MENU

Opinion

Pse duhet t’u lexohet fëmijëve, përpara gjumit?

01.02.2019 - 11:53

Nga Edi Gogu

Çelësi për të pasur sukses në procesin e të lexuarit është ta bëjmë atë zakon, në mënyrë që të mbetet një prioritet i pandryshuar çdo ditë. Leximi nxit imagjinatën tek fëmijët dhe i ndihmon ata që të zgjerojnë territoret e njohjes së botës…

Vazhdon ende në famijet shqiptare tradita e leximit të përrallave-fëmijëve përpara se të flenë?

Nga bisedat me prindër kam dëgjuar se një pjesë e tyre u lexojnë fëmijëve përpara se të flenë, sikundër ka edhe prindër që nuk e kanë menduar kurrë që tu lexojnë fëmijëve përpara gjumit (kjo për një sërë arsyesh) apo edhe se nuk e dinë që mund tu lexojnë të vegjëlve të tyre, përpara se gjumi t’i përkundë ndër ëndrra.

Cilat janë disa nga dobitë e leximit përpara gjumit?

Ne si prindër, besojmë në fuqinë jetëndryshuese të librave (të mirë-e theksoj këtë). Fëmijët që kur janë të vegjël (që në barkun e nënës madje) e pëlqejnë që nëna apo babai i tyre tu lexojnë. Ata tërheqen nga tingujt, muzikaliteti që kanë fjalët, intonacioni i zërit. Fëmijët mësojnë t’i duan fjalët, ende pa mësuar t’i shohin të shtypura mbi letër.

Çelësi për të pasur sukses në këtë proces shumë vjeçar është që ta bëjmë zakon që koha që ne do t’ju lexojmë fëmijëve, të mbetet një prioritet i pandryshuar çdo ditë. Prindërit duhet të kenë parasysh që kopshti dhe shkolla nuk mundet tu ofrojnë kurrë fëmijëve atë përjetesë unike që ndodh mes një prindi-fëmijës dhe librit. Ne i njohim fëmijët tanë si askush tjetër dhe me kalimin e kohës ne mund t’i prezantojmë ata me libra që janë pak më sfidues në krahasim me moshën e tyre, pastaj mund t’i shoqërojmë me shpjegimet e nevojshme, në përputhje me zhvillimin dhe interesat e secilit prej fëmijëve tanë (nëse kemi më shumë se një fëmijë).

Leximi nxit/stimulon imagjinatën tek fëmijët dhe i ndihmon ata që të zgjerojnë territoret e njohjes së botës së madhe e të panjohur ende. Nëse dëshirojmë dhe ëndërrojmë që fëmijët tanë t’i duan librat përgjatë gjithë jetës së tyre, nuk besoj se ekziston një pikënisje më e mirë, sesa koha që ne ju lexojmë atyre, e në mënyrë të veçante ajo para gjumit. Pas një dite të gjatë, fëmijët janë gati të shtrihen për të fjetur dhe qetësohen në krahët e prindërve të tyre, rehatohen brenda një përqafimi, shijojnë puthje të ëmbla dhe një libër i mirë, i bën gati ata që të kalojnë nga koha aktive, në një fazë qetësimi dhe meditimi. Informacioni i marrë para gjumit do të jetë me ta përgjatë natës. Nëse ne e kthejmë kohën e leximit në një përjetesë të bukur e të këndshme, fëmijët vetë do ta kërkojnë atë kohë leximi çdo natë. Përveç sa thamë më lart, kjo kohë do të jetë një kujtim i mrekullueshëm i fëmijërisë së fëmijëve tanë. Padyshim do të jetë e njëjta përjetesë edhe për ne. Kësisoj, ne do tu japim fëmijëve tanë një mësim prindërimi (për ta ndjekur në të ardhmen) si edhe një mësim mbi rëndësinë e leximit.

A mund të konsiderohet leximi një lloj terapie qetësuese?

Po. Leximi është një përjetesë ku individi ndahet nga bota e vërtetë dhe nis udhëtimin apo kalimin drejt një realiteti tjetër. Kalimi i gishtave mbi faqet e librit njihet si hedhja e hapave të parë drejt një territori të ri. Përqëndrimi te paragrafët, fjalitë, te mendimi i shkruar, e ndan tërësisht individin nga çfarëdo përjetimi që ka kaluar deri në atë çast. Truri dhe shqisat stimulohen ndryshe dhe gjatë leximit truri prodhon hormone qetësuese. Studimet nga Universiteti i Sussex thonë që, edhe 6 minuta të shpenzuara duke lexuar, e ulin nivelin e stresit në masen e 2/3 e totalit të tij ose e thënë ndryshe deri në masën 68%. Leximi është madje më qetësues edhe sesa muzika, apo të gjerburit e një filxhani çaj.

Cila është mosha kur duhet filluar leximi te fëmija?

Leximi nuk ka moshë.Është e rekomandueshme që fëmijës t’i lexohet që kur është në barkun e nënës. Fëmijës duhet t’i lexohet gjatë gjithë kohës, edhe kur është i porsalindur. Leximi e qetëson dhe e prezanton me gjuhën e njerëzve të tij/saj. Me kalimin e muajve fëmijës i lexohen libra të thjeshtë me figura dhe i rrëfehen figurat me gisht. Leximi i mëson fëmijës fjalorin dhe ia pasuron atë me fjalë dhe shprehje të reja.

Kush duhet t’i lexojë përrallat, nëna apo babai? Apo edhe gjyshja?

Të dy prindërit duhet të përfshihen në edukimin dhe argëtimin e fëmijëve, kështu që është mirë që duke ndjekur një grafik sipas mundësive tuaja familjare, të kombinoni ditët që secili nga prindërit të mund t’i lexojë fëmijës/fëmijëve. Gjyshërit mund tu lexojnë fëmijëve në kohën kur mami edhe babi nuk janë në shtëpi. Është mirë për të gjithë familjen që rolet të mos ngatërrohen dhe, gjyshërit të investojnë kohën dhe dhuntitë e tyre për tu lexuar fëmijëve dhe gjithashtu për t’i nxitur drejt aftësive rrëfimtare fëmijët, pasi gjyshërit janë vetë rrëfimtarë të mirë.

Jo gjithmonë prindërit i lexojnë librat e fëmijëve. Sugjerohet që të vegjlit të lexojnë një libër që prindi nuk e ka lexuar?

Prindërit është mirë që t’i lexojnë vetë më parë librat që do të lexojnë fëmijët e tyre. Kjo për shumë arsye; prindërit e njohin brendinë, do të dinë sesi të shpjegojnë situatat e ndryshme apo të sqarojnë paqartësi të fëmijëve, do të kenë më shumë përfshirje në jetën dhe zhvillimin e fëmijëve të tyre, do të kenë mundësi për të zhvilluar biseda që janë të rëndësishme për fëmijët pasi përmes leximit fëmijët reflektojnë dhe shumë herë kanë pyetje. Duke i lexuar më parë vetë librat që do të lexojnë fëmijët, prindërit mbeten në kohë reale me botën dhe interesat e fëmijëve të tyre.

Për cilët libra kanë nevojë kryesisht fëmijët? (nëse mund të bëjmë edhe një klasifikim sipas moshave)

Fëmijët kanë nevojë për libra të ndryshëm në mosha të ndryshme;

0-6 muajsh, libra për këtë moshë janë prej materiali pambuku të butë, me ngjyra, forma e figura;

6-12 muajsh; librat prej cope tani kanë edhe pasqyra të vogla plastike, veshë kafshësh që bëjnë fësh-fësh ose ndonjë zhurmë tjetër të lehtë;

Në moshën 6 mujore i prezantojmë fëmijët me libra me figura dhe i tregojmë me zë të qartë emërtimet;

Mosha 1-2 vjeç; fëmijët merren me libra ku ata prekin, ndiejnë materiale të ndryshme si edhe prezantohen me forma, ngjyra, emërtime;

Më pas vijnë librat me fjali të shkurtra që prindërit ua lexojnë fëmijëve dhe i nxisin fëmijët për t’i rrëfyer apo përsëritur materialin e lexuar;

Në moshën 3-4 vjeç fëmijëve ju prezantohen përrallat, librat me shkronjat e alfabetit, numrat etj;

Fëmijet e moshës 4-5 kënaqen me histori, libra me poezi me rimë të thjeshtë;

Librat që ofrojnë informacion, kuriozitete (enciklopeditë), histori fëmijesh (personazhe që tregojnë jetën në situata praktike), janë ndër zgjedhjet e fëmijëve;

Fëmijët duhen prezantuar me libra historike, libra arti, enciklopedi, libra me aventura, libra shkencore, libra për muzikën etj., që përjetesa e të lexuarit të jetë gjithmonë interesante dhe ndjellëse.

Disa këshilla për prindërit…

-Nëse dëshironi që tu bëni një të mire femijeve tuaj, rritini me dashurinë për librin!

-Mos u dorëzoni nga resistenca e tyre dhe mos e lini teknologjinë t’u shkatërrojë fëmijët!

-Lexoni vetë të parët!

-Modeloni me shembullin e jetës suaj, nëse fëmijët ju shohin duke lexuar do të kenë dëshirë edhe ata të bëjnë të njejtën gjë.

-Asnjëherë nuk është vonë për të vendosur një traditë të leximit të librave përpara se fëmija të shkojë në shtrat.

-Dhurojini fëmijëve libra, në vend të ushqimeve të konservuara apo të gatshme. Kësisoj kujdesuni edhe për shëndetin fizik edhe për atë shpirtëror.

-Mos lini asnjë ditë tu ikë pa lexuar diçka të re, as për veten tuaj, por mos i lini as fëmijët ta mbyllin ditën pa lexuar.

-Shijojeni leximin me fëmijët tuaj! Kthejeni në një kohë teatri, bëni zëra të ndryshëm dhe përpiquni të futeni brenda botës së ëmbël fëminore!

-Fëmijët që lexojnë bëhen të rritur që mendojnë.

Dhe së fundmi, çfarë librash do të sugjeronit ju personalisht?

Une jam tifoze e librave me brendi, me një mësim dhe vlera për fëmijët. Psh Arushi Pooh, Rrjeta e Sharlotës. Unë ua kam lexuar vetë nga anglishtja këto libra. Këto libra flasin për vlerën e çmuar të miqësisë, ndihmës, mirëkuptimit etj.

Librat e doktor Seussit janë të mrekullueshëm, plot fantazi dhe rima të bukura.

Seria Narnia dhe Kryezoti i unazave- për moshen 10-12 vjeçare.

Librat e autorëve më të zgjedhur dhe shume vepra të klasikëve, janë përshtatur për fëmijë. Këto lloj librash duhet t’i lexojë çdo fëmijë.

Librat me aventura, si aventura e Dinpakut, aventura e Cipolinos, aventurat e Xhim Kopsës dhe Lukas Makinismtit. Udhëtimi i Guliverit, Nils Holgersoni, përrallat ruse, përrallat e Andersenit, të vëllezërve Grimm, Pinoku, Zemra, Djemtë e rrugës Pal etj.

Fëmijët duhet të njohin edhe autorë shqiptarë; seria e Cufos, vjersha e fabula, tregime të moçme shqiptare.