MENU
klinika

Albert Çaçi

Rrënimi i Venezuelës

02.02.2019 - 11:43

Nëse dikush do t’iu shpjegonte studentëve të ekonomisë politike se si një politikë falimentare mund të hedhë në erë totalisht ekonominë dhe bashkëjetesën sociale të një vendi, padyshim që sot shembulli më sinjifikativ do të ishte Venezuela.

Një nga vendet më të pasura të botës në burime natyrore, me një bukuri të rrallë natyrore dhe klimë nga më të mirat e globit, sot ndodhet në një agoni të plotë.

Ashtu siç është Dubai sot në Lindjen e Mesme, ashtu duhet të ishte Venezuela në Amerikën Latine nëse do të drejtohej nga njerëz të zotë dhe jo aventurierë politikë, dogmatikë dhe të paaftë.

Por për fatin e keq të venezuelianëve sot ajo paraqitet përpara botës në një nga krizat më të rënda në historinë e saj 200-vjeçare të pavarur, në prag të një lufte civile, që mund të ketë pasoja katastrofike.

Që nga viti 2014, kur u reflektua rënia e çmimeve të naftës, Venezuela nisi një trajektore zbritëse impresionuese. Inflacioni në fillim të këtij viti kaloi shifrën strabiliante të 1 milion%, GDP nga 490 miliard USD në 2014 zbriti vitin e shkuar në 93 miliard USD, prodhimi i naftës në 4 vjet u përgjysmua  nga 2,4 në 1,4 milion fuçi në ditë, 65% e popullsisë jeton nën nivelin e varfërisë, për vitin 2019 parashikohet të ikin nga vendi mbi 1/6 e popullsisë ose 5 milionë banorë. 

Shifra të frikshme, që bëjnë të dridhet çdo ekonomist, dhe vetëm një i çmendur si Maduro mund ta vazhdojë këtë aventurë, që ka si fund pashmangshmërisht luftën civile.

Që këtu të shpallësh një president pa zgjedhje është një histori tjetër.

Venezuela është një vend në pjesën veriore të Amerikës së Jugut, me një sipërfaqe 916 445 km katrorë dhe një popullsi 30,6 milion banorë.

Venezuela u zbulua nga Kristofor Kolombo, më 2 gusht 1498, dhe u bë pjesë e Mbretërisë Spanjolle deri  kur Françesko Miranda e shpalli të pavarur, më 5 korrik 1811. Por spanjollët e mbytën shpejt republikën e re, dhe  mbas një sërë luftërash të përgjakshme Simon Bolivari e shpalli përfundimisht Venezuelën të pavarur nga Spanja më 1821. U bë pjesë e Kolumbisë së madhe deri në vitin 1830, sipas idesë së Bolivarit për një konfederatë, ku u përfshi edhe Ekuadori. Më 1830 përfundimisht u shpall republika e Venezuelës që njohim sot. U qeveris nga oligarkët dhe latifondistët përgjatë shekullit të 19, ku  u zhvilluan 2 luftëra civile që e sfilitën vendin.

Në gjysmën  e parë të shekullit 20 e qeverisën një sërë diktaturash ushtarake, por që mbas zbulimit të vendburimeve të naftës, ku u bë në vitet 20 prodhuesi i dytë në botë, krijoi një lloj stabiliteti dhe zhvillimi ekonomik, por me një pabarazi sociale ekstreme. Në vitin 1945 pushtetin e mori Betankurt, që nisi një kurs demokratik, por që më 1948 u rrëzua përsëri me grusht shteti. Në  vitin 1958 Bentankurt e rimorri pushtetit dhe që nga ky vit në Venezuelë u rivendos demokracia. Në vitin 1994 për herë të parë pushtetin e mori e majta, dhe me 1998 në krye erdhi lideri populist Hugo Caves.

Cavesi nisi një program socialist hibrid  dhe ndërmori një sërë reformash të markës socialiste, që në vitet e para dha një sërë efektesh pozitive sidomos për shtresat e varfra. Vitet e qeverisjes së Cavesit  koinçiduan  me një periudhë të çmimeve të larta të naftës (duke arritur madje deri në rekordin historik 140 USD për fuçi) dhe për një vend që siguron rreth 90% të të ardhurave nga eksporti i naftës, kjo kishte ndikim të menjëhershëm.

Caves, një nxënës i Fidel Kastros, filloi një politikë marksiste ekstreme dhe kërkonte të influenconte gjithë Amerikën Jugore sipas ideve të Kastros.  Në fakt, në këto vite, me përjashtim të Kolumbisë, ku dominoi e djathta, në gjithë Amerikën Jugore pushtetin e morrën  të majtët, që nga Lula në Brazil e deri tek Kirchner në Argjentinë.

Cavesi filloi të bënte një politikë që po minonte ekonominë venezueliane. Filloi të shiste naftën në vendet e tjera si Kuba, Bolivia, Ekuadori, bile dhe Brazilit, me çmime shumë të ulëta nga tregu, për të rritur influencën e tij politike. Mbas vdekjes së Cavesit në 2013, në pushtet erdhi Maduro, një besnik i tij, ish-sindikalist mediokër, që vazhdoi politikën e Cavesit. Ulja drastike e çmimit të naftës në vitin 2014 deri në 15 USD për fuci i dha goditjen fatale, dhe të gjithë ekulibrat caviste u hodhën në erë, dhe vendi u zhyt në një krizë të jashtëzakonshme.

Në 2015 në zgjedhjet parlamentare, mbas 17 vitesh, venezuelianët votuan për MUD, një bashkim  i djathtë opozitar. Vendi u fut në një koabitacion, që niveli i demkracisë në Venezuelë nuk e  përballon dot. Maduro, i mbështetur nga ushtarakët, i kufizoi pushtetin prlamentit, dhe që nga ky moment vendi noton në një krizë të rëndë politike, me përleshje nëpër rrugë midis dy grupeve, dhe e gërshetuar me rënien e çmimeve të naftës, po shkatërron gjithë strukturën ekonomike.

Dhe të mendosh që vendi që ka rezervat e naftës më të mëdha në botë, tani është i detyruar të marrë ndihma humanitare nga jashtë.

Rezerva më e madhe botërore e naftës, që deri tani është shfrytëzuar vetëm minimalisht, ndodhet në një sipërfaqe prej 54 mijë km katrorë në dy brigjet e lumit Orinoko. Këto rezerva potenciale janë llogaritur në rreth 1300 miliard fuçi naftë, e barabartë pothuasje me gjithë rezervat konvencionale të globit. Nafta e Orinokos nuk konsiderohet konvencionale, pasi hyn tek naftat e rënda, që janë shumë  të vështira për tu përpunuar dhe është në kushte  të njëjta me naftën shale të SHBA. Kjo lloj nafte është shumë viskoze dhe ka nevojë për teknologji të veçantë.

Teknologjia në këtë fushë ka bërë hapa gjigandë kohët e fundit, dhe Venezuela mund të rikuperojë deri në 70% të naftës së Orinokos.

Rezervat e nxjerrshme zyrtare sot, të vlerësuara me teknologjitë e reja, janë në 298 miliardë fuçi, sipas vlerësimeve të British Petrolium, duke kaluar Arabinë Saudite me 266, dhe Kanadanë me rezervat nga rërat bituminoze që janë 174 miliard fuçi.

Problemi i Venezuelës qëndron në faktin se nuk është në gjendje të shfrytëzojë si duhet këto rezerva. Sipas një politike, shfrytëzimi disastroz, nga 3,6 milion fuçi në ditë në 2005, prodhimi ditor sot ka rënë në 1,4 milion fuçi.

Vetëm një politikë e çmendur populiste mund të shkatërrojë kompaninë shtetërore të naftës  PDVSA. Nga njëra anë importojnë naftë për ta përzjerë me naftën e Orinokos dhe nga ana tjetër ia japin naftën pothuajse falas Kubës, për t’i bërë nder babait të tyre shpirtëror, Kastros.

Situata e rëndë ekonomike e ka detyruar Venezuelën, që duke mos qenë në gjendje të paguajë 40 miliard dollarë borxhe ndaj Kinës, të lërë peng një pjesë të Orinokos dhe me çmime të bllokuara, të paguajë borxhin Kinës në natyrë, duke arritur një eksport prej 600 mijë fuçi në ditë drejt saj.

E detyruar të rrisë eksportin ndaj Kinës, ka  zvogëluar me 50% në minimumin historik  të 30 viteve të fundit, në  900 000 fuçi në ditë eksportin drejt SHBA. Duhet theksuar se me gjithë krizën e rëndë politike midis dy vendeve, SHBA asnjëherë  nuk i kishte vendosur sanksione për naftën  Venezuelës, siç ka bërë me Kubën edhe për faktin se një pjesë e madhe e rafinerive në brigjet e Teksasit dhe Luizianës janë ndërtuar me një teknologji të veçantë për përpunimin e naftës së rëndë venezueliane.

Për të shmangur sanksionet, Maduro ka braktisur dollarin në transanksionet e eksportit të naftës, duke mos kuptuar asgjë nga eksperienca e Gedafit, Sadamit apo Sirisë dhe Iranit  që e tentuan para tij.

Kjo do të thotë se vija e kuqe për amerikanët është kaluar, dhe Trump tre ditë më parë shpalli sanksione ndaj kompanisë shtetërore PDVSA, dhe tashmë të gjitha opsionet janë në tavolinë.

Në fakt, Venezuela në këtë moment është shndërruar në një duel tipik të Luftës së Ftohtë, ku nga njëra anë janë SHBA, Brazili, me një pjesë të vendeve të Amerikës Latine, së bashku me një Europë që nuk kuptohet qartë në pozicionin e saj dhe Rusia, Kina, India, Turqia, Irani, Meksika, Indonezia nga ana tjetër.

Në mes venezuelianët e mjerë, me dhuratën më të madhe që i ka falur Zoti, vendburimin gjigand të naftës të Orinokos, që tashmë iu është kthyer në një mallkim. Pa naftën zor se do ishte marrë njeri me ta.

Sidoqoftë koha për një marrëveshje midis palëve po mbaron me shpejtësi. Një debat i javës së shkuar në Këshillin e Sigurimit të OKB  demonstroi edhe një herë, nivelin ku ka rënë ky institucion, që ka 5 vjet rresht nuk është gjetur gjuha, qoftë edhe për një konflikt të vetëm.

Një lloj shprese këto ditë po vjen nga një ndërmjetësim i mundshëm i Papa Franceskos, një figurë shumë e respektuar në Venezuelë, ku 90% e popullsisë është e fesë katolike.

Mbas kësaj  ngelen shumë pak opsione, dhe  Venezuela mund të hyjë me shumë probabilitet në një spirale dhune, që mund t’i kushtojë shumë një kombi që po zhytet në një nga pjesët më të errëta të historisë së tij…

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Interesat e fshehura të rusëve

Pse Putinit i intereson kaq shumë Venezuela?

Apo kriza do të marrë fund?

Luftë së shpejti në Venezuelë?