MENU
klinika

Afresku i rrallë del në dritë

Pompei që fshihte nën rrënoja Narcizin

22.02.2019 - 14:01

Megjithëse përmes rrënojash, historia nuk resht së foluri me gjuhën e vet: faktet që flenë. Narcizi, djaloshi i ri, i dashuruar pas reflektimit të pamjes së tij në liqen, u zbulua së fundmi nën rrënojat e Pompeit.

Arkeologët dëshmojnë se kanë zbuluar edhe një tjetër afresk, në një prej banesave të vjetra dhe shumë të pasura romake; afresku i një çasti intim, mes Zuesit dhe një mbretëreshe spartane.
Ilustrimi u zbulua në një prej korridoreve të banesës së lashtë, vend ku arkeologët gjetën edhe afreskun e Jupiperit, zotit romak të qiellit.

Në afreskun e rrallë, Narcizi shfaqet teksa kundron i ngazëllyer reflektimin e portretit të tij mbi ujë, ndërsa ka mbrapa vetes, një njeri dhe një qen.

Massimo Osanna, drejtor i muzeut të Pompeit, ka deklaruar se, gjatë gërmimeve në banesën e pasur romake ishin gjetur edhe të tjera punime me dekore të kësaj natyre, me tematikë nga jeta luksoze dhe kortezia.

Pompei, i shkatërruar në vitin 79 pas Krishtit, gjendet në afërsi të Napolit, në jugun e Italisë. Arkeologët vijojnë të kryejnë gërmime në disa pjesë të tij, duke nxjerrë në dritë zbulime të reja, që do të bëhen publike qoftë edhe pjesërisht.

Historia e Narcizit, gjuetarit që u mbyt në ujë, i apasionuar pas reflektimit të fytyrës së tij mbi liqen, ishte shumë e njohur, gjatë shekullit të parë.