshirat seksuale të shprehura në këtë lloj forme janë sa njerëzimi ka histori, ato vijnë e shkruhen në lloj lloj tragjedish dhe dramash që në fillesën kur njeriu mësoi të shkruajë dhe të përvetësojë njerëzim për të shkruar se ç’është drama.

Qytetërimi riciklon gjendje të tilla emocionale dhe krize bashkëshortore. Në lidhje me këtë temë, nën efektin e performancës së aktorëve të mirënjohur do të shfaqet në teatrin ”Skampa” drama e sentimentalizmit.

Që me Budën pasionet, marrëdhëniet erotike, psiqike dhe ngarkesa emocionale distancojnë idealizmin e jetëgjatësisë së themeleve të njohjes dhe të së vërtetës,

“Kreditorët”, mundet të sjellë tronditjen e mekanizmave të njeriut të sotëm, që brenda shpirtit të tij kërkon gjithçka, por brenda tij ka boshëti.

Pangopësia është e pashmangshme te njerëzit e dobët dhe njerëzit e paplotësuar në manjakëri ndaj ndjenjës dhunë, a mos ka qenë kështu në krye të herës? Në këtë situatë historia mbresëlënëse, e cila me në krye krijesën perfekte të Zotit, gruan, e cila kthehet në një llogaridhënëse të pashpresë kundrejt një pangopje pafre, palimite e njeriut delirant, e atij që do të përfitojë mbi të gjitha mundësitë që i jepen në jetë, pa moral, pa norma, pa vlera të një marrëdhënie do duhet ta mbajë.

Në këtë mendim harrohet dhe nënvleftësohet femra, femra që risjell që me gruan e parë jetën, pjellorinë, gëzimin, përplotësinë e një gjysme të njeriut mashkull. Porse edhe sikur femra do të luaje me këtë nështrim të saj sa sjell me forcë ekzistencën e ndjenjave të saj në rol.

Në këtë vepër risillet dhe fati e mëkati i Evës, i kësaj gruaje të parë që, sa bëri mëkat, u bë dhe e paharrueshme në syrin e dramaturgjisë.

‘’Kush kërkon atë që ka dhënë do të mbetet në kohë dhe koha sot ka mbetur” shprehet në vepër.

Kjo vepër, dramë e gjinisë triller e autorit Strinberg risjell dramën e gruas, dramën e mashkullit dhe të marrëdhënieve, dramën e një seksualiteti të ndrydhur, dramën e sotme sa dramën e shumë viteve më parë. Ai është një nga autorët më të vlerësuar. August Strinberg lindi më 1849 në Stockholm.

Ishte një shkrimtar suedez me shumë rëndësi në letërsinë  e këtij vendi. Për gati katër dekada ai dominoi në letërsinë suedeze. Ai është i njohur për romantizmin dhe ekspresioneve që shfaq në veprat e veta. Është një nga shkrimtarët suedezë që hedh piketat në shumë gjini të dramaturgjisë. Ndërroi jetë në vitin 1912.

Nga Eugent Kllapi

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN