MENU
klinika

Permeti/ Magji dhe problematika

Aty ku Zoti vështronte dikur me trëndafil në dorë

13.02.2019 - 16:22

Nga Eugent Kllapi/

Ndodhet në tre elementë perfektë të jetës. Në tokën e begatë që zhdërvidhet në lumin Vjosë deri në Majën e Dritës, atë të Papingut, në erën që të lodron midis erës së luleve, pemëve, lulishteve e pyjeve të bredhave, derisa në qafë të malit Dhëmbel t’i merr flokët si e marrë, në ujin e magjishëm të shumëllojeve, nga ai i egër dhe i fuqishëm i Vjosës e deri te llixhat e Bënjës që të rijetëson.

Ai banohej nga fisi ilir i cili quhesh Parauej. Gjatë sundimit feudal-ushtarak osman, ajo quhej kaza. Në fillim lidhej me Korçën, kurse në 1437 hyri në juridiksionin e sanxhakut te Gjirokastrës, më pas nënprefekturë e Prefekturës së Gjirokastrës.

Ndahet në gjashtë krahina: Rrëza me qendër Permetin, Dangellia me qendër Frashërin, Shqerria me qendër Kovacishtin, Dëshnica me qendër Këlcyrën, Cerja me qendër Hotovën dhe Malshova me të njëjtën qendër.

Rrethi ndërtohet nga tre njësi fiziko – gjeografike, zinxhiri malor Qarisht – Dangëlli – Postenan; Lugina e lumit Vjosa dhe zinxhiri malor Trebeshinë – Dhëmbel – Nemërckë. Qyteti ka shumë karakteristika dhe është një univers i tërë për t’u eksploruar përgjatë një vargmali. Nëmërçka është mal i lartë 2485 metra, Dhëmbeli 2080 metra dhe Trebeshina 1922 metra. Të tre janë një mrekulli që quhen ndryshe vargmal.

Në qoftë se je i pajisur me busull koordinatat shënojnë 40°14′09″V 20°21′08″L. Nga larg të shfaqet një qytet i lulëzuar dhe i vogël, i mpakur disi pas malit të bukur të Dhëmbelit plot me jeshillëk.

Rruga për të shkuar kalon Gjirokastër –Tepelenë, ndahet tek ura e stili italian në fshatit Lekël dhe merr në formë apendisiti një rrotullim për t’u shoqëruar nga fshatra të tjerë të bukur si Kodra, me historinë e saj të dhimbshme në kohën e luftës ballkanike, fshati i Dragotit i futur rrëzë Vjosës me bukuritë e tij, ku duhet të kalosh mbi urën e ndërtuar nga italianët gjatë Luftës, aty afër një burim i pamatë me ujë të kulluar për t’u çlodhur si dhe dy lokale.

Rruga më pas si në magji filmi ndjek me sy një fshat të fshehur, po me asfalt të quajtur Peshtan dhe rrugën e shoqëron një fshat i quajtur Mezhgoran derisa arrin në mesin e një kanioni gjigand malesh që sikur do të vrasin, një bukuri e egër dhe e bukur si në përrallë, futesh në një përrallë që quhet ndryshe ‘’Uji i ftohtë i Këlcyrës’’. Sytë të bëhen këtu regjizorë, skenaristë, shkrimtarë, letrarë, impresionues, të magjishëm në ngjyra, përfundon duke menduar këndshëm në retrospektivë për veten dhe të bukurën.

Nga Trebeshina e bukur plot aromë të freskët pishash rruga duhet të shkojë për në Dhëmbel. Të dy malet bashkëjetojnë me njëri-tjetrin sa jetë ka pasur në planet. Aty mund të pagëzohesh me madhështi.

Nuk kemi arritur akoma. Shfaqet një qytezë e quajtur Këlcyrë dhe pasi kalon këtë qytezë të shoqërojnë të tjera fshatra si Mbrezhdan, Pacomiti,  Piskovë, Rapckë, fushat dikur të mbjella me fruta të Pagries, sheh kishën e Shën Mërisë që ngre krye bukur e restauruar dhe prepotente që nga rruga kryesore, arrin deri tek fshati i bukur i Bualit ku kanë origjinën shumë Përmetarë, ballë për ballë ngjitur me rrugën është fshati i Kutalit, as gjermani se gjeti këtë për ta djegur, por e tradhëtoi vetë përmetari. Bodarin e sheh të ngjitur pas Kutalit dhe më në fund del një perlë që quhet Përmet. Këtu Zoti është menduar mirë pa e ka bërë, do ta ketë pasur ditë feste.

Në gjithë rrugën të gjarpëron Vjosa duke u vjedhur me vrullin e saj. Ky lumë, i cili me biodiversietin e tij është nga të fundmit të quajtur ‘’i egër’’ në bukurinë e tij në Europë. Ndonjëherë egërsia është sa romantizëm, përsosshmëri, relaks dhe jetë, qënësi.

Rruga tjetër më e gjatë dhe më me dredha ndjek itinerarin nga Nemërçka në Dhëmbel për nga qendra e Shqipërisë dhe vjen nga Korça. Nga Leskoviku ajo zbret në Çarçovë, më poshtë rruga zbret duke parë një magji e mrekullueshme që do eksploruar, nëpërmjet honeve të mrekullueshme të Nemërçkës në Draçovë-Strëmbec, deri në Katundisht nga ana tjetër të shfaqet dalëngadalë një fshat i vogël buzë rruge që quhet Petran dhe që ndjell një tjetër zonë të magjishme, që quhet fshati Bënjë, me zonën e saj të mrekullueshme të llixhave të Bënjës dhe kanionit të Lengaricës. Është zemra e argëtimit, relaksit dhe turizmit përmetar. Përmetarët janë rritur në llixhat e Bënjës, kanionet dhe lumin e Lengaricës. Shumë vaska me cilësi të shumta kurruese sidomos për shumëllojshmëri sëmundjesh gjendet aty.

Ndodhet afër nga Përmeti, 7 kilometra, 2 orë rrugë më këmbë dhe pak me bicikletë, me makinë sikur është lagje e Përmetit, një gjysmë ore po pa trafik, dhe një ditë në qoftë se do të bëhesh i magjishëm, mrekullisht mund të rrish sa të duash dhe të impresionohesh për ta mbajtur mend gjithë jetën. Dalëngadalë magjia përsëri shfaqet dhe quhet Përmet. Dhe përsëri si aleati jot i syve të shoqëron pamja e mrekullueshme e Vjosës, Vjosa nuk të ndahet me magjinë e saj, ajo të shoqëron në çdo cep si mikpritësi i parë.

Pasi kalon urën e vetme shfaqet nja rrugë që të shpie nga të dy anët, si nga ajo afër qendrës dhe nga Guri i Qytetit, një vend me mite e bukuri, pikëtakim turistësh. Rrethi i Përmetit shtrihet midis Gjirokastrës, Tepelenës, Skraparit, Beratit, Ersekës. Në të gjithë këto qytete vetëm Përmeti mbahet si më i urti ndër tyre, si vëlla i vogël i qetë që bashkëjeton bukur me vëllezërit sherrxhinj.

Është një kartolinë zviceriane që ngelet si për përvjetor në mendje dhe nuk shqitet kurrë, sinonimi i fjalës Përmet është bukuri, kurse njerëzit mburren, sa mund edhe të shahen nga pas për cilësitë e tyre.

Legjendat afrojnë versione të ndryshme, thonë se zona quhej me termin Trifilia. Heroi Premt hidhet nga Guri i Qytetit dhe kështu merr dhenë për nder të tij fjala Përmet.

Një version tjetër i prejardhjes së fjalës Përmet sipas studiuesve është togfjalëshi ‘’Prem-etjen’’. Version mjaft i besueshëm edhe ky, duke parë që Vjosa e bukur i kalon në këmbët e qytetit. Mendohet se kalaja e Përmetit, që ndjek fill gjithë pjesën sipër qytetit nga Spitali deri tek qendra ka qenë një fortesë që tashmë i kanë ngelur diku ndonjë gur, ndonjë pemë pishe dhe zhavorr grilli.

Qyteti është i rrethuar nga lulishtet, pemët, një panoramë ndërtesash dhe njerëz që të vështrojnë nga koka deri te këmbët me qetësi dhe me kujdes. Nuk mungon bujaria te përmetarët, janë të ngrohtë dhe duan të njohin në detaj, të gjetshëm. Nga fillimi në fund qyteti mund të përshkruhet me qetësi për gjysmë ore, nga filllimi në fund me kujdes mund të duhen ditë të tëra për të eksploruar pafundësi kulturore.

Përmeti ka një popullsi prej rreth 12 mijë banorësh. Nga ana e fesë ata ndahen në të krishterë ortodoksë, muslimanë dhe bektashinj. Ka dy shkolla të mesme ‘’Sami Frashëri, afër Gurit të qytetit dhe, Meleq Gosnishti, dhe dy nëntëvjeçare, Melegj Gosnishti pak më sipër qendrës së qytetit dhe ‘’Nonda Bulka’’ pak më tutje qendrës së qytetit.

Karakteristikë e qytetit nga ana vizuale kanë qenë lulishtet e shumëllojshme, ndërtesat e ulta. Kulinaria, mikpritja, muzika e sazeve, qetësia, pastërtia etj etj etj. Kohët e fundit është bërë dhe qendra e qytetit me ambiente dekorative që shoqëron lulishtet. Falë edhe investimeve është ridimesionuar zona e qendrës, përmirësimin e ndriçimit dhe rikonstruksionin e rrugëve për këmbësorët, rikonstruksionin e rrugëve automobilistike dhe rikonstruksionin e fasadave. Por gjithashtu edhe këto nisma të rëndësishme hasin problemet e tyre.

Si çdo qytet ai ka dhe lokale të shumta dhe me tepricë. Në qendër të mirëpresin disa lokale dhe hotele. “Guri i Qytetit”, është një vend i veçantë nga mund të shihet këndshëm qyteti i gjithi. Disa rrugë paralele me rrugën kryesore të çojnë të sodisësh rrugët, ndërtesat, shtëpitë karakteristike, kishat, xhamitë, lulet, njerëzit dhe të veçantat e tyre.

Përmeti ka nxjerrë emra pafund në lëmin e kulturës, si psh., tre vëllezërve Frashëri, Naimit, Samiut dhe Abdylit, skulptorit të famshëm Odhise Paskalit, shkrimtarit satirik të rilindjes Nonda Bulka, aktorës artiste e popullit Tefta Tashko Koço, tenorit të famshëm me zë unik Mentor Xhemali e instrumentistit me famë deri në qarqet uzikore të Parisit Laver Bariu, shkrimtarit të mirënjohur Bardhyl Londo, apo mendimtarit filozofik si Sejfulla Maleshova, studiuesi muzikolog dhe instrumentist, etnomuzikologu, akademikut Vaso Tole, shkencëtari Nikolla Çasko, historianët Stefanaq Pollo e Kristo Frashëri, linguisti Kostallari. Shtëpia e kulturës tashmë kishë në qendër të qytetit ka qenë e famshme për aktivitetet artistike, aty kanë drejtuar kompozitorë të mirënjohur si Aleksandër Peçi, Aleksandër Lalo, kompozitori i njohur Thomas Simaku.

Qyteti karakteristik i njerëzve të urtë dhe mikpritës, i luleve, këngëve popullore lirike me saze, qyteti i verës, rakisë, por veçanërisht i glikove të famshme me nam deri në Zvicër e Amerikë.

‘’Qyteti është i pastër. i ndërtuar mirë dhe i vendosur për bukuri në anë të Vjosës ngjyrë të kaltër e blertë e cila vazhdon nëpër një luginë që e ka çarë vetë në tokën e butë. Ka 7000 banorë, tri xhami, tri kisha, një shkollë vajzash e djemsh të krishterë dhe një shkollë për djem muslimanë. Një shkëmb i madh që është shkëputur nga mali, qëndron krenar në buzë të lumit, i kurorëzuar me gërmadhat e një manastiri , vendbanimi i një të shenjti të harruar dhe një burim me ujë të bekuar rrjedh në themelet e tij. Në bregore janë mbeturinat e një kështjelle që ishte ngritur në kohën e Ali Pashës. Përmeti me qiparisat e tij të lartë, me dishujt e pupurtë dhe me gjelbërimet pranverore, m’u duk një nga pikat më të bukura të botës.’’ thoshte Edith Durham.

Në fakt po, qyteti ia merr rrëzën malit Dhëmbel dhe ndalon në këmbët e tij, në një lumë të rrëmbyeshëm. Një mal i gjerë që në majë në lartësinë e 2 mijë metërshit të duket si fushë futbolli e stërmadhe me gur të rrafshët të bardhë dhe shumë bar për bagëtitë që dikur kishin stanet e tyre. Deri te gryka e Kiçokut mali bëhet i shtruar.

Ballë për ballë shtrihen kodra e male të gjera pareshtur ku në një cep me sy mund të shohësh diku zonën e Frashërit, kurse nga mali Dhëmbel duket mali  i Tomorit. Nga ana tjeter duket si në hapësirë zona e Alipostenanit me teqete e tij të famshme. Në mal njeriu duket mbret dhe i lirë të zgjedhë çfarë të dojë të shohë.

Mbretërohet në qetësi. Nga ky mal rrjedh një përrua i rrezikshëm që e ka shkatëruar dikur Përmetin 2 herë, kurse një herë iu vu gjermani dhe e dogji. Përroi sikur i paralajmëron për ‘’Kataklizmë’’ përmetarët.

Për fat të mirë përmetarët nuk e kanë prishur asnjëherë, por ndonjëherë njeriu e prish natyrën gradualisht. Si gjithmonë ‘’një e mirë e madhe e ka një të keqe të vogël’’.

Një burim të mrekullueshëm në majë të Dhëmbelit që quhet ndryshe gura e Veli Beut është një suprizë për gjithë ata që dëshirojnë të eksplorojnë malet. Ky ujë burimi i futur në një zgavër, një mrekulli e natyrës, në majë të malit vazhdon si përrrua i nëndheshëm deri në ujin e ftohtë të Ujit të Zi në Këlcyrë, përshkon me kilometra të tërë thonë poshtë malit Dhëmbel, derisa shkon shtruar deri në këmbë të malit Trebeshinë.

Dikur për ta vërtetuar kanë hedhur kecin aty, dhe keci ka dalë në ‘Ujin ne Zi’, në Këlcyrë, që ndodhet përballë Sarajeve të rrënuara të Ali bej Këlcyrës. Uji i Zi është me nam dhe një vend tjetër në Këlcyrë për t’u eksploruar.

Të gjitha me sy këto mund të eksplorohen në qoftë se hipën mbi fshatin Lipë, një fshat i mrekullueshëm dikur për pemët e tij të shumëllojshme si mani, dardha, thanat, kumbllat dhe shtëpive karakteristike, kishës, gurrën e tij të bukur, si dhe njerëzve mikëpritës njësoj si fshatrat e tjera që promovohen si, Leusa, Bënja, Kosina, Dracova etj.

Përmetarët e kanë ves mikëpritjen, ndonjëherë veset e bëjnë njeriun të virtutshëm dhe më shumë se të nderuar.

Vjosa është një mrekulli e rrëmbyer që i shton bukurinë qytetit të Përmetit, Përmeti nuk mund dot të kuptohet pa Vjosën, vendin ku në verë përmetarët bëjnë plazh, dhe peshkim. Në tre stinë të vitit për të apasionuarit, për të apasionuarit fare-fare, ka rafting, si dikur kishte komardare për të bërë xhiro në lumin e zhurmshëm dhe të rrezikshëm, rrezikshmëri që i shton virtytin si unik në lumenjtë e Europës.

Ndonjëherë virtuoziteti nuk shprehet vetëm në instrumente muzikore, nuk ka magji më të plotë se muzika e natyrës, oshëtima e lumit. Dimrit ai fryhet dyfish sa inatet e njerëzve që flenë, dhe ka një oshëtimë që do dëgjuar në mëngjes herët, është melodi e jetës së natyrës. Oshëtimë që mbledh hallet e përmetarëve dhe i shtyn tutje, duhet një det i madh të mbledhë oshëtimat e Vjosës e ta qetësojë atë për hallet që ka. Vjosa përshkon 58 km të rrethit dhe renditet i dyti në Shqipëri për rezervat hidrike që përmban.

Të rinjtë dikur prisnin të dilte në pah ‘Guri i Bardhë’ që qëndron në mes të Vjosës pas muajit maj, për të lozur rreth e rrotull tij në verë dhe në shumë vende të preferuara. Qytetarët bëjnë plazh në shumë zona të lumit poshtë qytetit, si në Kaçur, Motor, tek Ura, Lundra apo Skutaraq, vende ku ka plazhistë masive dhe një atrakasion edhe për gjithë vizitorët që duan të freskohen verës.

Ndonjëherë përmetarët laheshin në orën 12 të natës, nuk ka kënaqësi më të madhe se të lahesh kur ora ndërron ditë, është kryevepër që e mbart uji i ngrohtë. Lumi diku është i rrëmbyeshëm dhe i rrezikshëm, gjë që s’u bën përshtypje përmetarëve të mësuar me rreziqet e tij, diku i qetë si liqen, megjithatë për përmetarët lumi është jetë, nuk mund të kuptohet një përmetar pa përmendur Vjosën, burimin e Coles, duke mbushur bidonat e tij e duke u freskuar krello në Vjosë, ky nuk quhet përmetar. Peshkimi ka qenë sport tradicional, ndonjëhërë edhe kallëpit me dinamitit që hidheshin në të, si dhe derdhja e ujrave të zeza që do menduar si të neutralizohet.

 

Karakteristika të Përmetit

Në Përmet dominojnë shumë pemë e lule po mbi të gjitha pisha e butë. Është quajtur ndryshe ‘’Qytet i luleve’’, ‘’Qytet i trëndafilave’’, ‘’Qytet i kulturës’’, apo qytet nga burojnë sazet, qytet i ushqimit të mrekullueshëm dhe të veçantë, ‘’Qyteti i likove’’ qytet i qetë dhe me kulturë, qytet i veçantë dhe që lë mbresa. Lulet kanë dominuar gjithmonë jetën e përmetarëve.

Vetëm det nuk ka siç mburren banorët e saj. Mendohet se Përmeti kishte të kultivuar dikur mbi 30 lloj trëndafilash, më i famshmi është i ashtuquajturi bullgar a ‘’trëndafil Stambolli’’, po ka pas shumësi trëndafilash, mbizotëronte një trëndafil i vogël i kuqërremtë që mbushte anët e lulishteve me vijë horizontale pothuasje kilometrike po të mblidhesh nga Policia e Qytetit deri tek Guri i Qytetit.

Më romantik dhe më i rrallë ishte i verdhi me petale të rralla ashtu si i bardhi, rozi i tillë, rozi i vogël plot aromë, apo i kuqi i vogël petalepaktë, nuk mbahen sa lloje ka pasur por ‘’trëndafili i Stambollit’’ mbahej për likotë e famshme që bëheshin me të, për shurupin e këtij trëndafili, esencën që nxirrej prej tij si uji i trëndafilit. Llokume të bajamta me fletë trëndafili, në vend të livandos përdorej si aromë dikur esencat e trëndafilit. Ka pasur edhe esencë dhe një lloj të veçantë zambaku me aroma unike.

Ndër bimët e egra dhe me vlera medicinale mund të përmendim sherebelën, murizin, çajin e malit po dhe shumë të tjera si bliri i egër i kuq, apo trëndafili i egër, kulumbritë, dëllinja e kuqe etj. Sidomos për sherebelin ka shumë interes po pak strategji.

Trëndafil rozë ‘Stambolli’ mbante erë një muaj të tërë me një gotë me aspirinë. Frutat në zonën e Përmetit dikur kanë qenë të famshme, që nga llojet e ndryshme të rrushit, qershia e disa llojeve që nga vishnja e deri te ato të famshmet italiane kokërrmadhe, luleshthrydhet, dardhët, kajsitë, sidomos kumbullat gërqinjë në çdo shëpi, shegët etj, etj., kanë qënë si në shtëpitë përdhese dhe në fermat apo kooperativat e dikurshme. Ato i jepnin një gjelbërim të pamatë dhe e kthenin në një parajsë ku nëntë fshihte dhe plot halle të veta.

Gjithë brezaret e lulishteve dikur kanë qenë të mbuluara rreth e rrotull me trëndafila shumëllojësh të të gjitha ngjyrave, grupeve. Ndër lulet e tjera të preferuara kanë qënë sidomos violat e llojeve të ndryshe, gojëujku i shumë ngjyrave në mure, menekshetë, zamabakët të shumë llojeve si dhe lule të ndryshme dhe gjithë gama e pafundme e luleve të shtëpive përdhese. Natyra për përmetarët ka qenë mbreti, më pas shteti, një lloj romantizmi që nuk i hiqet kurrë përmetarit.

Disa nga eventet që mbahen mend në përmet janë ‘’Dita e pastërtisë’’, ‘’Dita e ushqimeve’’ dikur ka pasur ditë festivalesh nga shtëpia e kulturës, “Festivali Internacional Multikulturor, “Festa e verës”, gara me rafting, kanotazh dhe Rally, apo dikur ditë e shënuar ka qenë 24 Maji.

Ushqimet, kulinaria, glikotë

Likotë apo glikotë si i thonë përmetarët, janë të famshme deri në Zvicër a SHBA. Dallohen glikotë e shalqinit, fikut dhe portokalles, patëllxhanit, kumbullës gërqinjë, qershisë, sidomos qershisë italiane me shumë tul, por nga më të mirat ishte glikoja e arrave. Këtyre u shtoheshin dhe reçelërat e shumta, prevedetë, shurupet, llojet e amaretave, karamelet, llokumet etj.

Ishte ofezë po mos ta haje një të tillë kur futeshe në shtëpitë e përmetarëve, si gjithmonë vesi që shoqërohet me virtuozitet i mikëpritjes, shoqërohet me pak ëmbëlsirë që të plotësohet më mirë, dhe me buzëqeshjen e butësinë e përmetarëve. Përmetari mund të bëj me çdo frut gliko, aq i apasionuar dhe perfekt është në këto ëmbëlsira. Me këtë perfeksion krijon natyrë.

 Në veçanti Përmeti vende-vende ka mikroklimë ideale, sipas ekspertizës së huaj për ndërtimin e vreshtarisë dallohen lloje të ndryshme si, rushi si Debinë e bardhë si dhe Merlot i zi etj.

Në kulinari Përmeti është gjithashtu i famshëm, i famshëm për gjellët që shoqërohen me ara, që nga shqetot e shumta me ara, tasqebapë me ara, kollofacet, kukureci, por ka dhe ushqime të shumta të mishit të viçit të gjedhëve të ndryshëm. Ushqimi ka karakteristika të përziera midis Gjirokastrës dhe Tepelenës, midis një vije që shkon deri në Korçë, ku të famshëm si aty janë lakrorët me shumësi dhe pak petash, formash dhe përmbajtjes. Me famë janë dhe djathrat, mishi. Reshelia është karakteristike e Përmetit, mishi i pulës me ara nuk duhet lënë pa provuar po ka, është unike. Ky unicitet çmendi dhe Fan Nolin.

‘’A do të hash e të besh qejf? Sofra e shtruar si për mbret, Pastërti e për yzmet, Të tillë gjen veç në Përmet.’’

Këngët përmetare

Këngët e Përmetit dallohen në ato këngë polifonike me iso si thuhen ndryshe lapçe dhe ato vënce, këngë toske, aty është brezi i ndarjes së këtyre dy lloj mënyrash të kënduara, një ha nga Labëria, tjetra nga Çamëria ato janë pasqyrimi në plan lirik i botës së brendshme shpirtërore, janë të ngrohta, melodioze dhe shumë të pëlqyeshme.

Një përzierje e këngës tipike përmetare është e përzier me ato të tabanit arumun dhe gjithashtu kanë marrë dhe nga kënga çame. Pothuasje kënga është e njëjtë në elementë deri në Strugë. I këndohet të virtytshmes, sublimes, së bukurës në perfeksion.

Kënga  “Trëndafili qesh e lot’’ mendohet ndryshe si një nga këngët e para të dokumentuara të foklorit të rrethit të Përmetit. Ka pasur saze të shumta s,i sazet e Gaqo Lenës, sidomos sazet të usta Laver Bariut. Fëmijët e dikurshëm tashmë të ritur i mbajnë mend dasmat kur në kokë lëshohej orizi dhe mundoheshin të merrnin ndonjë karamele apo 50 lekësh nën ritmin e sazeve të mrekullueshme të Përmetit.

Në emrat e muzikës karakteristike dallohen Sulejman Lame, Lefter Nurka, Xhelal Zeqiri, Tare Asllani, Frosina Tone, Mentor Xhemali, Artist i Popullit, Ylli Zeqiri, Vaskë e Dhimitër Curri i ëmbël, Robert Tralo i fuqishëm në zërin e tij, profesional dhe tashmë prift, Donika Pocellari, Adriana Daci etj etj.

Janë krijuar më shumë se 500 këngë e melodi me instrumentistë të ndryshëm që Përmeti i ka pafund në genin e vet, por në fakt bashkë me tabanin popullor të vjetër shkojnë më shumë. Mbi 40 klarinetistë unikë ka pasur dhe janë jo pak, njeri me i mirë se tjetri, gjenerali është në krye, ai e ka emrin Laver Bariu. Nga Malëshova një zonë që më shumë ha nga zakonet e Zagories, në shekullin e 19 ka pasur dhe rapsode si Maro Kapedania, autorja e shumë këngëve, si: “Do të sjell, moj xhane”  “Moj e vogël, syergjëndë”, “Lule nga Janina”, etj.

Problematika për Përmetin

E çfarë do dëshirojë më shumë të jetoje si mbret, në majën e maleve plot aromë e erë të freskët mali, në llixhat e Bënjës duke parë nga ura osmane e Katiut kanionin, apo honet e malit Nemërçkë, të shijoje glikotë dhe ushqimet e tij, bujarinë, këngën, apo pastërtinë, lumin e Vjosës që të sjell dashurinë, romanitzmin, magjinë e jetës?! Do të pish një kafe në milet, ajo të shijon vetëm një mbasdite të qetë në Përmet.

Duket sikur të këndon gjithë kohën Laver Bariu në rrugicat e rrugës së tij, në lokalet kur ulej mëngjeseve, po në fakt ajo s’ka elementin e duhur më, Përmeti s’ka më trëndafilat e tij. E si mund të bëhet romantizëm pa trëndafila, pa lulet e shumëllojshme të Përmetit? Duket paradoksale, Përmeti mos të ketë më trëndafila, dhe për më tepër duket shokuese, ajo që e identifikon dhe e mburrin më parë mungon.

Vetëm lulet e gojëujkut kanë ngelur, mirë që nuk kanë shfarosur edhe ato. Ku janë trëndafilat kush i shkuli nga rrënjët?

Kultura e qytetit është në krizë, ajo është në udhëkryq, qyteti është në udhëkryq pasi ai ka shkulur trëndafilat e vet, e ka zhdukur traditën, e si mund të këndohet pa aromën e trëndafilave, si mund të bëhet Përmeti pa trëndafila, kjo nuk mund të ndodhë më. Po zhduku traditën çdo gjë është në krizë, kriza e shoqërisë dhe e njeriut fillon nga tradita dhe sigurisht kur bëhet armik i kafshëve, luleve, më pas ujku-njeri ”Homo animus” me shtazërinë e instiktin brenda vetes do të kthehet nga vetvetja.

Sheshi i ri i qytetit në verë është si saç dhe të verbon mbasdite në gushtin e nxehtë dhe pa pemë rreth e rrotull rrugës. Ku vajtën lëgustrat që ishin në të dyja krahët e rrugës?! E si mund të bëhet qyteti pa lëgustrat e tij që kanë qenë pjesë e shumë kohëve në Përmet, pa lulet, bimët, njerëzit që arratisen në emigrim?!

Lulishtet përpara ish Shtëpisë së Kulturës me nam janë mpakur në disa rrotoçile të rrumbullakta barurinash. Ku vajtën ato dy lulishtet përballë shtëpisë së kulturës së dikurshme?

A mund të jetojë përmetari pa lulishte të zgjeruara, a mund të quhet i kulturuar ai. Shtëpia e Kulturës që ka nxjerrë e ka përcjellë me qindra figura të shquara nga fusha e muzikës u bë kishë e nuk iu gjet zgjidhja që ajo të mbijetonte, si mund të mbijetojë kultura në Përmet?

A mund të bëhet ajo pa traditën e saj, retrospektivën e saj muzikore, Shtëpinë e Kulturës, ku hipnin e zbrisnin nga fëmijë solistë e instrumentistë, teatro e deri tek këngëtarë me nam. Si do t’i vejë halli kulturës së Përmetit?

Ajo na zgjeron më shumë realitetin mbi qytetin që nuk i ka më trëndafilat e saj të famshëm deri në Stamboll. Edhe në Stamboll lulishtarët janë me origjinë përmetarë, kurse në Përmet nuk ka më, kjo kuptohet fare qartë, janë shkulur trëndafilat.

Përmetarët po e gjejnë veten e tyre në rrugë pa krye, ata po ikin, të tjerët vijnë, e rëndësishme është se tashmë ka ngelur qytet i bukur po pa trëndafilat e vet. Kur të kthehen trëndafilat do të kthehet edhe romanticizmi për të pasur një qytet që nuk ka nevojë për reklamë. Pa romanticizëm Përmeti ka vdekur. Ktheni jetën, trëndafilat e tij në gjithë qytetin!

Mirësevini në qytetin ku Zoti fali gjithçka, dhe njeriu shkuli trendafilat!!!

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN