MENU
klinika

Albert Çaçi

Pasojat e tërheqjes së SHBA nga Afganistani

06.02.2019 - 09:35

Mbas 17 vitesh luftimesh,  mbi 1 triliard dollarë shpenzime, 2400 ushtarë të vrarë, SHBA ka vendosur tërheqjen përfundimtare nga Afganistani  të 14 mijë trupave të mbetura. Gjithashtu do të largohen edhe 8 mijë trupat e vendeve europiane të NATO-s, që  ngelën të habitur që Trump nuk iu mori as mendim për këtë vendim, por kjo tashmë është një praktikë pune normale për të.

Trump ka kohë që ka kalur nga “America First” në “Only America” dhe nëse europianët nuk e kanë kuptuar, keq për ta.

Vendimi nuk është shpallur akoma  zyrtarisht, por NYT njoftonte për një marrëveshje midis SHBA dhe talebanëve, që praktikisht konsiderohet e mbyllur. Kjo marrëveshje parashikon tre 3 pika: ndalim i menjëhershëm i luftimeve në gjithë territorin, nisja e bisedimeve me qeverinë e Kabulit dhe e treta angazhimi i talebanëve për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe moslejimin kurrë të kthimit të terrorrizmit në Afganistan.

Se sa do t’i mbajnë talebanët këto premtime, ngelet për tu parë.

A i arriti SHBA objektivat e kësaj lufte nga më të kushtueshme, që nisi mbas sulmeve të 11 shtatorit 2001?

Kjo është e vështirë të konstatohet, por një gjë është e sigurt. Por në situatën aktuale ushtarake në terren, ku forcat e koalicionit nuk zotërojnë më shumë se 50% të territorit dhe praktikisht për këto trupa të mbetura, shumë  të reduktuara, nuk ka më objektiva për tu arritur, një marrëveshje me talebanët është i vetmi opsion i mbetur.

Afganistani është një vendet më të varfra të globit, pa dalje në det, me një territor mbi 70% malor, me një mungesë të theksur infrastukture. Papunësia ka arritur 40%, vetëm 1/3 e popullsisë furnizohet me energji. Në  të gjitha klasifikimet e OKB, FMN, BB, për nivelin e varfërisë, korrupsionit, lirive të njeriut, sigurisë për jetën, nivelin e shkollimit, renditet në 5 vendet e fundit. Në fakt ka një vend të parë, ndoshta rekord botëror, dhe ky është në prodhimin e drogës, që është dhjetëfishuar në 10 vitet e fundit.

Një vend praktikisht i dështuar. 

Ka një sipërfaqe prej 653 mijë km katrorë, një popullsi prej 33,3 milionë banorë dhe një GDP prej 19,6 miliard dollarë.

E megjithë situatën kaotike politike dhe ushtarake, dhe pa një prespektivë të qartë për të ardhmen, vendi ndodhet aktualisht në qendër të një rivaliteti gjeopolitik si anjëherë më parë.

Në fakt, kaluan 17 vjet që kur SHBA, pas sulmit të 11 shtatorit, ndërmori sulmin ndaj qeverisë së talebanëve, pasi Al Qaeda e kishte shndërruar Afganistanin në një strofull të terrorizmit ndërkombëtar.

Mbas luftimeve të fuqishme në një territor jashtëzakonisht të vështirë, ku edhe Ushtria e Kuqe u detyrua të tërhiqej, duke impenjuar deri në  100 mijë trupa amerikane, sot situata operative në terren nuk është aspak e kënaqshme.

Qeveria afgane e mbështetur nga SHBA zotëron vetëm 56% të territorit të vendit (qendrat më të mëdha të banimit), kurse  pjesa tjetër e vendit është direkt ose indirekt nën kontrollin e talebanëve (239 komuna nga 407 gjithsej).

Aktualisht, mbas vendimit të SHBA për tërheqje, hapet  një lojë e madhe gjeopolitike për të mbushur boshllëkun.

Është në fakt një situatë shumë e komplikuar për SHBA, ku pas gjithë kësaj sforco të madhe 17-vjeçare ushtarake dhe ekonomike, Afganistani të bjerë në dorë të rivalëve të saj strategjikë, Kinës dhe Rusisë, të cilët gjithë këta vite kanë ndjekur në distancë evolimin e ngjarjeve, duke shpresuar në dështimin amerikan.

Gjithashtu amerikanët kanë shpenzuar 110 miliard dollarë (më shumë se kanë shpenzuar për rikonstruktimin e Europës mbas luftës me Planin Marshall) në këto vite për rikonstruksionin e vendit. Por në raport me Europën, ku ata  patën dominimin total, në një vend ku korrupsioni është endemik, një strukturë ekonomike pothuajse inekzistente, larg të gjitha rrugëve të kominikimit me botën, nën vringëllimin e armëve dhe atentateve kamikaze, efiçenca e këtyre shpenzimeve kolosale ka qenë mjaft e ulët.

SHBA, padyshim që e irriton jashtëzakonisht përgatitjet që po bën Kina për t’i zënë vendin. Në fakt, Kina gjithmonë projekton politikën e saj në long term. Kina gjithmonë ka kohë, nuk nxitohet. Rregullat e Sun Tzu, se  kur të tjerët zihen, vështro, kur ata përleshen, projekto  dhe kur ata ndalojnë, ndërhy,  janë në themel të politikës së sotme të Pekinit.

Për Kinën, Afganistani përbën një vend me interesa  strategjike me rreze të gjerë,  dhe për këtë, sidomos që mbas 2014, Pekini ka mobilizuar një gamë të gjerë levash diplomatike, politike, ekonomike, biles dhe informale. Për Kinën, qëndresa permanente  ushtarake e SHBA  përbënte  një kërcënim serioz për planin e saj të Rrugës së Mëndafshit, që pikërisht në Afganistan, ka një degëzim shumë të rëndësishëm. Por sidomos në anën ushtarake, të kishe SHBA si përballë në Paqësor, edhe në shpinë në Afganistan bëhej shumë e komplikuar.

Kina synon që  korridorin  që do të lidhë portin e Gwadarit të Pakistanit  në Oqeanin Indian  me krahinën e saj Xinjang, ku ajo po investon rreth 60 miliard dollarë, ta lidhë me jugun e Afganistanit nëpërmjet krahinës së Waziristanit.

Kina është futur fuqishëm ekonomikisht, dhe afërsia territorial e avantazhon me kompanitë amerikane.

Ajo pagoi 3 miliard dollarë dhe mori për 30 vjet minierën gjigande të bakrit në Aynak, si dhe ka marrë disa miniera të hekurit dhe arit në Herat.

Por Kina nuk ka vetëm interesa ekonomike. Sipas Xi Jiping, tre të këqijat më të mëdha për Kinën sot, janë terrorrizmi, ekstremizmi dhe separatizmi, dhe natyrisht ai  ka parasysh krahinën më problematike të Kinës, Xinjang, që kufizohet me Afganistanin. Kina ka problem me lëvizjet indipendentiste të ujgurëve, që duke patur  lidhje me partinë islamike të Tagikistanit, përdorin shpesh territorin afgan për bazat e tyre.

Pra, Kina synon të ketë thellësi strategjike në Afganistan për të ruajtar ekuilibrat e brishtë etnik në këtë zonë problematike.

Gjithashtu, Kina mundohet të lozë edhe politikisht. Ajo ka një kartë shumë të fuqishme për të lozur. Aleati i vetëm i talebanëve është Pakistani, që ka 2430 km kufi me Afganistanin, dhe ka shërbyer si bazë e fshehtë për ta gjatë gjithë luftës, sidomos krahina e Waziristanit, dhe që së fundmi Trump i preu të gjitha ndihmaT ushtarake.

Pakistani, që është në një konflikt permanet me Indinë, tashmë është futur totalisht nën orbitën kineze, dhe në këtë rast, së bashku me Kinën mund të ndikojnë në krijimin e një stabiliteti politik në Afganistan.

Asaj që i vështirësohet shumë loja në këtë situatë të re gjeopolitike, është India.

Në kohën e qeverisë së Karzait, India krijoi lidhje shumë të fuqishme me Afganistanin. Për Indinë, lidhjet me Afganistanin janë të një  rëndësie shumë të madhe strategjike, pasi dominimi i rivalit të saj Pakistanin, së bashku me Kinën të Afganistanit, do të thotë mbyllja e rrugëve  tokësore të  Indisë drejt tregjeve të Azisë Qendrore  nga krahu perëndimor, pasi në veri dhe lindje  janë Himalajet e pakalueshme.

India  për këtë  kryen një lëvizje tjetër strategjike për të mos u anashkaluar. Ajo forcon lidhjet me Iranin, merr në koncesion portin e Kabaharit në Oqeanin Indian, dhe fillon ndëtimin e hekurudhës së shpejtë që nga brigjet e oqeanit të kapë Afganistanin duke anashkaluar Pakistanin.

 Aktori tjetër gjeostrategjik, Rusia, e shikon me shumë interes largimin e SHBA.

Sipas strategëve të Moskës, kjo është një tërheqje shumë e  madhe strategjike e SHBA nga gjitha Azia Qendrore, që do të jetë shume vështirë të rikuperohet në të ardhmen. Moska, duke shfrytëzuar faktin që BS  e mbajti të pushtuar për rreth 10 vjet, ka akoma shumë lidhje, sidomos me qeverinë aktuale, por mban marrëdhënie dhe me talebanët, dhe synon që së bashku me Kinën dhe Iranin (me shumë influencë në Afganistanin perëndimor) të stabilizojnë politikisht Afganistanin mbas  largimit të SHBA nga rajoni.

Në fakt, qëllimi kryesor i Rusisë është një Afganistan i stabilizuar që të frenojë penetrimin  e kufirit jugor të saj nga grupet terrorriste, që së bashku me ekstremistët islamikë në Republikat muslimane të Federatës, të destabilizojnë Rusinë. Një Afganistan i destabilizuar, u jep mundësi grupeve islamike radikale të përhapen edhe në gjithë Republikat e e Azisë Qendrore, që janë të gjitha në kufirin jugor të Rusisë, duke kërcënuar vetë atë.

Pra, siç shihet, në kundërshtim me atë që duket në pamje të parë për një vend të prapambetur, shumë i vështirë për tu arritur, larg deteve dhe oqeaneve, i destabiliazuar politikisht, Afganistani sot përbën nga të paktat vende ku të katër fuqitë më të mëdha të botës, SHBA, Kina, Rusia dhe India janë në një rivalitet të jashtëzakonshëm gjeopolitik.

Sidoqoftë, vendimi i SHBA për tërheqje e komplikon shumë situatën. Ajo që është jashtëzakonisht e shqetësuar është qeveria afgane, që edhe me mbështetjen e  trupave amerikane, e ka shumë të  vështirë të përballojë talebanët. Jo vetëm kaq, por largimi amerikan hap skenare që sjellin kujtime të hidhura historike.

Kur Ushtria e Kuqe u largua nga Afganistani, dhe BS  nisi disintegrimin, Presidenti Naxhibullah, që i kishte shërbyer për vite rusëve, u var në një shtyllë nga bandat talebane të Mullah Omarit.

Askush në Kabul nuk mendon se talebanët në këto vite lufte të egër janë moderuar dhe mund t’iu besohet.

Sidoqoftë, mbas largimit të Ushtrisë së Kuqe në 1989, ky është largimi i dytë i madh historik nga SHBA.

Të dyja,  si ish-superfuqia BS, ashtu edhe superfuqia e sotme SHBA, po largohen nga Afganistani jo se u mundën në fushat e betejës. Absolutisht jo, por interesat  nga vazhdimi i kësaj lufte në raport me shpenzimet kolosale, nuk ia vlenin më  vazhdimi i operacioneve ushtatarke.

Tani është koha me sa duket për  debutimin në Afganistan të superfuqisë së tretë që po lind. Largimi i SHBA është konsideruar një dhuratë shumë e madhe gjeopolitike për Kinën, që tashmë ka fushën e hapur.

A do të arrijë ajo ta stabilizojë politikisht dhe forcojë ekonomikisht këtë shtet të dështuar, apo edhe atë e pret dështimi?

Kjo do të jetë një sfidë shumë e madhe për Kinën. Natyrisht ajo nuk projekton të fusë ushtrinë  e saj, dhe kjo mund të shndërrohet në një avantazh shumë të madh. Kina synon të përdorë metoda të tjera ”soft”  që mund të rezultojnë shumë më efektive në një popullsi që nuk rezulton shumë miqësore me të huajt.

Mbas largimit të SHBA, Afganistani hyn në një fazë të re, që nuk është e thënë që mund të jetë më e mirë, por nëse do të ndalojnë armët, siç shpresojnë amerikanët, ky do të jetë një hap i madh përpara drejt paqes, në një vend që  luftohet pa ndërprerje që nga viti 1979, duke rrënuar një popull të tërë.