MENU
klinika

Deklarata

Rasti “Dajti”/ Lleshaj: Atentat ndaj drejtësisë, s’ka paqe derisa të zhbëhet

10.02.2019 - 14:34

Pas ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka dalë në një deklaratë për mediat për të folur për rastin “Dajti”.

Ai tha se nuk do ketë paqe derisa të zhbëhet vendimi për Dritan Dajtin, duke e cilësuar një atentat ndaj drejtësisë. Ministri Lleshaj tha se 48 orët e fundit kanë qenë të rënda për familjarët e 4 policëve.

Lleshaj e ka quajtur si kriminal vendimin e gjyqtarëve të cilët miratuan reduktimin e dënimin e përjetshëm të Dritan Dajtit.

“Edhe pse nuk mund të jap detaje, deklaroj se Operacioni “Forca e Ligjit” është vënë në veprim të plotë për të adresuar me të gjithë forcën e së drejtës atentatin e qartë, brutal dhe skandaloz që i është bërë drejtësisë në vendin tonë, sakrificave të panumërta dhe gjakut të derdhur nga qindra punonjës të Policisë së Shtetit shqiptar përgjatë tri dekadave të fundit.

Nuk mund dhe nuk do të ketë paqe në shpirtin e Policisë së Shtetit, por as edhe tek unë si Ministër i Brendshëm, derisa ky vendim, jo vetëm të zhbëhet nga Gjykata e Lartë, por edhe derisa autorët e këtij akti të pashembullt dhe fyes për gjakun e gjithë dëshmorëve të PSH të përballen me ligjin dhe drejtësinë e vërtetë.

Personat me profil të lartë kriminal, në shumicën e tyre, janë sot prapa hekurave, si rezultat i vullnetit të kësaj shumice qeverisëse për të luftuar pa kompromis krimin e organizuar dhe i një policie të reformuar dhe të motivuar për të imponuar fuqinë e ligjit në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligj zbatuese”, tha Lleshaj.

Deklarata e Lleshaj

48 orët e fundit kanë qenë orë të përjetimeve të rënda për familjarët e oficerëve të rënë në krye të detyrës më 7 gusht të vitit 2009, për Policinë e Shtetit dhe për gjithë qytetarët shqiptarë, si pasojë e një vendimi kriminal të disa gjyqtarëve që meritojnë plotësisht t’u bashkohen prapa hekurave klientëve të tyre.

Kam pritur këto 48 orë sa të sigurohesha që ky krim i njerëzve me imunitet ligjor dhe kushtetues të mos kishte si përgjigje vetëm një deklaratë publike, por edhe një reagim të fortë e të vendosur si dhe një proces të qartë ligjor.

Edhe pse nuk mund të jap detaje, deklaroj se Operacioni “Forca e Ligjit” është vënë në veprim të plotë për të adresuar me të gjithë forcën e së drejtës atentatin e qartë, brutal dhe skandaloz që i është bërë drejtësisë në vendin tonë, sakrificave të panumërta dhe gjakut të derdhur nga qindra punonjës të Policisë së Shtetit shqiptar përgjatë tri dekadave të fundit.

Nuk mund dhe nuk do të ketë paqe në shpirtin e Policisë së Shtetit, por as edhe tek unë si Ministër i Brendshëm, derisa ky vendim, jo vetëm të zhbëhet nga Gjykata e Lartë, por edhe derisa autorët e këtij akti të pashembullt dhe fyes për gjakun e gjithë dëshmorëve të PSH të përballen me ligjin dhe drejtësinë e vërtetë.

Personat me profil të lartë kriminal, në shumicën e tyre, janë sot prapa hekurave, si rezultat i vullnetit të kësaj shumice qeverisëse për të luftuar pa kompromis krimin e organizuar dhe i një policie të reformuar dhe të motivuar për të imponuar fuqinë e ligjit në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligj zbatuese.

Ata që krijuan kushte dhe lejuan rritjen kriminelëve me profil të rrezikshëm, dhe që jo rrallë u bënë njësh me ta, sot lajnë duart, madje përpiqen të krijojnë dhe kapital politik.

Por qytetarët shqiptarë i njohin mirë, si arkitektët e djeshëm të një sistemi pa drejtësi, ashtu dhe perspektivën e pashmangshme të një reforme historike në drejtësi, e cila po thellohet falë vullnetit tonë të palëkundur, por që nuk mund të quhet e kryer, përderisa raste si ky i fundit, na dëshmojnë se ende njerëz të çartur, pa fe e atdhe, të veshur me petkun e së drejtës çmenden përpara parave të krimit.

Po aq të çmendura janë edhe reagimet e monstrave politike që përpiqen të keqpërdorin dhe të kthejnë në armë kundër qeverisë vendimet e disa gjyqtarëve, që ata vetë i kanë ushqyer gjatë viteve të qeverisjes së tyre në simbiozë me një sistem drejtësie të korruptuar dhe me rrjete e grupe kriminale që u rritën nën hijen e tyre.

Unë siguroj qytetarët shqiptarë dhe familjarët e dëshmorëve të Atdheut nga radhët e Policisë së Shtetit, se përgjigja e institucioneve do të jetë e fortë, ligjore, në përpjesëtim të drejtë dhe në respekt të plotë me thirrjen që buron nga amaneti i atyre burrave të Policisë së Shtetit shqiptar që dhanë jetën për një Shqipëri më të sigurt dhe më drejtë.