MENU
klinika

Reagimi

PE: Vendimi për djegien e mandateve, kundër negociatave me Brukselin!

18.02.2019 - 17:57

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian Knut Flackenstein, ka komentuar vendimin e Partisë Demokratike për djegien e mandateve. 

Në një reagim për “TemA”, eurodeputeti shprehet kundër këtij qëndrimi duke argumentuar se sjellja e opozitës vijon të jetë e njëjta prej pesë vitesh. Ai sugjeron që forcat opozitare duhet të japin një alternativë si brenda ashtu edhe jashtë parlamentit.

“Nuk është hera e parë që përballemi me këtë situatë, ku opozita shqiptare braktis punën në parlament.  Për mendimin tim, asgjë nuk ka ndryshuar gjatë 5 viteve të fundit në këtë drejtim.  Është puna e opozitës në parlament, dhe nëse ata e konsiderojnë të nevojshme edhe jashtë parlamentit, të ofrojnë një alternativë ndaj politikës aktuale. Në fund të ditës, është në dorë të çdo anëtari të parlamentit të vendosë nëse ai ose ajo dëshiron të heqë dorë nga mandati i dhënë nga populli”, nënvizon eurodeputeti.

I pyetur nga gazetari Andrea Danglli se si do të ndikojë djegia e mandateve në hapjen zyrtarisht të negociatave nga Bashkimi Europian për Shqipërinë, Fleckenstein gjykon se një vendim i tillë do të shkaktojë efekt negativ te vendet anëtare.

“Sigurisht që do të ndikojë në vendimin e Brukselit për hapjen e negociatave për Shqipërinë në qershor të vitit 2019.  Për një vend pa funksionimin e parlamentit dhe pa opozitë, është më e vështirë të arrihet marrëveshja e nevojshme e Shteteve Anëtare”, përfundon Fleckenstein.