‘’Dija është sot vegla më e shëndoshë e njerëzimit edhe e qytetërimit, se me dijën kanë harirë të ndryshojnë jo vetëm faqen e dheut po edhe naturën, se gjithë ç’na shohin sytë e na dëgjojnë veshët, janë të çpikurate mendjes së njeriut. Gjithë me dijen harinë të xbutin kafshët e shpeshët gjer në një shkallë, sa sot i sjellin njerëzimit ato më të mbëdhatë shërbime.’’ ‘’Korça’’, nr. 11, 8 maj, 1909 Mihal Grameno
Si sot 88 vite më parë është ndarë nga jeta një prej figurave më të ndritshme të patriotizmit, Mihal Grameno.
Mihal Grameno është një nga figurat më të rëndësishme të shekullit të XIX në Shqipëri që luftoi me pushkë dhe njëkohësisht me ide për një Shqipëri më të mirë.
Ai ishte një figurë shumëdimesionale si shumë figura të kalibrit të tij. Atdhetarizmi i shquar Mihal Gramenos u shqua sidomos kur ai bashkëpunoi dhe iu ngjit si çështjes kombëtare dhe çetës së Çerçiz Topullit kundër sundimit osman për çlirimin e Shqipërisë. Ata cilësoheshin ‘’Apostuj të shqiptarizmit’’ sepse po kalonin fshatrat me fshat për të kuvendonin për idenë kombëtare.
Më 1910 ai proklamonte themelimin e një kishe shqiptare. Në po të njëjtin vit ai arrestohet nga autoritetet osmane për aktivitetin e tij në gazetën ‘’Bashkimi i Kombit’’.
Më 1911 Grameno iu bashkangjit lëvizjeve çlirimtare, organizonte çeta ndër viset shqiptare dhe drejtuesit e lëvizjes kombëtare në Stamboll për të koordinuar kryengritjet.
Mihal Grameno ishte publicist, shkrimtar, pamfletist politik dhe veprimtar i lëvizjes patriotike e demokratike. U arsimua në qytetin e lindjes në Korçë.
Më pas ai emigron në Bukuresht të Rumanisë. Aty ai bie në kontakt dhe lidhet me lëvizjen patriotike ‘’Drita’’.
Në vitin 1909 duke përfaqësuar ‘’Klubin e Korçës’’ pjesë në Kongresin e Manastirit. Gjatë viteve 1915-1919 jetoi në Amerikë, punoi për lëvizjen e atdhetarëve shqiptarë të atjeshëm.
Më pas vazhdoi veprimtarinë si publicist duke mbrojtur idealet demokratike. Jetoi në Nju Jork nga viti 1915 deri në vitin 1919. Më pas përfaqëson Partinë Politike të Shqiptaro-Amerikanëve në Konferencën e Paqes në Paris dhe si korrespondent i gazetës ‘’Shqipëria’’ që botonte ‘AG Naçe’ në Nju Jork. Në 1920 ai kthehet në Shqipëri.
Ai gjithashtu krijoi këngë patriotike, disa prej të cilave, si “Përmendja”, “Lamtumirë”, “Uratë për Liri”. Mbahet si nismëtarët e dramaturgjisë së prozës së gjatë shqipe dhe një nga nvoelistët e parë të letërsisë sonë.
Mund të përmendim novelat e tij “Oxhaku” (1909), “E puthura” dhe “Varri i Pagëzimit”.
Ai shkroi dy veprat: komedinë “Mallkimi i gjuhës shqipe” (1905) dhe dramën historike “Vdekja e Pirros” (1906), të cilat trajtojnë tema patriotike.
Gjithashtu, Mihal Grameno drejtoi gazetat “Lidhja orthodhokse” (1909-1910) dhe “Koha” (1911-1926). Kjo figurë e ndritur dhe kaq aktiviste për kombin shqiptar u nda nga jeta në 5 shkurt në Korçë më 1931.
‘’Luftrat e shqiptarëve të brëndëshme janë vepra të nalta, të cilat një ditë do të mbeten pasqyrë në trashëgimtarët. Është shumë lehtë njeriu të këshillonjë e të udhëtregonjë që për së largu, po a nevojë t’i praktikonjë. Jemi gati kurdoherë që të gjurmojmë tjatër program kombiar më të mirë, kur të vështrojmë këshillonjësit edhe bajraktarët në krye këtu në Shqipëri, po jo që në Amerikë.’’ ‘’Korça’’, nr, 10. 1909 Mihal Grameno
Përgatiti Eugent Kllapi