MENU
klinika

Teodor Ruzvelt dhe historia e arushit Tedi

Refuzoi të vriste një ari dhe një arush lodër mori emrin e tij…

09.02.2019 - 14:22

A e dini se pse pikërisht arushi i pellushit quhet Tedi? Nuk është thjesht rastësi, por një histori që lidhet me një nga presidentët më popullorë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ishte viti 1905 dhe Presidenti Theodore Roosevelt, ose “Tedi” siç e thërrisnin njerëzit më të afërt, ishte në një udhëtim gjuetie në Mississippi. Për të kënaqur presidentin disa burra që e shoqëronin kapën një ari të vogël dhe e lidhën pas një peme që Roosvelti ta qëllonte. Ndryshe nga sa ishte parashikurar, Theodoreit nuk i pëlqeu aspak kjo gjë dhe urdhëroi që ariu i vogël të lirohej.

Nuk u desh shumë që lajmi të përhapej në të gjithë Amerikën dhe Clifford Berryman një karikaturist politik, e ilustroi menjëherë në letër. Fill pas publikimit të karikaturës në shtypin e ditës krijuesi i lodrave Morris Michtom krijoi arushin Tedi.

Por kush ishte Theodore Roosevelt?

Theodore Roosevelt ishte një presidenti i 26-të i SHBA-ve, eksplorues, politikan, autor, historian dhe natyralist, themelues i Partisë Progresive dhe gjithashtu një nga udhëheqësit më me ndikim të Partisë Republikane.

Fytyra e tij është e skalitur në malin Rushmore, së bashku me ato të Thomas Jeffersonit, Abraham Lincolnit dhe të George Washingtonit. Theodore Roosevelt ka qenë një president mjaft influent. Jo vetëm që fitoi titullin “Trust Buster” si president duke luftuar kundër biznesmenëve të korruptuar, por e bëri vendin edhe më liberal. Njihet për politikat e tij anti-monopoliste dhe konservatorizmin ekologjik dhe ka fituar çmimin Nobel për Paqe për kontributin e tij për dhënien fund të luftës Ruso-Japoneze.

Jeta e hershme

Theodore Roosevelt Jr. ka lindur më 27 tetor 1858 në New York City.

Kur ishte fëmijë, Theodore Roosevelt, ose “Teedie”, siç e thërrisnin anëtarët e familjes së tij, kaloi shumë kohë brenda mureve të shtëpisë, për shkak të disa sëmundjeve dhe astmës. Kjo i dha atij mundësinë për të ushqyer pasionin e tij për jetën e kafshëve, por në adoleshencë, me inkurajimin e babait të tij, rutina e tij ndryshoi dhe Theodore merrej me peshëngritje dhe boks.

Pasi i vdiq babai i tij gjatë vitit të tij të dytë në Kolegjin Harvard, Roosevelt u diplomua në 1880, e pas kësaj u regjistrua në Shkollën e Ligjit në Kolumbia.

Karriera politike

Roosevelt nuk qëndroi gjatë në shkollën e drejtësisë, duke zgjedhur që në vend të kësaj të bashkohej me Asamblenë e Shtetit të New York si një përfaqësues, duke u bërë më i riu në atë pozitë. Jo shumë kohë më pas, Roosevelt pati mundësi të gëzonte pozicione të ndryshme të shërbimit publik, duke përfshirë kapitenin e Gardës Kombëtare dhe udhëheqësin e pakicës së Asamblesë së Nju Jorkut.

Megjithatë, vdekjet tragjike të nënës dhe gruas së tij, në të njëjtën ditë (14 shkurt 1884), nxitën Rooseveltin të shkonte në Dakota për dy vjet, ku merrej me punë fshati.

Duke u kthyer në jetën politike në 1886, Roosevelt kandidoi për kryetar bashkie në New York, por nuk mundi të fitonte. Megjithatë, së shpejti rifilloi trajektoren e tij të karrierës, së pari si komisioner i shërbimit civil, pastaj si komisar i policisë në New York City, e disa detyra të tjera.

Roosevelt kishte treguar një interes të madh për Luftën Spanjolle-Amerikane, dhe kështu ai u bë pjesë e saj, duke u dalluar veçanërisht në betejën e San Juan Heights, në 1898. U konsiderua “hero lufte”, mori Medaljen e Nderit, dhe në 1898 u zgjodh guvernator i New Yorkut.

Presidenca e SHBA

Në moshën 42 vjeç, Theodore Roosevelt u bë president i SHBA, më i riu që mbante atë post.

Presidenca e Theodore Roosevelt dallohet nga përkushtimi i tij ndaj ndjekjes penale të monopolist dhe luftës kundër korrupsionit. Personaliteti karizmatik i Rooseveltit dhe oratoria e tij pa dyshim ndihmuan në axhendë.

Në të njëjtën kohë, Roosevelt krijoi “Flotën e Madhe të Bardhë”, duke e dërguar atë në një turne botëror, si për të treguar fuqinë ushtarake të SHBA-së. Atij iu dha Çmimi Nobel për Paqe në vitin 1906 për rolin e tij në negociimin e fundit të Luftës Ruso-Japoneze. Roosevelt besonte se nëse Japonia do të shkatërronte Rusinë, kjo do të çonte në një mungesë ekuilibri të pushtetit në Paqësor, në të cilin Shtetet e Bashkuara do të duhet të rivendoseshin, por me një kosto katastrofike.

Roosevelt është presidenti që mbrojti më shumë mjedisin. Në vitin 1906, ai nënshkroi Aktin Kombëtar të Monumenteve, duke mbrojtur vende si parqet kombëtare.

Vitet e fundit të jetës

Kur Theodhor Roosevelt ishte i ri, mjekët zbuluan se kishte një zemër të dobët dhe e këshilluan atë të mos e mundonte veten. Megjithatë, ai pati një jetë më aktive sesa shumica. Roosevelt botoi më shumë se 25 libra, në disa fusha, duke përfshirë historinë, biologjinë, gjeografinë dhe filozofinë. Ai gjithashtu botoi një biografi dhe një autobiografi, duke përfshirë The Winning of the West, i përbërë nga katër vëllime.

Theodore Roosevelt vdiq në gjumë më 6 janar 1919, kur ishte 60 vjeç, por ai mbahet mend si një nga presidentët më të suksesshëm të SHBA-së, eksplorues, politikan, autor, historian dhe natyralist, themelues i Partisë Progresive dhe gjithashtu një nga udhëheqësit më me ndikim të Partisë Republikane. Patjetër, edhe për lodrën e preferuar të fëmijëve, arushin Tedi…