MENU

Nga New York Times

Putin ka të drejtë, SHBA të qëndrojë larg Venezuelës!

01.02.2019 - 10:59

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo, duke folur në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 26 janar, i bëri thirrje çdo kombi të zgjedhë midis Presidentit Nicolás Maduro të Venezuelës dhe Juan Guaido, kreu i Asamblesë Kombëtare të vendit, i cili shpalli presidencën e tij të përkohshme më 23 janar dhe shpejt fitoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe shumë vendeve të tjera në hemisferën perëndimore.

Që nga fjalimi i Pompeos, Shtetet e Bashkuara kanë shtuar presionin ndaj qeverisë së Maduros, duke vendosur  sanksione të reja për naftën dhe duke përsëritur se “të gjitha opsionet”, përfshirë, me sa duket, edhe ndërhyrjen ushtarake, janë në tryezë.

Situata në Venezuelë është e dëshpëruar. Protestat vazhdojnë, dhe si Maduro dhe Guaidó pretendojnë legjitimitetin e tyre presidencial dhe një përkeqësim mund të sjellë edhe më shumë dhunë politike në një vend që tashmë po vuan nga një ekonomi e shkatërruar. Situata duhet të ndryshojë.

Venezuela

Por Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë rol konstruktiv për të luajtur në krizën politike të Venezuelës. Pavarësisht mbështetjes për Maduron, është e qartë se Uashingtoni nuk është një partner i besueshëm për të nxitur ndryshimin e regjimit.

Veprimet e administratës Trump na kujtojnë historinë e gjatë dhe të ligë të ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara në Amerikën Latine.

Gjatë gjithë shekullit të 20-të, Shtetet e Bashkuara ndërhynin shpesh në punët e brendshme të vendeve të Amerikës Latine, të cilat i konsideron pjesë e oborrit të saj gjeopolitik. “Unë do të mësoj republikat e Jugut të Amerikës të zgjedhin burra të mirë”, tha Woodrow Wilson në vitin 1913. Presidentët e tjerë supozonin se dinin të përmirësonin situatat politike në rajon. Rezultati ishte rrallë demokracia dhe stabiliteti.

Gjatë Luftës së Ftohtë, Uashingtoni mobilizoi burime të fshehta për të mbështetur opozitën. Në vitin 1954, CIA kishte trajnuar një grup  të vogël për të hequr Presidentin Jacobo Árbenz të Guatemalës. Në vitin 1964, presidenti Lyndon Johnson ishte i përgatitur të mbështeste ushtrinë braziliane gjatë grushtit të tij kundër presidentit João Goulart, edhe pse grushti pati sukses pa atë.

Në raste të tilla, ndryshimi i regjimit u festua nga Shtetet e Bashkuara si rivendosja e demokracisë.

Dhe tani situata është përsëri shqetësuese. Udhëheqësi i politikës së Uashingtonit në Venezuelë tani është Bolton, i cili shërbeu në administratën e Ronald Reaganit.

Miliona venezuelanë janë larguar nga vendi gjatë viteve të fundit, duke krijuar një krizë rajonale të refugjatëve. Njerëzit vuajnë nga uria dhe mungesa në ilaçe dhe mallra bazë.

Kina dhe Rusia, të cilat ende mbështesin qeverinë e Maduro, nuk janë më pak të interesuara të përfitojnë nga nafta e Venezuelës sesa Shtetet e Bashkuara.

Është ende e paqartë se si Shtetet e Bashkuara në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikuan vendimin e Guaidos për të sfiduar autoritetin e Maduro. Në dhjetor, ai u takua fshehurazi me zyrtarë në Shtetet e Bashkuara, Kolumbi dhe Brazil, të gjithë të qeverisur nga qeveritë e krahut të djathtë.

Shumë venezuelanë janë të etur për të gjetur ndihmë kudo që munden, edhe nga SHBA. Kjo është një dobësi për opozitën. Uashingtoni është shumë i gatshëm të japë një dorë, por siç ka bërë shumë herë në historinë e Amerikës Latine, mund të bëjë më shumë dëm sesa dobi.

Ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara gjithashtu do të dëmtonte perspektivën për gjënë që Venezuela ka nevojë më së shumti, për të arritur një tranzicion paqësor në demokraci.

Situata në Venezuelë është padyshim e vështirë. Por, kur është fjala për Amerikën Latine, Uashingtoni ka një histori të gjatë ku tregohet se i ka pëkeqësuar situatat.

Pikërisht për shkak se Venezuela meriton një qeveri më të mirë se sa ajo që ka aktualisht, Shtetet e Bashkuara nuk duhet të ndikojnë në zgjedhjen e tij.

Patrick Iber është profesor i historisë në Universitetin e Wisconsin, Madison.