MENU
klinika

Të dhënat

Sa milionë euro valutë do të blejë BSH në 2019?

15.02.2019 - 12:44

Banka e Shqipërisë do të vijojë edhe këtë vit blerjen e euros me qëllim rritjen e rezervës valutore. Për këtë qëllim, janë parashikuar 17 ankande, ku shuma e parashikuar për t’u blerë është në intervalin mes 51 dhe 85 milionë eurove.

Sidoqoftë, të dhënat e viteve të fundit kanë treguar se blerjet e valutës kanë qenë edhe më të mëdha, përmes organizimit të raundeve të dytë në ankande. Pjesa më e madhe e ankandeve do të përqendrohen në periudhën maj-gusht, kur edhe oferta valutore zakonisht është më e lartë.

Blerjet e valutës janë vazhdim i një programi trevjeçar për rritjen e rezervës valutore të vendit. Në fund të vitit të kaluar, rezerva valutore arriti në 3.4 miliardë euro, me një rritje vjetore 13% ose 403 milionë euro në vlerë absolute.

Që nga viti 2013, rezerva valutore është rritur me rreth 70%. Shqipëria mban aktualisht një rezervë valutore që mbulon rreth katër herë deficitin vjetor të llogarisë korrente.

Qëllimi kryesor i rezervës valutore është pikërisht mbulimi i nevojave emergjente që mund të ketë ekonomia për valutë të huaj. Gjithashtu, rezerva valutore mund të përdoret në raste të luhatjeve të forta në kursin e këmbimit, të cilat mund të përbëjnë shqetësim për stabilitetin makroekonomik të vendit.

Eksperienca ka treguar se blerja e valutës përmes ankandeve nga Banka e Shqipërisë nuk ka dhënë ndikime të mëdha në kursin e këmbimit valutor, duke qenë se blerjet bëhen në mënyrë të shpërndarë gjatë vitit.

Megjithatë, në teori, vazhdimi i blerjeve nga Banka e Shqipërisë do të rrisë kërkesën për euro dhe mund të sjellë rritje të përkohshme në kursin e monedhës europiane kundrejt lekut.